Loading...

Zbulime ne thellesi te detit te Durresit

Arkeologët shqiptarë sapo kanë bërë një zbulim me rëndësi në detin Adriatik. Ata kanë gjetur në kepin e palit dhe në zonën përballë Durrësit amfora dhe ngarkesat e një anijeje tregtare të shekullit II dhe I para erës së re, të cilat japin dëshmi të rralla të lidhjeve ekonomike që kishte bregdeti adriatiko-jonian me atë spanjoll dhe afrikan. Instituti i arkeologjisë po identifikon shkencërisht tani objektet e gjetura pa ndihmën e kolegëve të huaj.

Ky është zbulimi i parë i këtij lloji në detet shqiptare ndërsa është i 18 në botë. Sipas specialistëve, gjetjet e fundit në Durrës hedhin dritë mbi një rrugë të re tregtare në dete. Teoria e parë mbi lëvizjet e anijeve është drejtimi perëndim – lindje; nga bregdeti italian drejt atij ilir, rruga e dytë është lëvizja e anijeve veri – jug; nga bregdeti kroat drejt atij ilir apo italian. Profesor Adrian Anastasi, drejtues i arkeologjisë nënujore shqiptare, thotë se zbulimet e fundit po forcojnë idenë e një trajektoreje të re – nga jugu në veri, bazuar nga pozicioni i mbytjes së anijes dhe nga tipi i amforave të gjetura.

Specialistët pohojnë se dendësia e lartë e zbulimeve arkeologjike në detet shqiptare hedhin poshtë si të pavërteta hamendjet e zmadhuara për një pirateri të fortë ilire, përkundrazi, transporti dhe tregtia është shumë e zhvilluar dhe e pashqetësuar nga sulmet detare në asnjë nga rrugët detare të kryqëzuara nga çfarëdo drejtimi. Lloji i spirancave të gjetura në Duurës është gjithashtu një tregues bindës për këtë zhvillim të gjerë tregtie.

Arkeologët shqiptarë vazhdojnë kërkime sistematike dhe intensive me nismat e veta dhe me ndihmën e kolegëve nga Italia. Zbulimet e tyre kanë befasuar qarqet shkencore ndërkombëtare. Arkeologjia shqiptare i ka të gjitha kapacitetet njerëzore për të vazhduar më tej kërkimet shkencore, por natyrisht i nevojitet një mbështetje teknike më e madhe për të ndricuar fakte të panumërta historike që gjenden nën tokën dhe nën detet e Shqipërisë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com