Paketa me ndryshimet në statutin e Partisë Demokratike, përpos përfshirjes së Jozefina Topallit në Këshillin Kombëtar dhe ndryshimin e rregullave për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kryetar bashkie, ka prodhuar edhe një surprizë të tjetër.
Ndryshimet në statut, miratuar ditën e premte nga Këshilli Kombëtar, përjashtojnë Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit, Sali Berisha, nga Kryesia e Partisë Demokratike. Krahas Malltezit nga Kryesia e PD largohen automatikisht edhe krerët kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve të Përhershme Parlamentare që i përkasin PD.
Në total, nga Kryesia e PD përjashtohen automatikisht 25 figura të kësaj partie. Të gjithë të përjashtuarit, për t’u bërë sërish anëtarë të Kryesisë, duhet të kandidojnë dhe të zgjidhjen me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar. Por, me votim nga Këshilli Kombëtar, mund të zgjidhjen vetëm 15 anëtarë, një numër mjaft i reduktuar në krahasim me numrin e të larguarve.
Mekanizimi
Po si u përjashtua Malltezi nga Kryesia e PD, gati një vit pasi Lulzim Basha nuk e futi në listën e kandidatëve për deputetë? Statuti i ri i partisë më të madhe në opozitë ka ndryshuar përbërjen e Kryesisë, duke u hequr të drejtën krerëve të departamenteve për të qenë anëtarë të Kryesisë së Partisë Demokratike. Neni 39 i statutit aktual të PD parashikon që, Kryesia e Partisë Demokratike, përbëhet nga kryetari i partisë, nënkryetarët e partisë, sekretari i Përgjithshëm, drejtuesit e departamenteve etj.
Jamarbër Malltezi është kreu i departamentit të Ambientit, Pyjeve dhe Turizmit në Partinë Demokratike, ku si tillë ishte automatikisht anëtar Kryesie. Por, sipas statutit të ri, i konfirmuar nga Këshilli Kombëtar, krerët e departamenteve nuk mund të jenë më anëtarë të Kryesisë. Neni 52 i statutit të ri parashikon që Kryesia e PD përbëhet nga kryetari i partisë, nënkryetarët e partisë, sekretari i përgjithshëm, sekretarët funksionalë etj., por jo nga krerët e departamenteve.
Ky ndryshim ka përjashtuar automatikisht Jamarbër Malltezin dhe të gjithë drejtuesit e tjerë të departamenteve nga Kryesia e PD. Ashtu si Malltezi, nga Kryesia largohen edhe krerët e tjerë të departamenteve si Suzana Guxholli, Florion Mima, Sherefedin Shehu, Jemin Gjana, Bardh Spahia, Ardian Turku, Tritan Shehu etj.
Të larguarit e tjerë
Me ndryshimet e reja në statut, nga Kryesia e PD largohet edhe Genc Pollo, i cili mban postin e kryetarit të Komisionit të Integrimit Evropian. Të drejtën për të qenë anëtare e Kryesisë së PD e humbet edhe zonja Jorida Tabaku, e cila është zëvendëskryetare e Komisionit të Ekonomisë. Nga Kryesia e PD ikën edhe Flamur Noka, i cili mban postin e zëvendëskryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Albana Vokshi, si kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik nuk do të jetë më anëtare e Kryesisë së PD./Shqiptarja.com
Statuti i aktual i PD
Neni 39
Kryesia e Partisë
Kryesia e Partisë përbëhet nga:
Kryetari i Partisë;
Nënkryetarët e Partisë,
Sekretari i Përgjithshëm, Drejtuesit e Departamenteve dhe Sekretarët Funksionalë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar.
Kryesia e Grupit Parlamentar, ku përfshihen Kryetari, Nënkryetari, Sekretari dhe Zëdhënësi.
Kryetari apo Nënkryetari i Kuvendit që i përket Grupit Parlamentar të PD
Kryetarët apo Nënkryetarët e Komisioneve të Përhershme Parlamentare që i përkasin Grupit Parlamentar të PD-së;
Kryetarët e organizatave partnere.
Statuti i ndryshuar i PD
Neni 52
Kryesia e PDSH
Kryesia e PDSH përbëhet nga:
a) Kryetari i Partisë;
b) Nënkryetarët e Partisë;
c) Sekretari i Përgjithshëm, dhe Sekretarët Funksionalë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar;
Kryetarët e organizatave partnere;
15 (pesëmbëdhjetë) anëtarë të zgjedhur me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar, nëpërmjet një numri kandidaturash të paktën sa dyfishi i numrit të vendeve vakante.
Zëdhënësi i Partisë, si dhe Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare që emërohen nga Kryetari i PDSH.
Krerët e departamenteve që largohen nga Kryesia e PD
Jamarbër Malltezi, ambienti, pyjet dhe turizmi
Florion Mima, ekonomia dhe tregu
Sherefedin Shehu, financat publike, tregu bankar financiar dhe jo bankar
Jemin Gjana, kontributet historike
Tritan Shehu, shëndetësia
Enkelejd Alibeaj, siguria, rendi publik, lufta kundër krimit
Suzana Guxholli, energjia dhe burimet natyrore
Ervin Minarolli, infrastruktura dhe transporti
Enkelejda Sallaku, bujqësia, zhvillimi rural, peshkimi dhe agroindustria
10.Endri Hasa, shoqëria e informacionit
11.Avenir Peka, siguria kombëtare
12.Kastriot Sulka, punësimi dhe çështjet sociale
13.Bardh Spahia, emigracioni dhe diaspora
14.Lealba Pelinku, antikorrupsioni, aksesi publik në shërbime dhe transparenca në qeverisje
15.Enri Çeno, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore
16.Ardian Turku, pushteti vendor dhe administrimi i territorit
17.Luciano Boçi, Arsimi, shkenca dhe inovacioni
18.Arben Skenderi, kultura, rinia dhe sporti
19.Laura Vorpsi, integrimi Europian
20.Kreshnik Çollaku, politika e jashtme
Gent Malko, pronat
Krerët dhe nënkryetarët e komisioneve që largohen nga Kryesia
Flamur Noka, zëvendëskryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare
Genc Pollo, kryetar i Komisionit të Integrimit Evropian.
Jorida Tabaku, zëvendëskryetare e Komisionit të Ekonomisë
Albana Vokshi, kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik