Loading...

Zbardhet një tjetër skandal me pronat në gjirin e Lalzit

Aferat me pronat në bregdet, ndër vite kanë prodhuar skandale, me bekimin e institucioneve të drejtësisë. Disa herë radhazi, CNA.al,  ka publikuar  fakte dhe dokumente se si ka ndodhur tjetërsimi dhe abuzimi me bregdetin e Gjirit të Lalzit.

Një sipërfaqe toke prej 3.6 dynym  e ndarë sipas ligjit 7501, e ndodhur në fshatin Draç, është regjistruar në Hipotekën e Durrësit si ranishte, me anë të një vendimi gjykate, në pronësi të trashëgimtarëve të shtetasit R.H.

Ndërkohë, që kjo pronë është e regjistruar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme si ranishte, në Seksionin e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës Durrës, nuk rezulton e regjistruar asnjë sipërfaqe ranishte në pronësi të shtetasit R.H.

CNA.al, është interesuar pranë kadastrës në Durrës, rreth kartelës së pronësisë të shtetasit R.H dhe bazuar në informacionet e dhëna nga kreu i këtij sektori, nuk rezulton e regjistruar ndonjë sipërfaqe ranishte.

“Pronat e R.H. në fshatin Likmetaj janë të regjistruar në Modelarin numër 2 si  vijon :Tokë arë 48 dynym, livadh 13 dynym, pemishte  1 dynym, rrënjë ullinj  90 copë, ullishte  28 dynym dhe pyje 200 dynym”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga kreu i Seksionit të Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës Durrës, Endrit Abdyli.

Por, me  vendim gjykate, një pronë e ndarë sipas ligjit 7501, ka përfunduar e regjistruar në Hipotekë si ranishte.

Shtrohen pyetjet, nëse është ranishte përse nuk është regjistruar në kadastër dhe përse nuk është marrë parasysh kartela kadastrale nga gjykata, kur ka dhënë vendimin për regjistrimin e pronës si ranishte.

Skandali i abuzimit me pronat në bregdetin e Lalzit është zbuluar pas denoncimit të shtetasit LL.M, i cili është në kontest me trashëgimtarët e R.H. Në të njëjtën çështje është përfshirë edhe  Avokati i Popullit.

Avokati i Popullit ka konstatuar me prova  se është bërë zhvendosja e pronës nga fshati Likmetaj, në bregun e detit në fshatin Draç. I  njëjti institucion ka depozituar pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë Tiranë, kallëzim ndaj ekspertit të thirrur nga Gjykata për kryerjen e akt eskpertimit të rremë.

Gjithashtu, Avokatura e Shtetit ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë dhe është në pritje të shqyrtimit të kësaj çështjeje.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com