Papa Françesku ka bërë thirrje për dhënien fund të masakrave në Siri, gjatë mesazhit tradicional të ditës së Pashkës nga sheshi kryesor i Vatikanit. Ai kërkoi gjithashtu nga Zoti që të shërojë plagët në Sudanin Jugor dhe Republikën Demokratike të Kongos, si dhe nxiti dialogun në gadishullin Korean.
Papa Françesku tha se fuqia e mesazhit të krishterë u jep shpresë të privuarve. Kjo përfshin emigrantët dhe refugjatët, që janë “duke u refuzuar kaq shpesh nga kultura e sotme e shpërdorimit”.
Mijëra njerëz besimtarë ishin mbledhur në sheshin e “Shën Pjetrit” për të dëgjuar Atin e Shenjtë të fliste nga ballkoni i bazilikës. ”Sot ne lutemi për të mbjellë frytet e paqes mbi të gjithë botën, duke nisur nga toka e dashur dhe e përvuajtur e Sirisë, populli i së cilës është lodhur nga një luftë në dukje e pafund”, tha Papa.
”Kjo Pashkë, drita e Krishtit të ringjallur le të ndriçojë ndërgjegjet e të gjithë udhëheqësve politikë e ushtarakë, në mënyrë që t’i jepet fund sa më shpejt masakrave ende në zhvillim, në mënyrë që ligjet humanitare të mund të respektohen dhe që të mund të parashikohet lehtësimi i dërgimit të ndihmave, aq shumë të domosdoshme”.