Loading...

Zbardhet raporti i SHÇBA, 259 policë u kapën me shkelje gjatë detyrës, hetim edhe për Rrugën e Kombit

Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka shqyrtuar dje veprimtarinë e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave. Vetë drejtoresha e sapozgjedhur e SHÇBA-së, Anila Trimi ishte në komision ku raportoi para deputetëve të gjithë veprimtarinë e këtij institucioni gjatë 2017.

Por ndonëse mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të informacionit të klasifikuar gazeta ka mundur të zbardh raportin e SHÇBA-së për vitin 2017. Sipas raportit të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave që drejtoresha Anila Trimi prezantoi, gjatë vitit 2017 janë gjetur me shkelje 88 punonjës policie më shumë se një vit më parë.

Pra në ndryshim nga 2016, ku në Prokurorinë e Përgjithshme u depozituan materiale kallëzues për 171 efektivë, në 2017-ën numri i efektivëve të kallëzuar penalisht është 259 policë, shkruan gazeta Sot. Por përveç këtij fakti, është mësuar gjithashtu se drejtoresha Trimi deklaroi në Komisionin e Sigurisë se janë proceduar penalisht edhe 6 oficerë të SHÇBA-së për faktin se, sipas saj, janë gjetur me shkelje. “Drejt kësaj filozofie po shkojmë. Gjatë vitit 2017 janë regjistruar 6 raste ku vetë oficerë të SHÇBA-së janë gjetur me shkelje të ligjit”, mësohet të ketë thënë drejtoresha e SHÇBA-së gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.

Hetim efektivëve për ngjarjet në Rrugën e Kombit

Veprimet e policisë më 31 mars në Rrugën e Kombit, ku Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë u përleshën me protestuesit e Kukësit po hetohen. Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë drejtoresha e SHÇBA-së, Anila Trimi, e cila përveç se e deklaroi një gjë të tillë para deputetëve në Komisioni e Sigurisë, e pohoi atë edhe para mediave.

Në përfundim të mbledhjes, drejtoresha e SHÇBA, u shpreh para mediave se ka nisur një hetim ndaj veprimeve të policisë por deri tani nuk është arritur në asnjë konkluzion. “Veprimet e Policisë me protestuesit në Rrugën e Kombit po hetohen. Kemi kryer inspektim, por nuk kemi arritur ende në konkluzione. Do njoftoheni kur të merret vendimi në lidhje me veprimet e policisë”, u shpreh para mediave, drejtoresha Anila Trimi.

Ndërkohë, për sjelljen e policisë ditën e protestës kundër taksës në Rrugën e Kombit, që përfundoi me djegien e kabinave të koncesionarit si dhe me disa të plagosur si në radhët e protestuesve ashtu dhe në radhët e efektivëve, është mësuar se po heton edhe Prokuroria e Kukësit, pasi ka dyshime për veprime arbitrare.

Policët e korruptuar drejt largimit

Edhe pse nga viti në vit SHÇBA arrin të identifikojë punonjës të shumtë në shkelje të detyrës duket se së shpejti rastet do të jenë shumë të pakta. Kjo për faktin se prej disa ditësh ka filluar vetingu në radhët e policisë dhe të gjithë efektivët do të kalojnë në sitën e skanimit.

Skanim që do të mundësojë largimin nga detyra të të gjithë efektivëve të implikuar në botën e krimit dhe korrupsionit. Kujtojmë këtu që gjatë viteve të fundit ka pasur shumë raste ku efektivë të lartë policie janë përfshirë në trafikun e kanabisit apo dhe atë të kokainës. Madje, një nga rastet më të fundit ka qenë ai i tre efektiveve të Vlorës të cilët bashkëpunonin me trafikantë të kanabisit. Efektivë që janë shpallur në kërkim nga policia.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com