Një ngjarje e mirëfillte kriminale ka ndodhur gjatë paraditës së sotme në Fier, ku u qëllua me breshëri plumbash në drejtim të një lokali. Shënjestër e atentatit ka qenë pikërisht pronari i lokalit, Agim Boriçi, ndaj të cilit u qëllua nga një automjet tip “Reno”.
Policia e Fierit nuk ka dashur të japë identitetin e objektivit të atentatit duke u mjaftuar vetëm me inicialet e tij.
Boriçi është një nga personat më të njohur në qytetin e Fierit, i akuzuar për vrasje, gjoba, dhe disa vepra të tjera penale, duke përfshirë dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Boriçi vite më parë është dënuar dhe me 20 vite burg nga ana e Gjykatës, ndërsa mbeten të paqarta arsyet e lirimit të tij. Ai u arrestua nga forcat RENEA në vitin 2008, në një aksion që u trumbetua me mjaft zhurmë nga ana e Policisë.
Emri i tij për vite me rradhë ka qenë ndër më të kërkuarit nga ana e drejtësisë, ndërsa ngjarja e sotme ka shkaktuar panik në të gjithë zonën, pasi lokali është pranë ambjenteve të një shkolle.
Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar por vetëm dëme materiale ku janë thyer xhamat e lokalit.
Makina është larguar në drejtim të Semanit dhe rreth orës 11:50 është gjetur e djegur në lagjen “15 Tetori” Fier.
Në brendësi të makinës është gjetur një armë kallashnikov dhe një karikator.