Loading...

Agroturizmi, resurs zhvillimi për fshatin

Kryeministri Edi Rama ftoi të gjithë fermerët, por edhe sipërmarrësit të shfrytëzojnë resurset natyrore dhe bujqësore të Qarkut të Beratit, për t’i dhënë një zhvillim cilësor agroturizmit, që është edhe prioriteti i Programit të Rilindjes Rurale. Kryeministri u ndal në fshatin Peshtan të Beratit, ku ka drekuar me fermerë e sipërmarrës të këtij Qarku.

“Ne duam të hyjmë në një fazë të re për turizmin dhe për ekonominë në zonat rurale dhe të tregojmë që ajo që kërkojmë, nuk është diçka që thjesht është bërë me sukses të madh dhe me impakt të madh ekonomik jashtë Shqipërisë, por është diçka që ka filluar të bëhet me shembuj që nuk janë shumë, janë me pikatore në çdo zonë, por janë ekzistues. Që do të thotë të shfrytëzojmë bukuritë e natyrës, mikrofermat dhe traditën për agroturizmin,” shprehet Kryeministri.

Duke iu referuar kantinës Nurellari, e cila përbën një ndër shembujt e vyer në këtë drejtim, jo vetëm për kualitetin dhe autencititetin e verërave, por edhe për ushqimet tradicionale e të freskëta që ofron, Kryeministri ka theksuar se qeveria ka një paketë të gjerë mbështetjeje financiare për këdo që do të investojë në agroturizëm.

“Këtu jemi në një nga shembujt më fantastikë që janë krijuar në Shqipëri dhe që fare mirë mund të zhvillohet si agroturizëm. Ne jemi gati edhe për një paketë mbështetëse financiare. Me Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural kemi futur në program skemat financiare për mbështetjen e agroturizmit. Me fondin që kemi marrë nga Bashkimi Europian, 11 milionë euro janë vetëm për agroturizmin. Nga ana tjetër do ta bëjmë TVSH-në 6%, siç e kemi bërë për hotelet me 4 dhe me 5 yje dhe kjo ka ngjallur shumë interes, pasi kemi tani shumë kërkesa që nuk i kishim më parë dhe tatim-fitimin 5%,” nënvizon Kryeministri.

Vetë drejtuesi i kësaj kantine thotë se me rritjen e biznesit, përmes edhe mbështetjes nga AZHBR, ka arritur jo vetëm të ketë sukses në fushën e prodhimit, i cili tashmë shkon edhe për eksport, por edhe të thithë mjaft turistë të huaj, për të cilët shprehet se së shpejti do të mundësojë edhe ambiente akomoduese.

“Hapi i parë bëra kantinën. Gjithmonë isha i qartë në atë që bëja. Aplikova tek AZHBR-ja, për konstruksionin dhe bleva pajisje të teknologjisë së lartë. Unë pres këtu mjaft turistë, për shkak edhe të pozicionit, jam vetëm 7 km larg Beratit, por dhe kanionet ndodhen rreth 18 km larg kantinës. Kjo zonë këtu ka varietete goxha të mira. Si varietet, unë kam fituar edhe çmimin e dytë në festivalin ballkanik. Sa kam filluar me eksportin. Me Ankonën kam një ngarkesë të parë,” shprehet Nurellari.

Pjesë e Programit të Rilindjes Rurale, Programi i “100 Fshatrave” synon që përmes gërshetimit të trashëgimisë, traditave dhe bukurisë natyrore, bujqësisë dhe iniciativës private të nxisë zhvillimin e agroturizmit, duke e kthyer në një resurs zhvillimi ekonomik.

“Me Programin e “100 Fshatrave”, ne kemi përfshirë edhe disa fonde të bashkëpunimit austriak dhe zviceran dhe kemi pas disa ditësh, një takim me të gjithë ambasadorët, sepse çdo vend ka disa fonde, që janë fonde bashkëpunimi dhe duam që t’i ndajmë, domethënë, të bëjmë një hartë dhe çdo shtet përmes këtyre fondeve të marrë në patronazh një zonë. E gjithë sfida është se çfarë kemi bërë me Rilindjen Urbane tani ta kalojmë me Rilindjen Rurale dhe prandaj kemi zgjedhur këto 100 fshatra si qendra graviteti, për të krijuar modele sesi mund të zhvillohet ekonomia familjare edhe aty ku duket sikur s’ka shans. Çfarë bujqësie mund të zhvillojnë tek kanionet, p.sh., por ama te kanionet mund të zhvillojnë agroturizëm, që është spektakël dhe që punëson të gjithë familjen dhe të tjerë dhe fut në cikël komplet rreth e rrotull që punojnë për ty dhe që i sjellin njerëzit tek ti. Vijnë njerëzit tek ti, nuk zbret ti në qytet për të gjetur punë. Kjo është skema që po bëjmë,” thekson qëllimin e Programit Kryeministri.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com