Thomas Strakosha do të rikthehej në përfundim të sezonit 2015-2016 te Lazio, aty ku veç konkurrencës me një tjetër shqiptar, Etrit Berishën, që kishte luajtur 11 ndeshje si titullar atë sezon, do t’i duhej të bënte llogaritë edhe me portierin e parë të bardhekaltërve, veteranin Federico Marchetti.
Për t’i dhënë një dorë ndihme mendoi drejtori sportiv Igli Tare, sigurisht me pëlqimin dhe miratimin e drejtuesve më të lartë të klubit, duke larguar në formë huazimi (me të drejtë blerjeje) shqiptarin tjetër Berisha te bergamaskët e Atalantës. Ky i fundit pasi luajti një sezon në Bergamo, u ble përfundimisht nga klubi pas performancave shumë të mira atje.
Siç dihet, tashmë Strakosha është kthyer në gardianin numër 1 të portës së lacialëve, por “makthi” Berisha duket se nuk i ndahet në rrugëtimin e tij tejet pozitiv në karrierë deri më tani.
Ajo se çfarë mund t’i rezervojë e ardhmja nuk dihet, por deklarata e dhënë nga Igli Tare përpara ndeshjes së kësaj të enjteje, ku shprehej se e ndiqte prej kohësh Valonin, mund të bashkojë Thomasin me një tjetër Berishë në të njëjtën skuadër, këtë herë pa rivalitet të brendshëm mes njëri-tjetrit.