Prokuroria shqiptare ka filluar një hetim ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe mirë ka bërë, pasi është një sinjal se po goditet pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë, një ‘sëmundje’ e drejtësisë shqiptare në 28 vite.
Pavarësisht konteksteve dhe përplasjeve për çështjen e provave që ka në dorë prokuroria dhe që sipas saj e implikojnë ish ministrin e Brendshëm në trafikun e drogës dhe e cilësojnë si pjesë të një grupi të ristrukturuar kriminal, hetimi ndaj tij është një sinal pozitiv për qytetarët shqiptarë se të gjithë janë të barabartë para ligjit.
Por hetimi nga Prokuroria ka vlera edhe sepse ish ministri i Brendshëm ka të drejtën e zotit që të vertetojë me prova dhe fakte para gjykatës se nuk është i përfshirë në trafikun e drogës.
Prokuroria ka të drejtë të hetojë, dhe është në të drejtën e saj, mbi bazën e çdo prove që ajo mendon se mund të ngrejë dhe vertetojë akuzën e saj ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Prova që të bindin jo vetëm gjykatën por dhe shqiptarët, se janë fryt i një hetimi të drejtë dhe të pavarur, sikurse e kërkon dhe ligji.
Përfshirja e opozitës në mënyrë emocionale në këtë hetim, mund të shkaktojë dhe prishjen tërë procesit, nëse prokurorët dhe gjykata ndikohen nga këto emocione opozitare.
Dhe në të gjitha çështjet hetimore dhe gjyqësore ku përfshihet politika, është e vështirë të dalë e drejta.
Pra prokuroria ka për detyrë të hetojë dhe ka vepruar duke hetuar për rastin e Saimir Tahirit, gjë e mirë kjo dhe e përshëndetur nga të gjitha palët në Shqipëri, dhe nga ndërkombëtarët.
Prokuroria ka nisur dhe një hetim në lidhje me një video-përgjim të pretenduar se është i Agron Xhafajt, vëllait të ministrit aktual të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe i paraqitur në media nga grupi “tresh” i deputetëve e zytarëve të PD, përkatësisht Engelejd Alibeaj, Ervin Salianji e Gazmend Bardhi.
Hetimi i prokurorisë konsiston në faktin e verifikimit të akuzave të zyrtarëve të lartë të PD
ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm për trafik droge, shkelje ligji etj., por dhe për të verifikuar autenticitetin e vidio-përgjimit, rrethanat në të cilat është marrë etj.
Dhe mirë ka bërë, duke marrë përshëndetje për reagimin e shpejtë të organit të akuzës në Shqipëri. Madje i deklarohet dhe mbështetja si nga mazhoranca ashtu dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, por dhe nga opinioni publik shqiptar.
Ka mbështetje të gjithëanshme hetimi, pavarësisht se ka shumë dilema, pikëpyetje dhe hije dyshimi mbi këtë vidio-përgjim apo mbi “sagën” e sulmeve të opozitës si gjithnjë në këto raste për të bërë politikë, ndaj Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Por ne besojmë në “ftohtësinë” e Prokurorisë në hetimin e këtij rasti dhe vendimin e drejtë të gjykatës.
Por ajo që kemi vënë re gjatë gjithë këtyre ditëve është fakti se Prokuroria Shqiptare, pavarësisht ndryshimeve drastike në kupolën e përbërjen e saj, pavarësisht mbështetjes së fortë të partnerëve tanë ndërkombëtarë, opinionit publik dhe palëve për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë, kur vjen puna tek akuzat ndaj liderëve të opozitës, megjithëse krimet i kanë të freskëta dhe të certifikuara, po stepet dhe nuk vepron.
Rasti më konkret është bllokimi i hetimit ndaj lobimit të Lulzim Bashës me financim rus dhe të ish KGB-së sovjetike.
Bllokim dhe stepje e pajustifikuar nga ana e organit të akuzës, pavarësisht se në tavolinën e Arta Markut ka dokumente autentike që përfshijnë kreun e PD në krim.
Ka dokumentet të nënshkruara me firmë dhe me vulë nga Lulzim Basha, kontrata këto me kompani që vijnë nga parajsat fiskale dhe që nuk justifikon se kush i ka paguar afër 1 milionë dollarët e lobimit në SHBA në favor të liderit demokrat.
Apo më e pakta, prokuroria ta marrë nën hetim Lulzim Bashën që të tregojë se ku i mori 1 milion dollarë se nuk janë një milionë lekë që i gjen shumë shpejt.
Nëse i ka paguar Basha dhe janë para të dhëna nga xhepi i tij, sërish ta verifikojë si i ka fituar këto një milionë dollarë për të “blerë” një foto me Donald Trump dhe të verifikojë nëse e ka zbritur në deklaratën personale të pasurisë.
Arta Marku ka në tavolinën e saj tërë informacionin e kërkuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë për lëvizjen e këtyre parave nga parajsat off-shore përmes financuesve rusë dhe vetëm Basha si i pandehur mungon.
Pse nuk merret i pandehur Basha për financimin rus të lobimit në SHBA, kur dhe Uashingtoni është shumë i shqetësuar për mbështetjen që kërkon të japë Rusdia që të ketë një “kukull” si Basha në krye të qeverisë shqiptare në të ardhmen.
Dosja është e kopsitur dhe nga SHBA.
Pse Basha nuk merret nën hetim nga Arta Marku për Rrugën e Kombit dhe 250 milionë dollarët që Basha bashkë me Berishën kanë vjedhur.
Vjedhja e këtyre parave nga arka e shtetit është e certifikuar nga reaporti zyrtar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, me vërtetësi absolute dhe “kirurgjikale”, pasi drejtori i asaj kohe i KLSH Robert Çeku ishte një deputet i Berishës që la mandatin për të marrë drejtimin e KLSH.
Do të ishte jo vetëm në nderin e Arta Markut por do t’ia dinin për nder dhe shqiptarët që 250 milionë eurot të ktheheshin në arkën e shtetit shqiptar, dhe të paguheshin së paku këstet e kredisë së biznesit të marrë nga Berisha për Rrugën e Kombit.
Pse Lulzim Basha nuk merret i pandehur për vrasjet e 21 janarit, pasi ishte Ministër i Brendshëm në ato kohë kur në mes të bulevardit dhe përballë Kryeministrisë u vranë katër demonstrues me duar në xhepa nga Garda e Republikës.
Me urdhër të tij, që transmetoi dhe fuqizoi urdhërin e ish kryeministrit Sali Berisha. Dosja është gati, vetëm të çohet në gjykatë nga prokuroria ka mbetur.
Por Arta Marku për habi po heziton për këto rastet e përmendura në ngarkim të përfaqësuesve të opozitës dhe më saktë kreut Lulzim Basha, duke shfaqur në një hark shumë të shkurtër kohor dy standarde në veprimin e saj hetimor gje ligjor.
Nuk besojmë që presioni i Ramës ndaj prokurorisë për të mbrojtur aleatin e tij Basha është kaq i madh, sa Arta Marku që cilësohet dhe si “produkt” i SHBA të stepet dhe të veprojë me dy standarde ndaj politikanëve shqiptarë që kanë abuzuar, kanë kryer krime ose akuzohen pa prova për vepra penale që janë në dyshim që janë bërë. Duke “ledhatuar” njërën palë, e goditur tjetrën./Pamfleti.com