Mbrëmë Papa Françesku kremtoi Meshën e Natës së Pashkëve, që nisi në ora 20.30. Sot, në orën 10.00, Mesha e Ditës së Pashkëve, do të ndiqet nga Bekimi Urbi et Orbi – Romës e Botës, në orën 12.00.
Papa mbrëmë në orën 20.30, në Bazilikën e Shën Pjetrit, dha Meshën e Natës së madhe të Pashkëve. Riti nis me bekimin tradicional të zjarrit të ri, në tremen e Bazilikës, ndjekur nga procesioni me qiriun e Pashkëve dhe Exultet, kumt gazmor, që këndon ngadhënjimin e Zotit të Ngjallur mbi vdekjen e mbi errësirën e botës.
Papa, gjatë Meshës së Natës, pagëzoi tetë persona, 3 gra e 5 burra, ndërmjet tyre një shqiptar. Ata ishin të moshave 28 e 52 vjeç: 4 italianë, 1 shqiptar, 1 nigerian, 1 amerikan e 1 peruviane.
Mesha e Ditës së Pashkëve dhe Bekimi Urbi et Orbi – Romës e Botës
Sot Papa do të kryesojë Meshën e Ditës së Pashkëve, duke nisur nga ora 10.00, në Sheshin e Shën Pjetrit. Ungjilli do të shpallet si në latinisht, ashtu edhe në greqisht. Gjatë lutjeve, besimtarët do të kërkojnë për Papën dhe ipeshkvijtë e mbarë Kishës, dhuratën e sinqeritetit ungjillor dhe të pasionit apostolik; do të ketë lutje edhe për rregulltarët, që të jenë dëshmitarë gazmorë të realiteteve të ardhshme; e akoma, lutje për paqen, drejtësinë, vëllazërimin në mbarë botën e që të marrin fund mllefe e përçarje.
Në orën 12.00, nga Lozha Qendrore e Bazilikës së Vatikanit, Ati i Shenjtë do të lexojë mesazhin e Pashkëve dhe do të japë Bekimin e tij apostolik si dhe ndjesën e plotë në formën e vendosur nga Kisha. Sheshi i Shën Pjetrit tashmë është stolisur me mijëra lule, ardhur nga Holanda!
Të mërkurën e kaluar, gjatë audiencës së përgjithshme Papa theksoi se Pashkët janë festa më e rëndësishme e vitit, qendra e fesë sonë dhe e shpresës sonë, është kerygma, që e ungjillëzon vazhdimisht Kishën e cila, nga ana e saj, dërgohet të ungjillëzojë.
Shën Pali e përmbledh ngjarjen e Pashkëve në këtë shprehje: “Krishti ? Qengji ynë i Pashkëve ? tanimë u flijua (1 Kor 5,7). Prandaj “Gjërat e vjetra kaluan e lindën të rejat(2 Kor 5,15). E me një formulë tjetër sintetike, shpjegon se Krishti “u flijua për fajet tona dhe u ngjall për shfajësimin tonë/Radio Vatikani