Zonat e Mbrojtura në Qarkun e Vlorës vlerësohen si një mundësi efektive për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Ato përfaqësojnë në vetvete resurse të jashtëzakonshme dhe bukuri natyrore, që tërheqin në vazhdimësi turistë vendas dhe nga vende të tjera të botës.
Zonat e Mbrojtura në Qarkun Vlorë, me një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 65.000 ha, administrohen dhe monitorohen nga Administrata Rajonale e Zonave te Mbrojtura Vlorë. Në to përfshihen, Parku Kombëtar Detar “Karaburun Sazan”, Parku Kombëtar “Llogara”, Parku Kombëtar “Butrint”, Peizazhi i Mbrojtur “Vjosë-Nartë”, Rezervati Natyror i Menaxhuar “Karaburun” dhe ai “Rrëzomë”. Për gati dy vite është punuar fort që këto zona të mbrojtura të promovohen për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që ato mbartin, por edhe si destinacione të rëndësishme turistike në nivel kombëtar dhe më gjerë.
Parku Kombëtar Detar “Karaburun- Sazan” përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme edhe në drejtim të zhvillimit të turizmit. Mjafton të sjell në vëmendje faktin që, sezonin e kaluar veror ai u vizitua nga 15.000 turiste, për të kuptuar këtë dimension. Dhe po të vazhdoj me këtë argument, numrin më të madh të turistëve e kanë zënë ata shqiptarë me rreth 60 % dhe 40 % të huaj, pre të cilëve pjesa më e madhe italianë.
Ky park detar, i pari dhe i vetmi i këtij lloji në Shqipëri, ofron alternativa turistike nga më të ndryshmet. Veçojmë këtu gjiret e mrekullueshme përgjatë vijës bregdetare ku përfshihen, Gjiri i Shën Vasilit, Gjiri i Shën Janit, Gjiri i Gramës, formacionet gjeologjike të veçanta dhe unike në llojin e tyre, të cilat kurorëzohen më shpellën e Haxhi Alisë, si një nga shpellat më të mëdha në territorin e Shqipërisë dhe me vlera historike dhe gjeologjike të jashtëzakonshme. Në këtë mjedis, peizazhet nënujore janë gjithashtu të një cilësie të jashtëzakonshme, me shkëmbinjtë, shpellat nënujore, shoqërimet e faunës dhe florës, dhe në disa vende të alternuara edhe me mbetje arkeologjike. Dua të theksoj se, kjo është njëkohësisht edhe zona më e mirë dhe më mbresëlënëse e bregdetit shqiptar, ku ekzistojnë të gjitha kushtet dhe mundësitë për zhvillimin e veprimtarive argëtuese, por jo vetëm, detare, si ato të zhytjeve me bombolë oksigjeni/scuba diving. Parku vletrësohet si një vendbanim për një numër të konsiderueshëm llojesh të rralla, të rrezikuara dhe të kërcënuara të faunës dhe florës në shkallë globale, rajonale dhe kombëtare. Numërohen të paktën 36 lloje detare, të cilat janë me rëndësi ndërkombëtare dhe që i përkasin listave të llojeve të rrezikuara dhe/ose të mbrojtura nga disa konventa, të cilat janë të pranishme në zonën Karaburun-Sazan.
Por, jo vetëm kaq. Kjo zonë është vizituar herë pas here edhe nga delfini i zakonshëm (Delphinus delphis), delfini turishkurtër (Tursiops truncates), si dhe breshka e detit (Caretta caretta).
Më në jug të Shqipërisë gjendet Parku Kombëtar i Llogarasë. Ky park, me klimën e tij të pastër dhe bukuritë natyrore që ofrojnë faqet me pisha të formave nga më interesantet, si dhe falë ndikimit të erës, është i veçantë për faktin se ofron kushtet për një turizem gjithëvjetor. Në këtë park veçojnë elementë të tillë si Monumenti i Natyrës, “Pisha flamur”, që ndodhet në pjesën veriore të tij. Në parkun Llogara ka përfunduar ndërtimi i ekspozitës së turistëve e cila do të konsistojë në presantimin e vlerave naturore dhe turistike me të rëndësishme dhe më përfaqësuese të parkut, me qëllim imformimin dhe edukimin. Praktikisht, kjo ekspozitë do të jetë një përmbledhje e vlerave natyrore dhe turistike të parkut.
Një destinacion shumë i rëndësishëm turistik për sezonin veror 2016, ka qënë Monumenti i Natyrës “Syri i Kaltër”. Vetëm për sezonin që lamë pas, ky monument natyre është vizituar nga 28.521 vizitorë. Ndërkohë që Parku Kombëtar i Butrintit ka numëruar 126.563 vizitorë. Shumë interes kanë shfaqur edhe monumente të tjera të natyrës si “Kanionet e Gjipesë”( kryesisht nga të apasionuarit për climbing dhe hiking), “Përroi i Palasës”, Ishujt e Ksamilit, Pylli i Zvërnecit etj.