Shkodra ndodhet e rrethuar nga forcat policore. Deputetë dhe aktivistë të Partisë Demokratike do të jenë ditën e sotme prezentë në Gjykatën e Apelit të Shkodrës, ku janë ankimuar 23 masat e sigurisë dhënë nga Gjykata për protestuesit e Rrugës së Kombit. Këtë e ka konfirmuar edhe deputeti demokrat nga Qarku i Shkodrës, Bardh Spahia.
Ditën e sotme, në Gjykatën e Apelit të Shkodrës do të zhvillohet seanca gjyqësore për masat e sigurisë ndaj 23 protestuesve. Avokatët e tyre mbrojtës kanë apeluar vendimin e Shkallës së Parë të Kukësit që la në burg 11 protestues, 10 në detyrim paraqitjeje dhe 2 në arrest shtëpie.
Po ashtu sot në Shkodër do të jenë të pranishëm dhe 20 këshilltarët e bashkisë së Kukësit, të cilët janë nisur me autobus në drejtim të Shkodrës.
Avokatë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë gjetur disa shkelje nga ana e autoriteteve gjatë arrestimit të tyre, duke filluar nga falsifikimi i orës së arrestimit, apo nga shoqërimi pa njoftuar familjarët në drejtim të Tiranës.
Nëse merren parasysh të gjitha shkeljet e evidentuara, dhe fakti se protesta e tyre është legjitimuar dhe nga pranimi i gabimit nga qeveria, atëherë 11 qytetarët do të duhet të jenë sot pranë familjeve të tyre.
Seanca e mëparshme u zhvillua në Gjykatën e Tiranës për çështje sigurie. Ajo zgjati rreth 3 orë dhe u shoqërua me tensione brenda gjykatës, ku pati përplasje mes policisë dhe deputetëve të PD-së. Ndërkohë, Drejtoria e Policisë pati angazhuar rreth 1 mijë policë për mbarëvajtjen e seancës.
Gjykata e Apelit në Shkodër sot ndodhet e rrethuar nga forca sigurie të policisë të ardhura nga Tirana.