Loading...

A e dini ku ndodhe’ Xhamia e Plumbit’ dhe kush e ka ndertuar ?

Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitin 1773 nga Mehmet Pashë Bushati (plaku), themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës rrëzë Kalasë së Rozafës në Lagjen Qafë të qytetit me një arkitekturë osmane dhe sot është edhe Monument Kulture i Kategorisë së Parë.

Lagjja e Qafës, është lagjja më e vjetër e qytetit të Shkodrës. Kjo lagje së bashku me Kalanë e Shkodrës përbëjnë historinë e vjetër të qytetit. Në këtë lagje ndodhen edhe disa monumente kulture që kanë i kanë rezistuar kohës deri sot. Ndër më kryesoret dhe në gjendje të mirë është Xhamia e Plumbit.

Xhamia e Plumbit është një nga ndërtesat më të vjetra të Shkodrës dhe xhamia më e madhe dhe më e bukur e Shqipërisë deri në gjysmën e parë të shekullit të XX, periudhë në të cilën filluan të ndërtohen xhami të dimensioneve të mëdha.

Xhamia ka qenë e veshur me plumb prandaj është quajtur edhe “Xhamia e Plumbit”, e me këtë emër njihet edhe sot, mbas 240 vjetësh. Xhamia është e vendosur në pjesën e jashtme të pazarit të Shkodrës, rrëzë kalasë Rozafa, në një livadh në rrafshinën e lumit Kir e Drin

Për nga forma e ndërtimit është frymëzuar nga xhamia e sulltanëve të Stambollit. Xhamia e Plumbit është e vetmja në Shqipëri për nga lloji, që fillon me një oborr me kolona të gjëra, para se të hysh në sallën e faljes. Salla e faljes paraqitet si një bllok i ulët, kapërcyer nga një tambur tetëkëndësh (oktogonal) shumë i lartë, në maje të së cilës qëndron kubeja gjysmë rrethore. Interieri shfaqet si një dhomë e gjatë dhe e gjerë, pavarësisht se përmasat janë jo dhe aq të mëdha.

Tremi (sofat) i xhamisë është i tipit të mbyllur me hapësirën e zbrazët qendrore. Nga brenda, harqet gjysmë rrethore të shtyllave janë të mbuluar me dymbëdhjetë kupola të vogla që xhamisë i japin një pamje madhështore klasike, ndërsa elementet e hershme të stilit të Stambollit dhe Bursës janë përfaqësuar në pjesët e stolisura mbi derë dhe dritare me harqe të rrejshme të thyera, luneta dhe parmaqe prej hekuri.

Në këtë xhami gjendet një shkrim që na jep një informacion historik, ku shkruhet: Madhëria e veprave bamirëse dhe bujare, Mehmet Pasha e ndërtoi këtë xhami madhështore në vitin 1187 (hixhrij)

Në datën 16 nëntor 1990, ditën e xhuma, në Xhaminë e Plumbit është mbajtur edhe ceremonia e parë e drejtuar prej Haxhi Hafiz Sabri Koçi, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, me rreth 65.000 vetë.

Xhamia e Plumbit në Shkodër është Monument Kulture i Kategorisë së Parë. Ajo është pionierja dhe prijësja e të gjitha xhamive në mbarë Shqipërinë, që u hapi rrugën dhe me të filloi ripërtëritja, shndriti shkëndija që i zgjoi shqiptarët për të shëruar plagët e mjerimit të shpirtrave dhe njëherësh fillojnë edhe ndryshimet.

Xhami e Plumbit është vepër trashëgimisë kulturore dhe gëzon një vëmendje dhe interesim të veçantë nga Qeveria Turke për ta restauruar me të gjitha parametrat historike të saj.

 

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com