Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës së Tregtisë Shqiptaro-Turke:
Iyi akşamlar!
Nuk di më shumë fjalë, por besoj se marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Turqisë është e tillë që i thotë të gjitha fjalët. Ne jemi dy vende me një histori që na lidh dhe me një ambicie të madhe për të ardhmen që na bashkon.
Tre vjet e gjysmë më parë, ne, sëbashku me disa miq këtu të pranishëm, u investuam për themelimin e kësaj Dhome dhe sot, falë kësaj Dhome kemi një instrument të rëndësishëm më shumë, për t’i dhënë më shumë peshë përmbajtësore bashkëpunimit tonë ekonomik.
Dua të kujtoj se që prej daljes nga errësira e izolimit komunist, Shqipëria ka pasur në krah Turqinë, me një kontribut të vazhdueshëm, ndihmë dhe asistencë teknike në të gjitha fushat, nga infrastruktura, tek shëndetësia, bujqësia e kultura. Mijëra studentë shqiptarë janë arsimuar dhe trajnuar në shkollat e universitetet civile e ushtarake të Turqisë, duke u bërë një urë e rëndësishëm lidhëse e duke mishëruar në të njëjtën kohë, një ndër shembujt më të shkëlqyer të kësaj miqësie dhe të mbështetjes së popullit dhe të vendit mik.
Prej dy vitesh, 50 studentë, çdo vit kanë përfituar bursën për të studiuar në një prej universiteteve më prestigjioze të Turqisë, por dhe një universitet i klasifikuar lart edhe botërisht, ITU në Stamboll. Sëbashku me ambasadorin kemi diskutuar mundësinë e zgjerimit të kësaj mundësie, ku studentë e studente që klasifikohen si më të mirë në vendin tonë, të kenë mundësi të përfitojnë arsimin e lartë falë këtyre bursave dhe të kontribuojnë pastaj për atdheun e tyre.
Unë dua ta shpreh sot, këtu, mirënjohjen për faktin se në çdo rast emergjencash dhe situatash të vështira për shkak të fatkeqësive natyrore, Turqia ka qenë gjithnjë i pari vend që ka nisur ndihmat dhe mbështetjen konkrete të nevojshme.
Ashtu sikundër i jam shumë mirënjohës Presidentit Erdogan për faktin se është investuar personalisht për të mbështetur një program jashtëzakonisht të rëndësishëm për ne, për parandalimin e përmbytjeve, duke na vënë në dispozicion një ekip të gjerë ekspertësh të Ministrisë së Pyjeve dhe të Ujërave, si dhe drejtuesish të një sërë agjencive të vendit të tij dhe duke marrë angazhimin për të na qenë pranë deri në realizimin e plotë të këtij programi në lumenjtë e Vjosës dhe Bunës.
Ambasadori solli këtu disa shifra konkrete të bashkëpunimit ekonomik dhe unë ndaj me të bindjen se, edhe pse në këto vite është bërë progres me rritjen e stokut të investimeve, me fluksin e investimeve direkte, përsëri, ajo çka mund të bëhet, është shumë më tepër se kaq. Vëllimi i shkëmbimeve tregtare vitin e shkuar u rrit rreth 10%, krahasuar me një vit më parë, por shifra tërësore është jashtëzakonisht e vogël për potencialin e madh, që ne duhet të transformojmë në një realitet të qenësishëm.
Më vjen jashtëzakonisht mirë që ky do të jetë viti i lançimit të dy investimeve shumë të rëndësishme dhe mjaft simbolike për cilësinë e kësaj marrëdhënieje, investimi për ndërtimin e aeroportit të ri ndërkombëtar të Vlorës dhe investimi nga ana e kompanisë Turkish Airlines për të asistuar ngritjen e linjës sonë kombëtare ajrore.
Aeroporti i Vlorës do të jetë një stimul shumë i rëndësishëm për rritjen e ekonomisë dhe të punësimit, si dhe për fuqizimin e industrisë sonë të turizmit. Ndërsa linja e re ajrore kombëtare do të jetë më në fund një mundësi e re dhe e shumëpritur për të gjithë shqiptarët, që të kenë shtëpinë e tyre fluturuese.
Falë këtyre dy ndërhyrjeve strategjike në ekonominë tonë do të kemi rritje të fluksit të pasagjerëve që udhëtojnë drejt Shqipërisë dhe do të kemi ulje të çmimeve të fluturimit për shqiptarët, që pas më shumë se çerekshekulli ankesa do të ndihen më në fund të çliruar nga laku i çmimeve shumë të larta të fluturimit.
Dua ta përshëndes e ta falënderoj mikun dhe bashkëvuajtësin tim, kryetarin e Dhomës së Tregtisë Shqiptaro-Turke. Mikun, sepse puna na ka bërë miq dhe bashkëvuajtësin sepse ndajmë sëbashku dhimbjen e shkaktuar nga shiatiku. Por ndryshe nga unë, ai ka mundësinë të bëjë not përditë, ndërsa unë jam i detyruar të notoj çdo ditë në politikën shqiptare. Kjo është arsyeja, pse ai është më në formë se unë.
Besoj se nuk është nevoja t’ju mbaj më gjatë me fjalët e mia për të gjitha mundësitë që ofron Shqipëria për rritjen e investimeve të huaja direkte, por dua t’ju garantoj se ne jemi shumë të vetëdijshëm që ende ju ndesheni me vështirësi të llojeve të ndryshme në aspektin e burokracisë dhe po ashtu jemi shumë të vendosur që sëbashku t’i kapërcejmë këto vështirësi, falë edhe mbështetjes që ju jep juve dhe më jep edhe mua, ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Më vjen shumë mirë që vlera e saj doli sot plotësisht në pah, sepse në tre fjalime, Presidenti i Turqisë u përmend dy herë, unë përmenda dy herë, ajo u përmend tre herë.
Me ftesën që ju të mbështeteni tek asistenca e ministres për çdo problem e çdo rast që hasni probleme me administratën dhe me konfirmimin që ju jeni këtu në shtëpinë tuaj, unë ju falënderoj të gjithëve dhe jam besimplotë se vitin e ardhshëm, ne do të kemi shumë më tepër për të thënë lidhur me bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve tona.
Shumë faleminderit!