Loading...

Të zbulosh zonën e Orikumit, Dukatit, Tragjasit është si të rrugëtosh në gjurmët e historisë. Vlera të ralla, kala, qytete antike, monumente kulture që i gjen kudo, e që kanë shumë për të thënë, edhe pse nuk kanë pasur mjaftueshëm zë, për të treguar gjithçka ato fshehin.

Të zbulosh zonën e Orikumit, Dukatit, Tragjasit është si të rrugëtosh në gjurmët e historisë. Vlera të ralla, kala, qytete antike, monumente kulture që i gjen kudo, e që kanë shumë për të thënë, edhe pse nuk kanë pasur mjaftueshëm zë, për të treguar gjithçka ato fshehin.

Rreth 20 kilometra nga qyteti i Vlorës, Tragjasi i ri qëndron në këmbët e Tragjasit të vjetër. I riu ngre krye me banesat e reja shumëkatëshe, ku jetojnë mëse 1300 banorë, ndërsa më tej mijëra sy të gurtë ku s’jeton askush derdhen në horizont. Tragjasi ka një histori shekullore që shtrihet, sipas studiuesve, që prej shekujve 4-7 para Krishtit. Disa herë është djegur që nga koha e Sulltan Bajazitit, është masakruar, por nuk është shuar. Këto gërmadha të mbetura mbajnë brenda shekuj histori, mbajnë peshën e rëndë të moteve të shkuar. Banorët nisën të zbrisnin ngadalë, vit pas viti, shekull pas shekulli, nga ky fshat, shënjestër e sulmeve të shumta të okupatorëve, që nuk rreshtën edhe në Luftën e Dytë Botërore, kur Tragjasi u dogj nga gjermanët. Sot këtu gurët flasin e tregojnë me rrudhat e gdhendura mbi trupin e tyre nga shekuj histori.

Sot pamja që ofron Tragjasi i vjetër është impresionuese; nga shtëpitë mund të kuptosh pozitën e lartë që kanë pasur banorët e tij, ndërsa “varri i çifutit”, siç e njohin banorët e që gjendet diku në një pjesë të fshatit, e bën edhe më mistike e misterioze historinë e këtushme. I sigurt është fakti se ky fshat mund të kthehet në një burim të jashtëzakonshëm turistik, një muze në natyrë, një natyrë muze, që flet me shtëpitë e çdo gur të tij.

Nuk do të duhej shumë investim, por do të duhej imagjinatë e dëshirë për t’i dhuruar turistëve një perlë të tillë identitare, një vend ku ke ç’të shohësh e mësosh, pas çdo kthine e çdo rrugice, sot të vetmuar.

“Një dorë e vogël, një ndihmë e vogël e një fuqie të madhe, do të bënte mrekullinë. Mendoj se do të ishte një nga vendet më të vizituara”, thotë Lame Troqe, banor i zonës.

Jo larg nga fshati i vjetër, e as nga ai i riu, ngrihet edhe kalaja e Gjon Boçarit. Ai mendohet se ka qenë një nga luftëtarët e Skënderbeut, që më pas u kthye në këtë vend për të ngritur këtë fortesë, që daton sipas disa studiuesve që në shekullin e 14. E megjithatë, në kala e kemi të pamundur të shkojmë, pasi e vetmja rrugë është e rrethuar brenda një prone private, ndaj çdo tentativë tjetër është e pamundur mes pemishteve, ferrave e gjelbërimit të hazdisur. Në Shqipëri ndodh edhe kështu, të detyrohesh të shohësh një vlerë të tillë veç nga larg, ose veç përmes fotografive.

19 kilometra na ndajnë nga një tjetër fshat historik, që emrin e mban që prej të paktën shekullit të tretë para Krishtit, Dukatit. Në krye të tij, në pjesën e vjetër, ngrihet shtëpia e një prej krerëve më të njohur të kryengritjeve antiosmane të viteve 1847, Dervish Ali Dukatit. Kulla, monument kulture, që më shumë i përngjan një kalaje të vogël, në masën më të madhe ka rënë mbi vete, e kjo sepse edhe fondet që janë kërkuar nga Zyra Rajonale e Monumenteve të Kulturës duket se kanë fjetur sirtarëve, e kurrë nuk janë miratuar.

“Ky objekt me të cilin duhet të mburret krahina, është krenari e krahinës, por ka mbetur kështu siç është. Ka nevojë për investime, rregullime, mirëmbajtje dhe për fonde”, tha Sokrat Gjikoka.

Në kullat mbrojtëse, ato të vrojtimit, odat dhe gjithë ambientet e tjera, vërehen dëmtimet e shumta të ndërtesës, që dikur në kohën e diktaturës ka qenë muze, ndërsa sot është kthyer në një rrënojë.

Jo larg ngrihet edhe shtëpia e një tjetër figure të madhe, Pilo Andon Gjikokës, luftëtar i shumë betejave, i internuar e masakruar nga osmanët tek italianët. Edhe këtu gjithçka është shkatërruar.

Në Dukat Fushë kalojmë edhe nga ujësjellësi i Ferrunit, i ndërtuar në vitin 1888 nga mjeshtrat vendas, e që sot duket i dënuar me shembje për shkak të degradimit të tij. Diku më tej, edhe Kisha e Marmiroit, një tjetër monument kulture i shekullit të 12. Dikur në vitet 1970, Instituti i Monumenteve të Kulturës, nën kujdesin e profesor Aleksandër Meksit, e ngriti nga gërmadhat duke e kthyer thuajse në gjendjen fillestare, ndërsa sot fati po shkon drejt rikthimit të saj ashtu siç u zbulua, në shesh.

Laguna e Orikut të drejton për nga qyteti antik, pjesa më e madhe e të cilit gjendet brenda territorit të bazës së Pashalimanit. Oriku, që mendohet se është themeluar në shekullin e 6 para Krishtit shtrihet përreth kodrës së Paleokastrës.

Përtej zbulimeve, që këtu ende vazhdojnë, e për të cilat Zyra Rajonale e Vlorës dhe Instituti Arkeologjik kanë dhënë kontributin e tyre, problemi më i madh duket mungesa e një mbështetjeje të denjë, e mbi të gjitha fondet që do t’i jepnin më shumë hijeshi e mundësi gërmimesh të reja.

“Është ‘i mbyllur’, sepse në fakt është i hapur, por s’pret njeri. Pa vënë dorë nga institucionet përkatëse dhe vështirë për t’u parë, për të gjetur rrugët për të identifikuar monumentet një e nga një, siç i ka parku”, shprehet Eduard Demo, kryetar i shoqatës “Oriku”.

Vlera të mëdha, që shqiptarët nuk kanë ditur kurrë t’i nxjerrin e promovojnë mjaftueshëm.

Në Orik, mbi të gjitha duhet të bëhesh gati edhe për një betejë, vështirë të përballueshme, me mushkonjat, duhet të jesh me fat të kalosh pa ndonjë virus nga pickimet e shumta, që vijnë nga laguna ku shtrihet sot edhe një pjesë e mbytur e qytetit antik.

Do të duheshin ditë të tëra të rreshtoje monumentet e kësaj zone, e mbi të gjitha vlerat historike e kulturore që ajo ka, e ku gjithçka bie ndesh me harresën, indiferentizmin, mungesën e investimeve disavjeçare, që kanë qenë veç grimca e asgjë më shumë.

“Ky është një rrugëtim për të  sjellë në vëmendje vlerat kulturore e historike të këtyre zonave, këto pasuri të ralla, me shpresën se zëri i tyre do të dëgjohet për të shkundur harresën e apatinë”.

Top Channel

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com