THONË……
Thonë se Zoti kur ishte i lumtur ,
shënoi një pemë të blertë,
aty ku lindi krijesa -grua,
thonë se flaka e saj lozonjare,
mori me të mirë stinët,
që diç kuvendonin nga habia.
Atëherë guxoi pranvera,
që ngjyrat e saj tronditëse,
të preknin dhe një botë që po vinte shpenguar,
rrëmbeu të gjitha furtunat ,
në erën ambicioze hodhi trishtimin pa fre,
në faqet bosh hodhi errësirën,
në hënën enigmë mbolli faqet mollverdhë,
në qiellin e vonuar hodhi mëkatin,
që u tremb nga shkëlqimi ,
i një diamanti mishtor me erë pjeshke.
Thonë se kur erdhi nata,
yjet kishin bërë pakt me njeriun,
dëshirat e tyre u ngjyhen me gjakun e ndezur,
në supet e dridhura pati shkulm dehse,
kishte ndodhur ngjizja ,
kish zbritur jeta kacavirur në dritaren ,
me feksje jete,
thonë se u lejua të banonte edhe zilia,
që qante fatin e saj rrëzë një gardhi…
RUDINA MËRKURI.