Loading...

Vdekja misterioze e aktorit Sandër Prosi në sheshxhirim, i biri rrëfen të vërtetën

Hijet e zeza të depresionit që ia vështirësuan punën dhe ia rënduan shpirtin, Sandër Prosi i mori me vete në varr, duke lënë jashtë tij vetëm shkëlqimin. Dhimbja dhe krenaria do të shoqërojë zemrën e çdo lexuesi në këtë rrëfim të sinqertë të artistit Aristidh Prosi.
Shkruan Dhurata Hamzai

“Unë do të doja të flitej për veprat individuale që ka bërë babai im. Flitet kaq shumë për vdekjen. Ai ka pasur plot role e ngjarje artistike, filmat flasin vetë dhe me këto mediat mund të bëjnë publicitet…”.Këto janë fjalët e të birit, ndërsa mbushen plot 33 vjet nga vdekja e aktori të madh Sandër Prosi.

Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, violoncelisti Aristidh Prosi, djali i Sandër Prosit rrëfen të vërtetën e vdekjes në sheshxhirim të aktorit më të madh shqiptar, të një figure të papërsëritshme e skenës dhe ekranit.

Vdekja e tij e papritur në sheshxhirim ka lënë pas shumë enigma. Është e natyrshme që çdo emër të madh ta shoqërojnë lengjendat: vdiq, u vetëvra apo e vranë.

Kjo ka qenë tema më e diskutuar që kur regjisori Muharrem Fejzo botoi një libër për aktorët shqiptarë dhe ka përshkruar atë ditë kur aktori Sandër Prosi vdiq në sheshxhirimin e filmit me regjinë e tij, duke e lënë megjithatë të dyshimtë çështjen e vdekjes së tij. Xhirohej filmi “Pranverë e hidhur”.

Muharrem Fejzo lë një hije pas vdekjes së tij kur shkruan se: “Ai aktori me shpatulla të gjera, me një ballë të lartë e rrudha fisnike, mundohej nga kaq shumë të pathëna: që nga rroga e vogël që nuk i dilte për të mbajtur dy djemtë e tij në shkollë, te frika e të qenët i përgjuar në çdo kohë.”

Ndërsa ndryshe nga regjisori Fejzo, i biri flet për alternativën e vetëvrasjes, por përjashton çdo aspekt politik.

“Varianti zyrtar është që u rrëzua nga shkallët”, rrëfen Prosi, por mund të ketë qenë edhe vetëvrasje, thotë ai pasi rrëfen periudhën e depresionit që kishte kaluar në vitet e fundit të jetës aktori i madh Sandër Prosi.

Pak është folur për këtë pjesë të vështirë të jetës së tij.

Aristidh Prosi hedh dritë në jetën e një ikone të kinematografisë shqiptare, aktorit që prej rolit u njësua me themeluesin e pavarësisë, Ismail Qemalin.

Përmes dhimbjes Aristidhi rrëfen edhe kujtime të bukura, siç është edhe pjesa që Sandër Prosi ka rruar një pjesë të flokëve mbi ballë që të ishte ballëlartë si heroi që kishte për zemër. Kujton shkëlqimin e tij në skenën e teatrit me rolin e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur të Ismail Kadaresë, të cilin me vetëm 18 ditë e realizuan edhe film falë realizmit që i bëri Sandër Prosi rolit kryesor.

Modest dhe i përmbajtur në rrëfim Aristidhi, djali i aktori të madh, rrëfen të panjohurat nga jeta dhe karriera e një shkëlqimtari në skenë, në film në mendjen dhe në zemrën e publikut shqiptar.

Hijet e zeza të depresionit që ia vështirësuan punën dhe ia rënduan shpirtin, Sandër Prosi i mori me vete në varr, duke lënë jashtë tij vetëm shkëlqimin. Dhimbja dhe krenaria do të shoqërojë zemrën e çdo lexuesi në këtë rrëfim të sinqertë të artistit Aristidh Prosi

Kanë kaluar 33 vjet nga ndarja nga jeta e babait tuaj. Një vdekje jo e zakonshme. Ndërkohë që i rikthehemi jetës dhe veprës së tij, është lënë një hije dyshimi nga regjisori i njohur Muharrem Fejzo për paqartësinë e rrethanave të vdekjes?

– Unë do të doja të flitej për veprat individuale që ka bërë babai im. Flitet kaq shumë për vdekjen. Ai ka pasur plot role e ngjarje artistike, filmat flasin vetë dhe me këto mediat mund të bëjnë publicitet…

Natyrisht, por ka shumë të panjohura nga jeta e një artisti të madh. Le ta nisim nga fillimi. Nga cila zonë e Shqipërisë është familja juaj, çfarë traditash trashëgonit në familje?

-Babai im ka qenë vlleh nga i ati. Më duket se kanë ardhur nga Voskopoja në Tiranë. Gjyshi ka qenë këpucar, zanatçi, por nuk ishte një temë që flitej shpesh në shtëpi për origjinën tonë; nga je ti, nga vjen, nga kemi ardhur. Profesioni familjar ka qenë stomatologjia, vëllai i madh i babait ishte stomatolog.

Po babai yt ishte stomatolog, sepse kështu e kam parë të shkruhet shpesh?

-Babai pati studiuar në Universitetin e Vjenës dy vjet për Mjekësi të përgjithshme dhe nuk e ka përfunduar. Nuk e di për ç’arsye, por më duket se për arsye të pagesës, sepse ishte me pagesë shkolla. Meqë kishte marrë njohur mjekësore ai ak punuar në klinikën e të vëllait si asistent. Im atë ka studiuar edhe për violinë dhe ishte shumë i talentuar. Në dy konkurse që bëheshin në atë kohë ka dalë fitues, dhe i jepej një instrument violine dhuratë. Kemi pasur në shtëpi dy violina të tijat, që ishin trofe të këtyre konkurseve dhe qëndronin varur në mur.

Ky hyri në gjimnaz aty ku është sot “Qemal Stafa”, ai luante dhe në teatër. Shumë pasione ka pasur, Ndërsa në kinema ai u kthye pas dy viteve të studimeve në Vjenë. Nuk i ka mbaruar studimet, dhe ka ardhur në Tiranë më 11 janar të vitit 1946, ditën që Shqipëria u bë Republikë. Babi erdhi nga Bari dhe sheh se në Portin e Barit kishte shumë shqiptarë nacionalistë që po largoheshin nga Shqipëria. “Po ti ku vete?”- i thanë ata. “-Në Shqipëri përgjigjet babai”.“-Po atje e kanë marrë pushtetin komunistët, ç’të duhet ty të shkosh?,-i thonë. Por babai erdhi megjithatë sepse kishte nënën këtu dhe ajo kishte shumë mall për të.

Po nëna e Sandër Prosit nga ishte?

-E ëma Aspasia ishte ortodokse nga Shkodra, dhe babai im ka lindur në Shkodër në vitin 1920. Prindërit e tij jetonin në Tiranë, por kur nëna shtatzanë me të shkoi tek prindërit, e lindi atje, duke të ketë qenë lindje e parakohshme për shkak të një udhëtimi të vështirë me kuaj siç ishte në atë kohë. Kështu që Sandër Prosi është regjistruar në Shkodër në kishën ortodokse kur lindi. Pas 6 muajsh ai ka ardhur së bashku me nënën në Tiranë. Babi nuk fliste shumë për jetën e tij.

Pasi vdiq, shumë gjëra i kam marrë vesh nga xhaxhai. Xhaxhai më tregonte se babai e kishte pasion kinemanë që fëmijë. Në vitet ‘20-‘30 kishte filma interesantë në kinema nga bota, dhe babi e kishte aq pasion sa i mblidhte koleksion negativët e filmave, por xhaxhai rrëfen se “unë u detyrova dhe ia mora e ia dogja koleksionin, se mos mbetej mbrapa me mësime nëse luante gjithë ditën me to”, dhe xhaxhai tregon se ai u bë shumë keq kur u dogjën. E vuajti shumë.

Ju kujtohet roli i parë që keni parë nga babai juaj?

-Rolin e parë nuk di ta them. Ai ka nisur punën si aktor duke bërë shkollën e skenës, nuk bëri shkollë për aktrim. Ka bërë ca kurse përgatitore që bëheshin në kuadër të shfaqjeve dhe aty zgjidheshin edhe për rolet. Por më kujtohet që shkonin shpesh teatër, jo vetëm për të parë, por edhe kur linin orën kur mbaronte shfaqja që e prisnin me mamin tek oborri i Galerisë Kombëtare.

Për çfarë vitesh bëhet fjalë?

-Ishin vitet ’60-62. Në atë kohë ai përgatitej për Otellon. Dhe ishte aq shumë i pasionuar sa studionte pjesët me orë të tëra në shtëpi, aq sa unë e kisha mësuar përmendësh të gjithë tekstin e Otellos, sepse e dëgjoja atë përditë në shtëpi.

Të pëlqente vetëm poezia apo mendoje të bëhehesh aktor?

-Unë aktor jo. S’e kam menduar kurrë. Por poezia më tërhiqte, dhe isha i vogël atëherë, futesha nën tavolinë dhe recitoja monologët e Otellos.

Babai të tha ndonjëherë që të provoje të bëheshe aktor?

-Jo s’kishte nevojë të më thoshte. Ai e dinte mirë çdo të thotë të jesh një aktor. Nuk e shihte tek unë. Pastaj aktori do një moshë madhore mbi 20 vjeç që të shihet nëse vërtetë ka vlera, ndryshe nga muzikanti që përcaktohet që i vogël. Unë u futa të studioja për violonçel.

Sa vjeç ju la babai?

-Në ’85-n, unë kam qenë 28 vjeç dhe tani kam kaluar plot 38 vjet pa të. Unë që e kisha përditë në shtëpi isha mësuar isha mësuar at shihja çdo gjë si normale. Por kujtoj se në profesionin e aktorit sidomos në atë kohë kur jetoi ai kishte shumë më shumë rëndësi. Dhe kolegët e tij e vlerësonin shumë sepse ai ishte shumë pasionant e shumë këmbëngulës. Shumë nga rolet që i mbaj mend unë i ka bërë me shumë dëshirë, sepse kujtoj disa moment dhe duhet thënë, sepse nuk është ndonjë sekret i madh, pati një periudhë depresive në vitet e fundit të jetës.

Por ai luftonte fort të përqendrohej tek roli dhe ia dilet me sukses. Dhe ai luajti personazhet të larmishme. Madje ai arriti të luante edhe fshatarin, edhe pse në fshat nuk kishte qenë kurrë. Ndoshta edhe ai formim që kishte edhe muzikë, ishte një element plus ndihmës, siç më tregojnë artistët. Ishte shumë punëtor. Shumë nga rolet që mbaj mend unë i ka bërë edhe në periudha të vështira. Mendo çfarë force e madhe i duhej të ekuilibronte mendjen dhe të realizonte personazhin.

Cilat ishin arsyet e depresionit? Ka pasur ndonjë histori përndjekjeje apo persekutimi në komunizëm?

-Jo ne në familje nuk kemi pasur persekutime, ose ndonjë problem. Por jeta kështu është askush nuk e di çdo të ndodh më vonë.

Thuhet se vdekja e tij në sheshxhirim ka lënë pas shumë enigma. Cili është mendimi juaj?

-Shiko varianti zyrtar ishte se u rrëzua nga shkallët dhe u dëmtua në kokë. Ky ishte varianti zyrtar. Natyrisht hetime pati. Mund të kishte qenë edhe vetëvrasje, por edhe të këmbëtulësh se ka qenë e tillë, kjo nuk është e mirë. Në atë kohë vetëvrasja ka qenë tabu, dhe meqë ishte një figurë e vlerësuar e lanë me variantin që u rrëzua. Unë bazat të dyshoj për vetëvrasje i kam, sepse e dija që vuante nga depresioni. Nuk jam i sigurtë nëse bëj mirë që t’i them këto gjëra kur mendoj titujt e gazetave.

Mendoni se është problem kur ju po më thoni të vërtetën e hidhur të jetës së tij?

-Sigurisht këto që po të them janë të vërteta, por kolegët e tij që e kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar me të e dinin, sepse edhe në ‘72 –shin ai kishte bërë një tentativë vetëvrasje. U shtrua në spital duke u kuruar atje, sepse në shtyp nuk jepeshin këtë gjëra atëherë, se shihje edhe dëmtim i imazhit, dhe vetëvrasja ishte një tabu nuk gjykohej për mirë në komunizëm. Ndaj mua nuk do më pëlqente të flisja për këtë temë.

I qëndruan pranë kolegët?

Kolegët po. Kishte shumë miq, Viktor Gjikën e kishte shumë mik, kishte mik edhe Bujar Lakon, edhe pse ishte natyrë pak rebele. E megjithatë rrinte me të shpesh. Me Viktor Gjikën ka 9 filma shumë të mirë. Por ai nuk ishte natyrë që të kishte marrëdhënie të pasionuara miqësore. Kishte miqësi që i lidhte puna, korrekte, por nuk kishte miqësi shumë të ngushta. Ishte natyrë e tillë. Unë në pozicionin e të birit, e di që kohët e fundit para se të vdiste ai vuante nga depresioni i madh, të cilin nuk mund ta shpjegosh me shumë aspekte të politikës, si jo diktatura apo ndonjë gjë tjetër. Nuk mund ta justifikosh depresionin me vendin ku jeton, sepse edhe shumë aktorë apo artistë të shëuar në perëndim kanë bërë vetëvrasje dhe nuk janë pak.

Cilin film po xhironte kur vdiq?

“Pranverë e hidhur”. Roli i tij ishte i vështirë, ndaj i ishte besuar. U zëvendësua nga Rikard Larja. Njëherë u diskutua të mbahej regjistrimi i babait, por pastaj u la si ide dhe nisën xhirimet nga e para.

Sa i lidhur ishte me karrierën tënde si violonçelist, kur është emocionuar për herë të parë nga ju, nëse keni pasur ndonjë koncert?

-Në periudhën kur ai ishte gjallë unë nuk kam pasur koncerte të veçanta, as në diplomë nuk ka qenë, sepse ka qenë më xhirime. Tani unë i shoh ndryshe lidhjet e me të. Sa më shumë kalon koha mendoj ndryshe. Imazhi i tij largohet si puna e ylberit që sa më larg të jesh aq më mirë ja sheh madhështinë.

Ikte shpesh me xhirime, mungonte gjatë në shtëpi?

-E vërteta është se ai ka qenë me një kast aktorësh shumë të mirë, dhe vetë atë çdo regjisor donte ta kishte në filmin e tij, por ai u tregua inteligjent edhe për karrierën, edhe për të ruajtur staturën që kishte edhe bënte seleksionime dhe nuk është se merrte çdo rol, sepse ai ishte dhe aktor në teatër, dhe krahas një premiere në teatër, bënte një film. Kjo sigurisht ndikonte.

Nëna çfarë profesioni ka pasur. Sa fëmijë jeni?

-Ekonomiste. Vitet e fundit ka punuar edhe në maternitet. Jemi dy djem unë dhe vëllai që është violinist në Teatrin e Operës.

Cili ka qenë një nga rolet e babait tuaj Sandër Prosit të cilin ju e adhuroni jo si djali i tij, por si shikues?

-Rolet e tij kur i shoh më krijojnë distancë nga ideja se ai është babai im. Dhe më duken shumë të veçantë. Ai më befason se si ka pasur mundësi që si rrallë aktorë të tjerë shqiptarë të vinte me role kaq të pasura e me figura kryesore. Kujtoj që kur bëri rolin e Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur, një personazh të adoptuar nga Ismail Kadareja me regjisorin Vladimir Prifti në film, më parë këtë rol e luajti me një sukses të madh në teatër me regjisorin Pirro Mani dhe meqë roli ishte i përgatitur falë tij, u xhirua film në një kohë record për 18 ditë.

Rreth viteve ‘70, ishin tre kandidatura për këtë rol së bashku me Sandër Prosin: Kadri Roshi e Sulejman Pitarka dhe ata ishin aktorë të mëdhenj. Dhe vendosën që këtë rol ta bëjë Sandri. Dhe Sandri ka bërë një punë të madhe për këtë rol, ku ka krijuar një figurë mbresëlënëse, në një film ku ishin tre figura qendrore si Ndrek Luca dhe Bujar Lako. Në këtë kohë Gjenerali mori shumë famë, ku u bë edhe një variant francez me Mishel Pikolinë.

Sa herë kujtohet pavarësia, ilustrohet me filmin ku luan babai juaj në vend të Ismail Qemalit. Duhet të jetë një ndjenjë krenarie për ju?

-Më kujtohet se kur do të luante Ismail Qemalin ai ka rrojtur një pjesë të flokëve për të dal balli i lartë si i tij. Aspekti fizik ishte shumë i rëndësishëm për një figurë historike kaq madhore dhe u mundua që Sandër Prosi të bënte një figurë sa më të afërt me origjinalin.

Kush ishte Sandër Prosi

Sandër Prosi u lind në Shkodër, më 6 janar 1920. Ai ka krijuar mbi 85 role në skenë dhe interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë.

Mënyra e interpretimit të Sandër Prosit ka tërhequr vëmendjen e kritikëve, si një model i rrallë për shkollën e aktrimit.

Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit” me Çmime të Republikës, me urdhëra e medalje.

Sandër Prosi vdiq më 25 mars 1985.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com