Loading...

Zbardhet plani i Arta Markut për arrestime të bujshme, ngrihet strukturë e posaçme përgjimi, angazhohen 46 prokurorë për zbulimin e pasurive korruptive

Kryeprokurorja Arta Marku ka gati planin për të goditur korrupsionin në të gjitha nivelet. Në Kuvend, shefja e organit të akuzës ka dorëzuar një raport me prioritetet e punës për vitin 2018, ku në fokus është lufta ndaj korrupsionit, pastrimit të parave dhe goditja e krimit të organizuar.

Në raport theksohet se këtë vit pritet të ngrihet SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, por kjo nuk do e ndalë Prokurorinë e Përgjithshme të bashkëpunojë me to në luftën ndaj të korruptuarve. “Edhe pas krijimit të strukturës së specializuar hetimore, SPAK, bashkëpunimi e koordinimi ndërmjet prokurorive të juridiksionit të zakonshëm dhe SPAK do të jetë i një rëndësie thelbësore për goditjen e kriminalitetit.

Lufta ndaj krimit ekonomik e financiar, pastrimit të parave, terrorizimit, kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, janë tejet parësore dhe për këtë kërkohen masa të koordinuara veçanërisht për sa i përket identifikimit të rrjeteve kriminale që qëndrojnë pas tyre.

Për sa më sipër, prokuroria do të synojë: Arritjen e rezultateve konkrete në hetimin e çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, nëpërmjet gjithë masave të kësaj strategjie; Sigurimin e bashkëpunimit maksimal me gjithë institucionet ligjzbatuese dhe Prokurorinë e Posaçme; Zhvillimin e analizave të përbashkëta bazuar në tregues statistikorë e raste konkrete”, thuhet aty.

Hetim financave

Një rëndësi të madhe gjatë vitit 2018 prokuroria do i kushtojë kontrollit financiar për zyrtarë dhe personalitete të botës së krimit. “Pasuria e paligjshme e përfituar nga veprat penale, kryesisht ato të krimit të organizuar, korrupsionit e pastrimit të parave, synon të futet në qarkullimin e ligjshëm ekonomik.

Hetimi pasuror është një mjet i dobishëm në duart tona, për të ndaluar këtë fenomen por nga ana tjetër edhe për të ndihmuar hetimin penal, duke zbuluar motive, lëvizje, dëshmitarë etj. Do të synojmë rezultate më të larta nëpërmjet hetimi pasuror, nëpërmjet zbatimit të ligjit nr. 10192/2009, të përmirësuar nga ndryshimet e vitit 2017”, thuhet në prioritetet e Markut.

Kjo do të arrihet duke zhvilluar hetime financiare paralelisht me çdo hetim për vepra penale të rënda, falsifikimin dhe për vepra penale që lidhen me detyrën. Do të ketë rrije të bashkëpunimit mes prokurorive dhe analiza të vazhdueshme të punës së tyre.

Në raport thuhet se do të shfrytëzohet teknologjia dhe kapacitetet hetimore-financiare të institucioneve si tatime, dogana, banka etj. Po ashtu do ketë hetime proaktive dhe rritje të bashkëpunimit me ndërkombëtarët për të zbardhur pasuritë e fshehura jashtë vendit.

Rritje të përgjimeve

Një tjetër masë që do të ndërmerret gjatë vitit 2018 për të goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar është përsosja e teknikave të përgjimit. Në prioritetet e kryeprokurores Arta Marku thuhet se do ketë pajisje të reja përgjimi dhe do të ngrihet një strukturë e posaçme survejimi.

“Ka qenë një objektiv i vazhdueshëm i prokurorisë realizimi i veprimeve teknike të përgjimit nga oficerët e policisë gjyqësore nën drejtimin dhe kontrollin e prokurorit që heton, duke vlerësuar si një pikë të fortë në rritjen e eficencës së hetimit, mundësinë e ndjekjes në dinamikë të përgjimit dhe nga ana tjetër ngushtimin e rrethit të subjekteve që marrin informacion.

Ndryshimet ligjore të vitit 2017, i hapën rrugën këtij procesi dhe hapat e mëtejshëm synojnë: Krijimi dhe funksionimi i strukturave të posaçme dhe të specializuara për kryerjen e përgjimit të komunikimeve elektronike pranë prokurorive; Pajisja e strukturave të mësipërme me mjetet teknike të nevojshme dhe trajnimi për përdorimin; Zgjerimin e kapaciteteve për përgjimin aktiv”, thekson raporti.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com