Skënderbeu ka respektuar pritshmërit duke përmbysur në ndeshjen e kthimit ekipin e Flamurtarit, pavarësisht se këta të fundit kishin fituar në shifrat 1-0 në ndeshjen e parë të luajtur në Korçë. Ekipi i Ilir Dajës ka triumfuar 2-0 dje në ndeshjen e luajtur në Vlorë, duke imituar disi ndeshjen e luajtur në kampionat disa ditë më parë.
Skuadra korçare është mjaft aktive në startin e ndeshjes, teksa në minutën e 16-të, pas një krosimi të Gavazaj në zonë, Soue godet topin me kokë, por tentativa e tij ndalet nga Siljanovski. Në minutën e 36-të, pas koreve ofenduese të shpeshta të tifozëve vlonjatë në drejtim të Skënderbeut, Osmani ka shkelmuar topin në shenjë revolte në drejtim të tyre. Arbitri e ka ndëshkuar Osmanin me karton të verdhë për këtë veprim dhe i ka kërkuar Alveshit të qetësojë tifozët. Deri në fundin e pjesës së parë nuk do të ketë ndryshime rezultati, me ekipin vlonjate që shkoi me avantazhin e ndeshjes së parë.
Skënderbeu e nis mjaft mirë pjesën e dytë, teksa Nimaga shpërdoron një mundësi të artë përballë portierit Nurkoviç. Kundërpërgjigja e Flamurtarit është e menjëhershme me Danilo Alvesh, i cili ndalet vetëm nga shtylla. Në minutën e 59-të, korçarët vendosin heshtjen në Vlorë, pasi shënojnë golin e avantazhit. Gavazaj jep një pasi fantastik në zonë për Soue, i cili e ka të thjeshtë për ta çuar topin në rrjetë. Vendasit humbasin kontrollin e ndeshjes, ndërkohë që ekipi i Ilir Dajës i ndëshkon sërish me golin e dytë që vendos kualifikimin e tyre. Pas një dalje nga e djathta e Gavazaj me Radas, topi shkon në hyrje të zonës te Nimaga, i cili bën një ekzekutim mjeshtëror, duke e çuar topin në cepin e portës së Nurkoviç. Flamurtari hidhet në sulm për të kërkuar shkurtimin e rezultatit, por nuk surprizohen korçarët./Koha Jonë/
https://streamable.com/s3le7
https://streamable.com/2i57i