Ishte koha kur të rinjtë kosovarë shkonin ta kryenin shërbimin ushtarak në Jugosllavi dhe ktheheshin në arkivole. Shumë prej tyre vriteshin, dhe familjeve u thoshin se ata kanë kryer vetëvrasje. Por historia e Aziz Kelmendit nga Lipjani ishte ndryshe, ndonëse me fund tragjik. Ish-studenti i Juridikut, po kryente ushtrinë në Paraqin të Serbisë në vitin 1987.
Por 20 vjeçari nuk arrti të përballojë presionin e vazhdueshëm psikologjik që i bëhej nga eprorët dhe ushtarët serbë.
Kështu që me 3 shtator 1987 Aziz Sadik Kelmendi vrau katër ushtarë, pesë i plagosi dhe në fund mbeti edhe vetë i vdekur.
Mënyra se si ka raportuar gazeta Rilindja, për këtë ngjarje është e habitshme, ndonëse e pritshme.
Me titullin “Krim i paparë në kazermën e Paraqinit”, shkruhet se Kelmendi kishte vrarë ushtarët kur ata ishin në gjumë.
“Sot më 3 shtator, në orën 03:05 ushtari Aziz Sadik Kelmendi, me shërbim në garnizonin e Paraqinit, gjatë kryerjes së detyrës së ndihmësit të kujdestarit të njësisë, pa kurrfarë shkasi vrau në gjumë katër ushtarë”
Gazeta i jep epitet kriminel ushtarit, pa e ditur saktë se a ishte ai që kishte kryer këtë krim.
Pas njoftimit për plagosje, në fund të lajmit bëhet e ditur se Azizi kishte bërë vetëvrasje, e se hetimet po vazhdojnë.
“Vrasësi Aziz Kelmendi lindi më 15 janar të vitit 1967 në fshatin Karaqicë të komunës së Lipjanit, ishte student i fakultetit të Drejtësisë në Prishtinë, me vendbanim të përhershëm në fshatin Dushanovë, KK i Prizrenit”
Bashkëngjitur, është edhe telegrami i ngushëllimit që Branko Mamulla ju dërgonte familjarëve të të vrarëve.
Në të njëjtën ditë, gazeta Rilindja kishte edhe një editorial me titullin “Mizori e Armiqësi”.
Editoriali me autor, Hilmi Syla, e quan kriminel Kelmendin fliste në emër të popullit, duke shprehur zhgënjimin për një vepër që ka bërë studenti kosovar.
“Lajmi për këtë tragjedi, veçmas tronditi kosovarët, pjesëtarët e kombësisë shqiptare në radhë të parë, mu pse krimineli i paskrupullt ishte nga ky mjedis dhe pos së keqes së madhe… Krimi mizor i Aziz Kelmendit, i cili në mënyrën më të vrazhdë keqpërdori besimin e ushtarit, të mbrojtësit të vendit, në opinionin e gjerë kudo hasi në gjykimin më të rreptë e të njëzëshëm, e ky veprim i ndyrë, edhe pse po zhvillohen hetime rreth tij, s’mund të kualifikohet ndryshe pos si sulm më i rëndë…”
Akti mizor, siç e cilëson rastin Rilindja në editorialin e saj sinjalizon se situata është afër ndërlikimit nga individë të infiltruar.
Sipas shkrimit, duhet punë më e madhe me të rinjtë kosovarë për krijim të moralit dhe edukatës.