Veshja Çame
Kur flasim për veshjen shqiptare, thotë Faik Konica, ka aq kostume shqiptare sa ka edhe krahina. Vizitorët e huaj, që e kanë shëtitur Shqipërinë e Poshtme, kanë vërejtur se kostumet popullore shqiptare janë të bukura e befasuese. Nuk mund të flitet për kostumet shqiptare në Çamëri, pa përmendur Çajrëllin. Ai ka qenë mes çamëve të krahinës së Margelliçit, në vitin 1880. Ai përshkruan një veshje festive të çamëve, parë në një manifestim të madh popullor, që organizohej në fshatin Mazerrek. Ai në librin e tij shkruan për kostumin kombëtar çam, kontrastin e ngjyrave, që e bënte veshjen çame të bukur dhe madhështore. Lidhur me këtë Çajrëll shkruan: “Grupet piktoreske të malësorëve, kësulat e fustanellat e tyre, bënin kontrast me livadhin e gjelbër e me armët e tyre të çuditshme, që vezullonin në diell… Shqiptarët dalloheshin vetëm nga këmishat e kollarisura, nga shkëlqimi i xhaketave dhe madhështia e brezave, në të cilat kamat e pistoletat ishin të vëna në një nemur të madh, që nuk dalloheshin dot”, (V.Chirol, vep.e përm., f.231-250).
Me interes është dhe përshkrimin që i bën Pukëvili veshjes çame dhe elegancën që u jep ajo banorëve të asaj krahine: “…Udhëtari që do të shikojë ata çamë, që do të kenë shpëtuar nga sundimi feudal i sovranit të Janinës dhe një rënie mortaje , do të njohë me vështirësi ata burra të bukur, me ato qëndisma të bukura lara-lara të veshur me kostume të shkëlqyer dhe të ngarkuar me ar të çmueshëm, që ngjasin sikur të ishin një koloni ushtarësh të Pirros, të pasur me plaçka të Trojës, që kanë zbarkuar sërish në Epir…”, (Pouqueville, “Voyage…”, vep.e përm., vëll.I, f.530).
Kostumi kombëtar çam ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të studiuesve të huaj, por edhe të historianëve grekë. Njëri prej tyre, Spiro Mela, në njërin nga librat e tij shkruan: “Çamët me rrobat e tyre elegante e luksoze, këmisha të bardha të gjata, të qëndisura anash me ar dhe fermeletë, xhamadanët të shkurtër bojë vishnje me shirita të qëndisura me ar e të përpunuar me shije të hollë, me pistoleta të lara me argjend dhe thika të ngjeshura në brez e me guna të gjata…”, ( Sp.Mela, “To lintari…”, vep.e përm., f.274).
Historiani çam Jani Sharra, kur flet për kostumin karakteristik çam, ndalet edhe në disa detaje më të hollësishme:
“Veshja tradicionale çame, thotë autori, ishte kostumi kombëtar: fustanellat e bardha, kalcat e bukura dyngjyrëshe lidhur me fjongo me xhufkat e mëdha me ngjyrë të zezë, me këmisha të bardha e me mëngë të gjëra, me jelek të zi ose blu… të qëndisur me gajtan, me brezin në mes, ku vendosnin edhe koburen. Në kokë mbanin feste me xhufkë…”, (J.Sarras, vep.e përm.).
Përfaqësuesit e krahinës së Çamërisë e kishin për krenari të përfaqësonin atë krahinë në forumet më të larta të kohës. Kështu p.sh., dy nga figurat më të njohura të Çamërisë, Vejsel Bej Dino dhe Abedin Pashë Dino kishin shkuar në Kostandinopojë me kostumet e tyre kombëtare të qëndisur me ar .
Veshja shqiptare në Çamëri, ashtu si në mbarë viset shqiptare, nuk ishte gjithnjë një veshje uniformë. Kostumet kombëtare, që kërkonin copa të shtrenjta dhe punim të hollë artistik, për shkak të gjendjes ekonomike, ishin në gjendje t’i përballonin vetëm klasat e pasura, bejlerët dhe agallarët e Paramithisë, të Margëlliçit, të Filatit, të Luaratit, të Konispolit, Delvinës, Prevezës, Pargës etj. Shtresat e ulëta nuk mund të përballonin një veshje të kushtueshme.
Heinrri Mercey në fillim të shekullit XX (1907) vuri re në Çamëri se, në disa zona, larmia shumëngjyrëshe e veshjeve kombëtare shqiptare dalëngadalë po tjetërsohej për shkak të civilizimit. Tek banorët e Pargës, thotë ai, veshja e tyre ndryshonte nga fqinjët e tyre shqiptarë: “Veshjen pjesërisht shqiptare e ruanin gratë çame vetëm në fshatin Rrapëz dhe Aija, ndërsa fustanella shqiptare vazhdonte të ruhej vetëm tek parganjotët e pasur. Ata që e ruanin veshjen tradicionale, theksonte autori, ishin me prejardhje nga Suli, Paramithia ose Arpica, ndërsa burrat shqiptarë të shtresave të ulëta i kishin qëndruar besnikë veshjes së thjeshtë shqiptare, (Heinrry Mercy, Sohn Verlang, Pragë 1907, f.18-22).
Shekulli, 06 Janar 2008