Dokumenti i sotëm i botuar nga arkivi i S.O.E britanike sjell disa dëshmi interesante në lidhje me ngjarjet e ndodhura në pranverën e 1942 në Shqipërinë e okupuar nga italianët.
Në disa prej shkrimeve kemi theksuar faktin që Shërbimi Sekret Britanik ishte përpjekur për të krijuar sa më shumë probleme në prapavijën italiane në Shqipëri, për të lehtësuar forcat e veta ushtarake të vendosura në Greqi, të cilat ruanin rrugëkalimet për në Lindje, zonat më të rëndësishme të britanikëve.
Por me ngjarjet që pasuan dështimin italian në Greqi dhe pushtimin e saj nga gjermanët, ushtria britanike e rraskapitur nga goditja gjermane dhe sidomos zbarkimit spektakolar në Kretë, ishte tërhequr për në Egjipt dhe Palestinë.
Këtu ajo, jo vetëm që po rigruponte forcat e saj, por tashmë kishte krijuar edhe Shkollën e famshme të Palestinës, ku përgatiteshin grupe diversive për sabotime në prapavijat ushtarake italo-gjermane.
Sipas dokumentit që po botojmë sot, shikohet qartë se britanikët kishin filluar të rekrutonin edhe ushtarakë apo civilë shqiptarë për t’i përgatitur në Shkollën e Palestinës. Synimi i këtyre përgatitjeve me sa duket, është që në Shqipëri të dërgoheshin njerëz më të përgatitur dhe të trajnuar në artin e sabotazhit, duke pasur një organizim më serioz në përpjekjet për të nisur një lëvizje anti-italiane në Shqipëri.
Deri më tani Shërbimi Britanik kishte mbështetur disa prej figurave lokale me ndikim në zonat rurale shqiptare për të ndezur flakën anti-italiane. Nga dokumentacioni i SOE del qartë se disa prej lëvizjeve të hershme anti-italiane në Shqipëri në 1941 kanë qenë të organizuara, financuara dhe orkestruara nga Shërbimi Britanik, i cili si synim kishte sabotime në prapavijën italiane dhe mundësinë e një revolte popullore në Shqipëri, e cila do të pengonte një sulm të mundshëm të Italisë fashiste në Greqi
Në 1942, me sa duket, me ndryshimin e situatës ushtarake, britanikët kanë filluar të stërvitin grupe të mirëfillta ushtarake me synim penetrimin e tyre në Shqipëri dhe fillimin e një lufte në një shkallë më të gjerë.
Dokumenti i botuar sot sjell gjithashtu edhe një dëshmi shumë interesante. Zyra e SOE shkruan se ata kishin objektiv krijimin e 8 bandave ushtarake, të cilat do të kryenin operacione sabotimi në zona strategjike-ekonomike edhe në zona me rëndësi ushtarake si porti i Vlorës. Në dokument jepen edhe emrat e liderëve të këtyre bandave, të cilat sipas këtij dokumenti janë vepër e Zbulimit Britanik. Banda e M.B, e cila vepron në Veri.
Banda e M.P, e cila vepron në Shqipërinë e Mesme, banda e quajtur Mallakastra, e cila me sa duket ishte e gatshme për t’u infiltruar dhe bandat e Kaloshit dhe banda e Kupit. Megjithëse dokumentacioni në arkivat shqiptare mbi çetat anti-italiane të 1941-’42 është i pakët për t’u ballafaquar me dokumentet britanike, me shumë interes është dëshmia e Zbulimit Britanik, i cili shkruan se këto banda apo të njohura si çeta në fjalorin shqiptar, janë vepër e këtij Zbulimi.
Një dëshmi po mjaft interesante është edhe informacioni që ky dokument sjell mbi një moment shumë të paqartë gjatë orëve të fundit të Mbretërisë Shqiptare. Fakti që një pjesë e madhe e ushtrisë shqiptare nuk reagoi ndaj italianëve është trajtuar në mjaft shkrime të shumta. Por, ky detaj i botuar sot flet se sipas mendimit të Zbulimit Britanik, gjeneral Araniti ka dhënë urdhër që ushtria shqiptare të luftonte deri në vdekje, urdhër ky i sprasuar vetëm me ndërhyrje e ministrit të njohur italofil Ekrem Libohova, i cili sipas dëshmisë së kolonel Sami Kokës ngriti edhe flamurin italian në ballkonin e vilës së tij në rrugën e Durrësit.
Ka disa dëshmi mbi momentet e fundit përpara se Zogu të largohej nga Tirana, gjithsesi dëshmia e sotme e cila vjen nga arkivi i Zbulimit Britanik dëshmon se krerët më të lartë të ushtrisë dhe qeverisë shqiptare kanë debatuar mbi rezistencën që duhej t’u bëhej italianëve dhe sipas këtij dokumenti, gjeneral Araniti megjithëse shpesh është konsideruar si person jo i përshtatshëm për postin e tij, gjithsesi me sa duket, në çastet e rëndësishme para zbarkimit italian ka kërkuar luftë pa kompromis ndaj trupave të gjeneral Guxonit që prisnin në Portin e Durrësit.
Oficerët Shqiptarë për Shkollën e Palestinës
13/274/Alb 10.4.42 Për S.O.E Kajro Kopje për S.O.E Londër Nga D/H 274
Sipas Raportit tim me Telegram Kajros No.1494 e datës 10.4.42 si dhe Londrës me No. 598/9 e datës 10.4.42, dy oficerë shqiptarë kanë ofruar shërbimin e tyre për të sherbyer për A.M.A në Stamboll përpara se unë të arrija këtu. ( A.M.A Stamboll, Volumi 20 e 24.3.42 për Kajron)
Emrat e tyre si dhe kualifikimi përkatës janë si më poshtë:
a) ADIL DERVISHI 38 vjeç ish-kapiten i këmbësorisë së ushtrisë shqiptare, diplomuar në Akademinë Ushtarake të Tiranës. Ka shërbyer në shumë zona të Shqipërisë përfshirë edhe zonën e fortifikuar të Librazhdit, flet shqip dhe turqisht. Ai pretendon se ka qenë komandant i Librazhdit, por këtu më duket se e ekzagjeron rëndësinë e tij.
b) EJUP ARANITI 23 vjeç, i diplomuar në Kolegjin Ushtarak të Napolit si dhe në Akademinë Ushtarake të Modenës ish-nën kapiten i këmbësorisë së Ushtrisë Shqiptare. Flet shqip, italisht dhe turqisht. Ka një eksperiencë të shkurtër në ushtrinë italiane pas diplomimit në Akademinë e Modenës.
c) Gjeneral Xhemal Araniti, gjeneral i ushtrisë Shqiptare nën Mbretin Zog, është babai i Ejup Aranitit si dhe kushëri me Adil Dervishin. Gjeneral Araniti konsiderohej si një prej personave me influencë negative përqark rrethit të Zogut, por ai fitoi prestigj në kohën e okupacionit italian, pasi i dha urdhër ushtrisë shqiptare për të luftuar deri në vdekje. Ministri i Jashtem, gojëhelmi Ekrem Libohova ndërhyri tek Zogu dhe e bindi atë që të tërhiqte urdhërin e Gjeneralit për të evituar “gjakderdhjen e kotë”.
Gjenerali është një lloj heroi që nga ai moment dhe tashme ai dhe njerëzit e tij janë kundërshtarë të ashpër të Zogut. Të dy vullnetarët e pranuan sigurimin tim personal se populli shqiptar do të ishte ai që do të vendoste nëse Zogu do të rikthehej apo jo pas luftës në Shqipëri.
d) Adil Dervishi u largua me Mbretin dhe grupin e tij nga Shqipëria. Aranitin e ri e kapi lufta në Itali ku u mbajt për katër muaj në kazermë. Disa herë ju kërkua që të bënte betimin për Italinë dhe të bëhej një oficer italian. Ai i refuzoi të gjitha kërkesat dhe kërkoi vetëm të largohej për në Shqiperi. Me në fund ju dha një pashaportë për Stamboll dhe jo për Shqipëri. Të gjitha dokumentat dhe diplomat ja morën para largimit nga Italia me përjashtim të një dokumenti nga Akademia e Modenës të cilën mundi ta fshehë dhe e mori me vete. Këtë dokument i ka dhënë A.M.A në Stamboll.
Me mbëritjen në Stamboll u paraqit në Konsullaten Italiane ku i mbajtën pashaportën për ti penguar lëvizjen. Meqenëse është pa pashaporte paraqet vështirësi për udhëtimin e tij për në Palestinë, gjithsesi shpresoj që me anë të Konsullit Shqiptar të mund ta pajisim me një pashaportë udhëtimi.
e) Si unë, si A.M.A jemi të impresionuar nga të dy vullnetarët por nuk mund të garantojmë përgatitjen e tyre ushtarake. Ndoshta Dervishi mund të kishte një gradë më të lartë në Shqipëri në se do të ishte më i aftë, megjithatë ndoshta trajnimi në Itali nuk i ka dhënë mundësi për të bërë përpara. Te dy garantuan se do të stërviten me përgjegjësinë më të madhe. Ata mendojnë se stërvitja do të behët në Egjipt dhe për momentin me duket më e mira, të mos e përmendim Palestinën.
f) Të dy kanë kërkuar vetëm dy kushte : 1. Të mbajnë gradat që kanë pasur, 2. Dhe në fund të shërbimit të rikthehen ose në Shqipëri ose në Stamboll. Një përgjigje sa më e shpejtë mbi këto dy pika do t’i kënaqte që të dy.
g) Të dy janë shumë të gatshëm për t’u futur në Shqipëri dhe të organizojnë trazira. Dervishi është i gatshëm për t’u futur i vetëm ose me një prej njerëzve të tij, por Araniti nuk do të donte të hynte në Shqipëri i vetëm
Ai në fakt me drejtë thotë se ka qenë për një kohë të gjatë në shkolle në Itali dhe nuk e njeh terrenin malor shqiptar. Ai kërkon të ketë premtimin tonë se do të ketë me vetë njerëz të besuar kur të futet në Shqipëri.
Të dy kërkuan që gjatë zbarkimit të kenë sa më shumë njerëz me vete. Sa më e madhe banda, aq më shumë kanë mundësi të arrijnë objektivat e tyre. Unë ju thashë se ndoshta desantimi me anën e një nëndetëse do të ishte mënyra e duhur për t’i dërguar në Shqipëri. Nuk ju përmenda parashutimin e mundshëm. Mesa duket ata të dy vijnë nga një fshat në zonën e Mallakastrës, i cili është juglindje të Vlorës dhe verilindje të Himarës, një nga zonat e vetme me ujra të thellë në Shqipëri.
Zona ngjitur me Mallakastrën është zona e Kurveleshit, ku popullata myslymane ka një reputacion shumë të madh për trimëri. Të dy vullnetarët ndoshta kanë të drejtë që mendojnë se mund të rekrutojnë një bandë të madhe në këtë zonë.
2. Sigurimi i ka kaluar të dy.
3. Nëse ne do të dëshironin ata mund të na gjenin edhe vullnetarë të tjerë për t’u stërvitur. Duhet të shpresojmë se Araniti dhe Dervishi do të jenë të suksesshëm pasi ne nuk kemi asnjë person në zonën e Mallakastrës apo diku për të qenë i dobishëm për ne.
Me puset e naftës si dhe linjat e naftës në Kuçove, me portin dhe magazinat ushtarake në Vlorë shume pranë, një bande e tillë mund të gjejë plot objektiva për sabotime të sukseshme.
Gjatë planifikimit për Shqipërine duhet pasur parasysh që gjeografikisht vendi është i kompozuar nga një seri zonash malore të izoluara nga njëra-tjetra, ku komunikimi është shumë i vështirë apo i pamundur. Synimi ynë është që të kemi në terren 8 banda duke operuar në zona të ndryshme. Banda e M.B, banda e M.P, banda Mallakastra, dhe me Kaloshin dhe Kupin, bëhen deri më tani 5 banda. Firmosur D/H 27