Vetëvrasja e Zeinep Vlorës në Londër – shqiptares së divorcuar, që banonte në Francë, para se t’i jepte fund jetës së saj, më 23 dhjetor të vitit 1932, në kryeqytetin anglez – ka qenë një ngjarje misterioze dhe e mbajtur sekret, duke ngjallur kështu interes në opinionin publik, ngjarje të cilën shtypi më i rëndësishëm francez i kohës ka tentuar t’a zbërthejë.
Kush ishte Zeinep Vlora ? Pse u vetëvra në Londër ? Aurenc Bebja ka sjellë, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, rrëfimet e Le Petit Parisien, L’Intransigeant, Le Journal, Le Populaire, Le Figaro, L’Humanité dhe Paris-soir :
Le Petit Parisien (2 shkurt 1933, në ballinë) : “Vdekja misterioze në Londër e një gruaje të re shqiptare”
Le Petit Parisien – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Londër, 1 shkurt (dp. Havas.)
Një dramë, në rrethana tepër të çuditshme, që disa e konsiderojnë gjithashtu si epilog aventurash misterioze, ka ndodhur në Londër më 24 dhjetor. E ruajtur sekret deri tani, rangu që përfaqësonte viktima dhe mjediset që ajo frekuentonte, i japin kësaj tragjedie një karakter sensacional dhe shtyjnë disa gazeta të shkruajnë shumë hipoteza mbi rrethanat e kësaj drame.
“Rrethet diplomatike të disa vendeve”, tha një gazetë e përditshme, “janë përpjekur të parandalojnë zbulimin e detajeve të këtij rasti dhe as publiku, as shtypi nuk janë lejuar të marrin pjesë në hetim”.
Viktima është zonja Zeinep Vlora. Ajo ishte një grua dyzet e dy vjeçare. E madhe, flokë ngjyrë të kuqe, shumë e bukur, e lidhur nga martesa me shtëpinë mbretërore të Shqipërisë. Thuhet se është mbajtur i fshehtë ky skandal, me qëllim mbrojtjen e “interesave kombëtare shqiptare”.
Një shpjegim më i thjeshtë i tragjedisë mund të gjendet në faktin se zonja Vlora, e cila ishte e divorcuar dhe pasi kishte jetuar më parë në luks, ishte në një situatë të afërt mjerimi. Por flitet edhe për një zhgënjim dashurie.
L’Intransigeant – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Shkrimi i L’Intransigeant, me titull “Shqiptarja misterioze e Londrës është identifikuar”, i 2 shkurtit 1933, në faqen n°5, shton se viktima ka lindur më 27 prill 1894, dhe quhej Zeinep Delvina, e cila u martua, në vitin 1907, në Smirnë, me një shqiptar : Djemil Vlorën. Për arsye të panjohura, të dy bashkëshortët u divorcuan. I zbulojmë gjurmët e Zonjës Vlora në Paris vetëm në muajin tetor të vitit 1932, ku ajo qëndroi gjatë dy muajve në hotelin e ndodhur në rue Le Marois.
Le Petit Parisien vazhdon : Me banim në Paris, Avenue de Versailles, që prej fillimit të tetorit, ajo pati mbërritur në Londër më 22 dhjetor. Më 23, ndërsa ajo gjendej përballë monumentit të dëshmorëve, në Whitehall, piu një dozë “permanganat potasi”(permanganate de potasse)dhe vdiq ditën tjetër në spitalin e Saint-Stephens, në Chelsea. Mjeku ligjor doli me përfundimin se zonja Vlora kishte bërë vetëvrasje pas “një momenti hutimi”. Por kjo është një formulë e aplikuar në Angli për vetëvrasjen më banale, dhe është e natyrshme që në këtë rast nuk mund të shuajë kuriozitetin publik.
Le Journal – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Sipas shkrimit të Le Journal, me titull “Vetëvrasja në Londër e një shqiptarje me prejardhje nga një familje fisnike”, të 2 shkurtit 1933, në faqen n°4, ajo kishte shkuar në Londër për të parë një nga kushërinjtë e saj. Zotin H.-M. Vlora, i cili ishte përgjegjës në Legatën e Shqipërisë.
Le Populaire – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Ndërsa shkrimi i Le Populaire, me titull “Dashuria dhe mjerimi shtynë në vetëvrasje një grua, dikur e pasur”, i 2 shkurtit 1933, në ballinë, shton se në dokumentat e saj u gjet një telegram ku shkruhej : “Faleminderit me gjithë zemër. Xhemil”. Xhemil Vlora ishte burri i saj nga i cili ishte ndarë. Ajo nuk e gjeti atë në kryeqytetin anglez – shkruan media franceze.
Gjithmonë sipas Le Petit Parisien, në legatën e Shqipërisë nuk është dhënë asnjë informacion mbi këtë çështje.
Le Figaro – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Por një shkrim i Le Figaro, me titull “Vetëvrasja e Zonjës Vlora”, i 3 shkurtit 1933, në faqen n°4, e kundërshton këtë gjë : Tiranë, 2 shkurt. Zyra e shtypit shqiptar komunikon : “Vetëvrasja e zonjës Zeinep Vlora, e cila jetonte prej shumë vitesh jashtë vendit, e ndarë nga burri i saj, ndodhi për shkak të një krize nevrastenie akute (une crise de neurasthénie aiguë). Çdo lajm tjetër që përhapet në lidhje me këtë vdekje duhet të konsiderohet si i pabazuar.”
Le Petit Parisien vazhdon : Gjatë momentit të pranimit të saj në spital, e dëshpëruara, e cila po vuante tmerrësisht, kishte refuzuar me kokëfortësi zbulimin e identitetit të saj. Megjithatë, në një moment të caktuar, ajo shqiptoi fjalët “Zeinep Vlora”. Dhe ajo ndërroi jetë para se të vinte dikush për ta parë.
Akti i vdekjes mbart : “Zeinep Vlora”
Deri në atë moment, asnjë anëtar i familjes nuk e ka kërkuar marrjen e trupit të saj, sipas Le Journal, të 2 shkurtit 1933, në faqen n°4.
Le Figaro – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Ndërsa, shkrimi i Le Figaro, me titull “Vetëvrasja misterioze e një shqiptarje, Zonjës Vlora”, i 2 shkurtit 1933, në faqen n°2, shton se trupi i viktimës u transportua në morgun eHammersmith, ku një i huaj shkoi për ta identifikuar.
HETIMI YNË NË PARIS
Le Petit Parisien vazhdon : E ardhur tetorin e kaluar në Paris, nga Torino, ajo po qëndronte në një hotel, adresa e të cilit është 31, rue Le Marois. Ajo kishte deklaruar se ishte gruaja e një diplomati dhe se ishte pesëdhjetë vjeçe. Gjatë dy muajve që zonja Vlora qëndroi në hotel, ajo kishte lënë përshtypjen e një personi jashtëzakonisht të mirë (një grua e shquar, elegante, por pafundësisht e trishtuar dhe e preokupuar sipas shkrimit të Le Journal, me titull “Vetëvrasja në Londër e një shqiptarje me prejardhje nga një familje fisnike”, të 2 shkurtit të 1933, në faqen n°4.), dhe ajo jetonte e vetme në një apartament të vogël. Askush nuk i shkonte për vizitë.
Më 20 dhjetor, ajo deklaroi se donte të linte apartamentin e saj për të banuar në 11 bois, Avenue Victor Hugo, në shtëpinë e një të afërmi. Më pas ajo kërkoi që posta e saj të përcillet në këtë adresë.
Udhëzimet e saj u ndoqën, por drejtoria e hotelit të rrugës Le Marois u surprizua, pak kohë më vonë, me kthimin e korrierit të saj ku shkruhej “e panjohur”.
Që prej atij momenti, letrat drejtuar Zonjës Vlora u mbajtën në hotel në pritje të kthimit të qiraxhies, e cili pati thënë se do të kthehej së shpejti. Që atëherë, nuk e pamë më.
Mësuam më vonë se ajo banonte në një hotel familjar (në një dhomë modeste, e ndodhur më saktësisht në katin e pestë, sipas shkrimit të Le Journal, me titull “Vetëvrasja në Londër e një shqiptarje me prejardhje nga një familje fisnike”, të 2 shkurtit të 1933, në faqen n°4.), në adresën 24, quai de Passy, ku bënte një jetë shumë të rregullt.
Le Petit Parisien e përfundon shkrimin duke thënë se sipas disa letrave të hapura në një sirtar, morëm vesh se Zonja Vlora kishte një korrespondencë të rregullt me shumë personalitete franceze dhe të huaja.
Por gjithçka nuk mbaron këtu.
Dy javë më vonë, të enjten e 16 shkurti 1933, gazeta L’Humanité ka botuar, në faqen n°3, shkrimin me titull “Zeinep Vlora, ‘bukuroshja shqiptare’ mos vallë ishte agjente e ‘shërbimit inteligjent’ ?”
L’Humanité – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Sipas kësaj gazete, Daily Mail ka shpjeguar arsyet se përse kjo ngjarje u mbajt sekret : “Zonja Zeinep Vlora ishte, sipas Daily Mail, një spiune dhe kundërspiune veçanërisht e frikshme. Thuhet se ka ‘punuar’ në disa vende evropiane, veçanërisht në Francë, dhe mund të ketë mbartur sekrete në lidhje me problemet e luftës dhe paqes. Mos vallë ka lidhje midis vetëvrasjes së saj dhe dënimit të spiunit francez Eydoux nga gjykata speciale e Duçes ? Kjo nuk është e pamundur, sepse e dimë se sa janë të përziera çështjet (aferat) italiane dhe shqiptare.”
L’Humanité vazhdon : “Sidoqoftë, duket e sigurtë se aventurierja nuk u vetëvra për arsye banale dashurie. Daily Mail mendon se shefat e saj i nderprenë të ardhurat dhe nga kjo anë duhen kërkuar arsyet e vetëvrasjes. “Shërbimi inteligjent” mund t’a ketë urdhëruar që të zhduket. Banditët e organizatës së frikshme policore të Britanisë së Madhe heqin qafe agjentët që i besdisin. Sido që të jetë, çështja e Zeinep Vlorës, pas Eydoux, tregon se sa aktiv është spiunazhi në këtë moment. Shenjë e padiskutueshme përgatitjeje për luftë.”
Dy muaj më vonë, një tjetër gazetë franceze shkruan mbi këtë ngjarje. Paris-soir ka botuar, më 28 prill 1933, në faqen n°3, shkrimin me titull “Vetëvrasja e Zonjës Vlora mos vallë ka shkaktuar një tjetër vdekje ?”
Paris-soir – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
“U gjet në lumin Tamiz një trup i panjohur, i cili mbante një shënim të çuditshëm.
Nga korrespondenti ynë i veçantë
Londër, 27 prill.
(Nëpërmjet telefonit)
U gjet në Londër trupi i dekompozuar plotësisht i një njeriu që duket se ka qëndruar në Tamiz tre ose katër muaj. Fytyra është e panjohshme. Megjithatë, mustaqet e zeza dhe flokët ngjyrë gri lënë të supozojmë se bëhet fjalë për një burrë rreth 40 deri në 50 vjeç. Në rrobat e çara nuk është gjetur asnjë dokument për ta identifikuar.
U gjet vetëm një copë letër e njollosur me gjak, me këto fjalë : “Zeinep, ti je zhdukur, po largohem gjithashtu. Marcelle”.
Zeinep, kujtohemi ndoshta, ishte emri i bukuroshes Vlora, kësaj shqiptarje, që vetëvrasja e saj misterioze tronditi shtypin në muajin dhjetor. Për arsye diplomatike, thuhet, rezultatet e hetimit u mbajtën sekret. Pak kohë më vonë, mësuam se ministri shqiptar në Londër u thirr nga qeveria e tij. Çfarë përfundimi duhet të nxjerrim nga ky shënimi gjetur në trupin e të mbyturit ? Ajo që nuk mund të shpjegojmë është arsyeja pse është nënshkruar me një emër femre.
Një hetim është ndërmarrë për të gjetur, para së gjithash, identitetin e të mbyturit.
Asnjë zhdukje nuk është raportuar që nga vdekja e bukuroshes Vlora, që mund ta krahasojmë me zbulimin makabër që sapo është bërë në Tamiz.”
Kjo ngjarje mbetet ende dhe sot enigmatike. Ishte një vetëvrasje apo vrasje ? Ndoshta kjo pyetje nuk do të marrë kurrë përgjigje.