Loading...

UNESCO të ruajë trashëgiminë kulturore të Çamërisë

Nga Nexhat Merxhushi

Për 19 prillin edhe shqiptarët e Çamërisë kanë për të thënë për Monumentet e Kulturës.

Në këtë shkrim jam përpjekur të hedh dritë mbi disa vlera të kulturës materiale të Çamërisë. Këto vlera që zakonisht emërtohen si Monumente të Trashëgimisë, e kanë një origjinë, një funksion dhe një komunitet që I kanë shërbyer. Evropa e kulturuar demokratike i njeh këto objekte të piketuara dhe nga Organizata Nderkombëtare prane OKB-së, UNESKO-s gjithashtu dhe nga historianë grekë, që meren me këto objekte kulturore-historike.

Zëri im në këtë shkrim ka një të vërtetë nëpërmjet dy burimeve: I pari- Unë kam lindur në Paramithi (Camëri) dhe sot jamë 83 vjeç. Disa prej këtyre objekteve i kam parë dhe prekur. Dhe burimi i dytë, kam shfrytëzuar studiues grekë dhe europianë.

Kur isha fëmijë, unë luaja me shokë në rrënojat e gurta të mbetjeve arkeologjike të qytetit të lashtë të Paramithisë dhe nuk dija ku luaja. Më vonë kuptova se çfarë emra dhe objekte të shenjta kisha shkelur. Studiuesve që u intereson kultura kombëtare u them se mund t’u vlejnë për t’i vënë në jetë dmth t’i integrojnë në Historine tonë Kombëtare, këto vlera materiale.

Problemi i trashëgimisë kulturore dhe historike nuk duhet trajtuar si politik, pasi objekti i ketij studimi është thjesht shkencor dhe si I tillë nuk duhet anashkaluar, sepse i shërben njerëzimit, por natyrisht edhe vendit ku është kultivuar- shqiptarëve të çamërisë dhe camëve, Shqipërisë dhe shqipëtarëve, Greqisë dhe grekëve, Evropës dhe evropianëve.

Deklarata e OKB-së e vitit 1966 thotë: “Të gjitha kulturat bëjnë pjesë në Trashëgiminë e Perbashkët të Njerëzimit” Si krime kundër njerëzimit janë edhe shkelja e të drejtave ekonomike, politike dhe kulturore të popullsisë autoktone.

Studiuesi anglez Xheims Petifer, që merret edhe me trashëgiminë e vlerave kulturore të shqiptarëve të Çamërisë, duke parë se Greqia I ka lënë në pikë të hallit, thotë: “Në qoftëse nuk merren masa të shpejta, Evropa do të ketë humbur një pjesëzë të mahnitshme të së kaluarës së saj otomane”.(Gazeta Telegraf 1 tetor 2015)Shteti mund t’i nënvleftësojë shumë herë këto probleme, shkenca dhe shkencëtoret jo.

Profesori anglez, Xhejms Petifer

Disidenti hungarez i shek XX, thotë: “Trashëgimia nuk është emocion historik, nuk është Revolucion Shoqëror, nuk është themelim feje. Trashëgimia është prehje përfundimtare e së vërtetes”. (disidenti hungarez I shek XX Bela Hamvash)

Dhe së fundi, historiani amerikan Scharls M. Andreys, shkruan: “Niveli qytetërimit të një vendi varet nga fakti se sa i kushtohet kujdes e rëndësi ruajtjes së monumenteve të së kaluarës së tij”.(Historiani Scharls M. Andreys)

Me të drejtë studiuesi anglez Xheims Petifer, për këtë problem, jep alarmin. “Sot Epiri bashkëkohor, karakterizohet nga një zbrazëti shpirtërore. Ndërtesat e vjetra të Epirit të Camërisë, përbëjnë një nga zonat më të rëndësishme të periudhës Veneciane dhe Otomane. Gjendja e mjerueshme e këtyre monumenteve, të lëna mbas dore nga Qeveria Greke duhet të bëhet shqetësim Nderkombëtar . Varrezat e Myslimanëve janë përdhosur nga ndërtimet pa leje.”( Gazeta Telegraf 1 tetor 2015)

Shumë ligje te BE-së, Greqia nuk i ka përshtatur brënda Legjislacionit Kombëtar Grekë.Gjykimi me vërtetësi I trashëgimisë është I lidhur me identitetin dhe autoktoninë e një populli. Shqiptarët e Çamërisë kanë qenë në ato vende prej shekujsh.

Për këto territore, Tukididi thoshte: “Barbarët nuk ishin greqishtfolës” (vepra 1-46-4). Kurse Straboni thoshte: “Ai (Homeri) i njihte mirë gjithë Elenët, deri tek Thesprotët, që nuk ishin Helene.”Po të flasim për autoktoninë tonë shqipëtare kemi shumë për të thënë, por dua të përmend autorët e vonët Grekë, Vasil Krapsiti dhe Jani Sharra, që në veprat e tyre shpesh kanë shkruar: “Çamët me origjinë Shqipëtare ishin banorë autoktonë”.

Prandaj sot ngremë zërin, që vlerat Monumentale të së kaluarës, duhen ruajtur si vlera të një populli vital dhe të vjetër, që ka ruajtur gjuhen shqipe, duke mos pasë shkolla, por ka dorë në këto vlera historike, ka mënyren e jetesës dhe që ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve botërorë. Unë jam munduar të vë në dukje disa vlera historiko-kulturore të qytetit tim, Paramithisë, që sipas Enciklopedisë Greke “Paramithia është kërthiza e Çamërisë”.(Enciklopedia e Madhe Helenike e vitit 1856, volumi 23, faqe 405).

Më shumë kam folur në gjuhën e të huajve, por edhe të vetë Grekërvë. Historiani grek V. Krapsitipërforcon thëniet e shumë të tjerëve për Paramithinë. “ Në këto territore (Thesproti-Çamëri) janë zbuluar shenja jete që në periudhën e Paleolitit (40000 vjet para Krishtit, ndoshta edhe më herët”. (Vasil Krapsiti tek Libri “ Istoria tis Paramithjas” 1986, faqe 115)

Sëpatë e periudhës së neolitit

Nuk dëshiroj t’i paragjykoj, por si politika ashtu edhe Kisha Greke, kam bindjen, që menjëherë do vënë alarmin se shqipëtarët janë iredentistë dhe duan të na marin tokat “tona”.

19 Prill i vitit 2018është caktuar nga UNESCO si “Dita Ndërkombëtare e Monumenteve të kulturës dhe Siteve Arkeologjike”.Në këtë ditë përkujtimore, ne Intelektualët Çam u bëjmë thirrje Organizatës Ndërkombëtare UNESCO-s, Monumens in Danger(Monumenteve në Rrezik), Save Europe’s Heritage(Organizatës Britanike, Ruani Pasurinë e Evropës), Institucioneve pranë Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Galerisë së Arteve etj. të marrin masa që kjo trashëgimi kulturore-historike të ruhet si vlerë kulturore për t’I sherbyer njerëzimit.

Këtu poshtë po japim të dhëna për monumentet e kulturës historike në territorin e Thesprotisë (Çamëdisë).

Dodona

Shtrihet në L.P. të lartëaive 1658m të Malit Korrilla të Paramithisë që zbret butë dhe gradualisht në luginën e këtij qyteti të lashtë. Quhet Dodona e Thesprotisë ose Thesprotia e Dodonës. Fjalën Thesproti camët e shpjegonin edhe kështu: thes-I (vend) dhe proto-I (I parë) Vend I Parë. Kulla e Bollatatëve ( I Ekdhosi)

Kulla e Bollatatëve e periudhës veneciale. Viti 1200

Autorët grekë Spiro Muselimi (“Shëtitje historike nëpër Thesproti” Faqe 692)dhe Vasil Krapsiti (I myslimani Camidhes tis Thesprotias faqe 115)thonë se kjo kullë është ndërtuar nga Venecianët në vitin 1200, gjë për të cilën, që të dy nuk ishin fort të binduar. Kur Ali Pasha kalonte nga Paramithia, qëndronte në Kullë. Në majë të kullës kishte një ulli. Kulla ishte ndërtuar me gurë të latuar, karakteristikë e ndërtesave të këtij qyteti.

Shtëpi karakteristike me gurë kishte plot në Paramithi, dallonin shtëpia e Salih Hafuzit (Muhedinit) dhe shtëpia e Xhemil Efendiut.

Shën Donati (Ajeos Donates)

Ishte Peshkop dhe jetoi në gjysmën e parë të shek.IV. Si Peshkop i përkiste gjithë Dioqezës së Camërisë me qendër në Eure ( Seli Ipeshkvore) e ngritur në një mal të goditur nga natyra, me shkallë, që më vonë u quajt Paramithi ose Ajdonat.

Emrin e mori nga kijuesi I saj Shën Donat dhe turqit më vonë e mbajtën këtë emër, duke e quajturAjdonat Kala ose Ajdonat Kasaba. (studiuesit bashkëshortë, Engjellushe dhe Gjin Varfi, Gazeta “Camëria” Nëntor 2006)

Sipas hartës greke me shkallë 1:300 000, monumentet kulturore në Paramithi janë të barazlarguar nga qendra sipas skicës së poshtëshënuar

Kulla e Sahatit

Ndërtuar me iniciativën e Venecianëve më 1750. Kur Ali Pasha kalonte në Paramithi, sahati punonte dhe kishte një tingull melodioz. (Vasil Krapsiti tek Libri “Historia tis Paramithias 1985 fq 68)

LagjiaTsardakia në Paramithi

Në këtë Lagje Tsardakia (Shardhaqa) sipas autorit grek Vasil Krapsiti kishte: mbetje Arkeologjike, si vegla guri, qeramika që datojnë që nga Epoka e Paleolitit (Guri I Vjetër – 40.000 vjet para lindjes së Krishtit) e deri në Epokën e Bakrit. Në këtë Lagje ka mure shumë-këndëshe dhe varre në formë kutie, që dëshmojnë për kulturën Mikene. (V. Krapsiti “Historia tis Paramithias” Athinë 1985 fq 63). Në këtë lagje banonte familja e Merxhushejve.

Xhamia Vasilius (E mbretit)

Sipas Krapsitis, kjo xhami është ndërtuar më 1490 nga Sulltan Bajaziti (fq 115)Autori Krapsiti, those se për origjinën e kësaj xhamie, flet një dokument I vjetër që ndodhet në Dhimarhion (Komunën) e Paramithisë. Në këtë xhami, me lejen e Administratoritte saj, Hafuz Dules, ne fëmijtë bëmë 2-3 muaj mësim për gjuhën shqipe.Ishte xhamia më e vjetër në Ballkan.

(V. Krapsiti tek Libri I tij thotë se për këtë xhami ndodhet një dokument në Dhimarhion (komunën) e Paramithisë. fq 75)

Kështjella e Paramithisë

Kështjella

Në kohën time quhej ta hallazmata(të prishurat). Dhe me të vërtetë kishte mure gjysëm të prishura dhe disa guva ku ne fëmijtë loznim, pa e ditur se ku. Veç kësaj kishte dhe një Kështjellë të vogël në Gallata. Në këtë kështjellë ka mjaft mbetje arkeologjike.

Hulumtuesi anglez, piktori Eduart Lir është shprehur: “Në veri të këtij qyteti, vihej re Kështjella e Gurtë, mbështetur pas maleve e shpateve në forma të magjishme. Parase të largohesha nga ky qytet I lashtë, realizova portretin e një vajze shqiptare nga Paramithia. Vajza kishte një hijeshi e bukuri të mahnitshme.”(Vasil Krapsiti Fq 115 dhe Gazeta Tirana Observer dt 31.07.2015)

Vakëfet

Këtu poshtë po japim një dokument që Vakëfet në Çamëri ishin konfiskuar nga Grekët dhe se banorët e kësaj treve ishin me origjinë shqiptare.

Myslimani Hasan Abdulla Hasani lindur në Paramithi, i regjistruar në Regjistrat Themeltar të meshkujve të Komunës tonë, me numër rendor 263 dhe vit lindjeje 1876, regjistruar në të gjatë vitit 1914, kur u krijuan Regjistrat Themeltar, kur u dha shtetësia në bazë të Traktatit të Athinës, është nënshtetas Grekë, I fesë myslimane, origjinës (prejardhjes) shqiptare dhe jo I përfshirë në këmbimin e popullatës dhe banor I përhershëm I Paramithisë qysh nga viti 1912 e këtej.

I lartëpërmenduri është Myftiu i Paramithisë dhe në bazë të ligjit 2345 Administruesi i pronave Vakëfeve të Rrethit të Paramithisë.

Ky dokumentlëshohet jo I plotë në bazë të Nenit 131 të Kodit Agrarme qëllim që ta përdorë për marrjen e dëmshpërblimit nga Pronat e Xhamive të Shenjta, të shpronësuara si cifliqe.

Paramithi 4 Mars 1935

Myftiu I Paramithisë Kryetari Komunës

Hasan Abdulla Anastas Haliqa

Vërtetohet

Prefekti i Janinës

(Emër i palexueshëm)

I njëjti vërtetim është lëshuar për Kryetarin Sali Hafuzi (Muhedini) gjithashtu dhe për banorë të tjerë shqipëtarë cam, por tek Myftiu janë shënuar vakëfet e konfiskuara.

Vakëfet

1) Agora (Lugati)

2) Zervehori (Dragoni)

3) Rahliu (Ciflia)

4) Qira Panaja

5) Vëlani

6) Kardhiqi

7) Stanovo

8) Miminë

9) Njihori

10) Prodhromi

Të gjitha këto vakëfe sot figurojnë të tjetërsuara, por unë jam i detyruar t’i përmend, në bazë të dokumentit që veç të tjerave tregon edhe autoktoninë e banorëve shqiptarë të Çamërisë. Autoktoninë e tregon dhe dokumenti i Sali Hafuzit dhe dokumenti i Namik Merxhushit.

Bronxet

Në “Muzeun British” të Londrës në dhomën 70 ka një mbishkrim të tillë “Statujë prej Bronxi të gjetur nga disa fshatarë thesprotas (shqiptarë-cam) të Paramithisë më 1771” “Këto Statuja I përkasin Perëndeshës Romake të Dashurisë, Venusit dhe janë pronë e një shtëpie të pasur Romake.”(Henri Holland- Anglez)

Holland vazhdon:“Janë 8 figura të plota Bronxi, që thuhet se janë nga Paramithia. Ka dy Jupiterë dhe një Apollon, nga më të bukurat në Botë.”Ministria jonë e Kulturës kur të ketë kohë le të shkojë t’I shikojë. (Henri Holland, studiues anglez, tek “Ravles in the Jonian Isles Albania (Shqipëri), Thesali,Maqedoni, Byron, gjatë viteve 1812-13 Londër 1815)

Nikolas Hammond, studiues I historisë Antike Greke tek Libri “Epiri” thotë: “Pjesa më e madhe e këtyre bronxeve u blenëmë 1798 nga dy udhëtarë anglez; Peini dhe Knaiti që I paraqitën në Muzeun Britanik.

Vija Egnatia

Kjo rrugë fillonte në Epidamus dhe kalonte mbi shtëpitë tona. Nga qendra e Paramithisë (Pazari) dhe deri tek kjo rrugë, distanca ishte 2.6km. (sipas Hartës greke1:130.000) Sipas thënieve, emrin e kishte marrë nga camët: e glatë është. (Shih skicën e mësipërme)

Studiuesi Arvanitas Niko Stillo

“Studiuesi Niko Stillos, Arvanitas, me pasion dhe dëshirë për të gërmuar në vlera të kulturës të Shqiptarëvë të Camërisë ka gjetur një pllakë varriqë daton në shek. V të pas Krishtit në fshatin Huvjan të Paramithisë, ku shkruhej: “Unë sitë ula, pres teksa hij në rrotullimet e Diellit, gjithnjë duke rrënkuar”.

Çezma e Sebehit në Paramithi

Ndërtuar në kohë të Osmanëve. Nga pikpamja arkitekturore dhe ndërtimore është shumë e vecantë dhe Monumentale. Paramithia kishte 12 cezme. (V. Krapsiti “Historia tis Paramithias” fq 70)

Llabovo

Sami Frashëri për Paramithinë dhe Llabovon

“Eshtë Kasaba dhe njihet për tregti dhe në javën e fundit të shtatorit bëhej Llabovo.”

Niko Zhango për Llabovon

“Cdo vit në Paramithi, javën e fundit të shtatorit, bëhej Llabovo (Panair). Dy ditë përpara vinin camë nga gjithë Camëri. Ata hipur nëpër kuaj elegantë me kostumet karakteristike të tyre, zbrisnin nga kuajt dhe drejtoheshin në han. Pastaj leventët camë , uleshin në kafe, gjithë hijerëndë me mustaqe të holla dhe me kalcet e bardha, binin në bisedë më vendasit për mallrat që do të tregtonin. Atë ditë s’kishte shtëpi paramithiote që mos të priste miq, camët leventë. Skishte asgjë më shumë sesa madhështia, rregulli dhe pastertia e këtij pazari.”

(Niko Zhango tek Libri “Imperializmi Anglez dhe Lufta e Popullit grek për Liri”)

Këtë Panair e përmend edhe Martin Lik më 1814

Xheims Petifer flet për një ndërtesë të madhe të Pashait Otoman, në Margëllic dhe për një monument tjetër me vlerë, Xhamia Islamike e Ali Pashës në Janine.

Xheims Petifer

Duhet patjetër të bëhet një regjister investor për Monumentet e Kulturës Historike dhe Kulturore.

Në këto objekte historiko-kulturore unë, fëmijë luaja bashkë me shokët, por pa e ditur se c’thesare fshihte ky qytet i lashtë i Thesprotisë (Camërisë) Paramithia, objekte të cilat tregojnë lashtësinë e këtij vendi, lashtësinë e këtij populli vital.

Ky artikull nuk është iredentist dhe as politik. Nuk jemi mësuar të gllabërojmë pronat e të tjerëve. Ky artikull është historik dhe kulturor. Vlerat e monumenteve të kulturës i takojnë gjithë njerëzimit, por edhe atij komuniteti shqiptar çam, që ka jetuar në ato territore prej shekujsh ( që me krijimin e botës) dhe prandaj UNESKO nxjerr ligje pë ruajtjen dhe restaurimin e këtyre vlerave.

Njëkohësisht është dhe një kundërpërgjigje për politikën dhe kishën greke që sot duan ti mohojnë edhe emrin kësaj nuse shqiptare, që me plot mburrje, patrioti Murat Toptani i thotë: “O e bukura e dheut, parajsa shqiptare e shtrenjta Çamëri”./ Panorama

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com