Qeveria do të ndërmarrë një tjetër reformë në administratë. Një vit më parë filloi furtuna e shkarkimeve në administratë, ku më të ekspozuar për t’u larguar ishin militantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërkohë që shumë shpejt do të nisë një tjetër furtunë, të cilës nuk do t’i rezistojë asnjë zyrtar që ka shkelur ligjin, pavarësisht forcës politike që e mbështet, qoftë kjo edhe Partia Socialiste.
Ditët e fundit kryeministri Edi Rama i ka dërguar një udhëzim gjithë krerëve të partisë, deputetëve dhe ministrave që të nisin monitorimin e çdo drejtorie të administratës. Madje, përmes këtij udhëzimi Rama u kërkon deputetëve socialistë që të ushtrojnë ndikimin e tyre ndaj drejtuesve të institucioneve për të rritur cilësinë e shërbimeve ndaj njerëzve.
Ky udhëzimi i kreut të ekzekutivit drejtuar vartësve të vet, vjen në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar rreth një vit më parë mes qeverisë-deputetëve dhe bazës socialiste, me anë të së cilit kërkon që të gjithë të bëhen bashkë për të monitoruar punën e çdo drejtori të administratës publike.
Burimet i thanë gazetës “Sot”se dje dhe gjatë fundjavës deputetët të Partisë Socialiste kanë zbritur në terren, ku kanë bërë një sërë takimesh me bazën socialiste, ku kanë bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të nisë monitorimi dhe vlerësimi i performancës të drejtorëve. Po ashtu mësohet se në “shënjestër” të monitorimit do të jenë edhe drejtues të cilët kanë disa vite në të njëjtin pozicion.
Kjo lëvizje e Ramës, lë të nënkuptosh se pas vlerësimit të performancës do të ketë ndryshime në radhët e drejtuesve të institucioneve. Kështu, ata që rezultojnë me performancë të keqe, janë të parët që do të shkarkohen. Megjithatë, interesant është fakti se pas auditit dhe metodologjisë së vlerësimit të performancës së drejtorëve, pritet që të ketë shkarkime për të gjithë ata titullarë që gjenden me shkelje, duke filluar nga mënyra se si i kanë bërë emërimet deri në menaxhimin e fondeve të dhënë nga qeveria. Ndërkohë që mësohet se do të kallëzohen penalisht të gjithë ata drejtorë që kanë abuzuar gjatë detyrës.
Ristrukturimi i partisë
Nga ana tjetër, mësohet se gjatë mbledhjeve të bazës socialiste deputetët kanë diskutuar për riorganizimin e strukturave, sipas porosisë së Ramës, që të punohet sikur zgjedhjet janë këtë qershor. Mësohet se janë zgjedhur disa sekretar partie në zona të ndryshme si Gjirokastra, Korça, etj. Ndërkohë që në kuadër të udhëzimit të kryeministrit Edi Rama, mësohet se deputetët dhe ministrat kanë kërkuar rritje të performancës në punë të drejtuesve të institucioneve dhe shërbim më të mirë për qytetarët. Madje, gjatë takimeve mësohet se deputetët u kanë bërë thirrje qytetarëve që çdo lloj shqetësimi që hasin gjatë marrjes së shërbimeve të ndryshme në administratë, ta denoncojnë tek platforma e “Bashkëqeverisjes me qytetarët”.
Paralajmërimi i kryeministrit
Kryeministri Edi Rama paralajmëron pak ditë më parë një fushatë kombëtare llogaridhënieje publike. Duke folur gjatë një takim me drejtuesit vendorë dhe qendror, i pari i qeverisë deklaroi se e gjithë qeveria do zbres në fushatë kombëtare të llogaridhënies publike. “Ne do të përfshihemi shumë shpejt në një fushatë kombëtare të llogaridhënies publike të të gjithë kabinetit qeveritar, sipas ministrive dhe të të gjitha agjencive dhe zyrave qendrore që operojnë në territoret e vendit, për të garantuar transparencë dhe për të garantuar nxjerrjen në pah të të gjitha dobësive aktuale dhe marrjen e përgjegjësive nga gjithsekush që është përgjegjës për mos çuarjen më shpejt përpara të projektit të modernizimit, të transparencës dhe eficencës së shërbimeve”, deklaroi ai.