Liverpuli dje në mbrëmje shkëlqeu në fushën e lojës, por në organizimin e ndeshjes, dështoi totalisht. Jashtë ambienteve të “Anfield Road”, ata e pritën në mënyrën më të keqe të mundshme autobusin e skuadrës së Pep Guardiolës.
Autobusi me të cilin po udhëtonte stafi teknik i Sitit u sulmua me tymuese dhe u godit me shishe uji nga tifozët e pranishëm në rrugët rreth stadiumit të Liverpool. Për fat të mirë nuk pati të lënduar, por skuadra e Guardiolës, mund ta ketë ndjerë jo pak këto akte vandale.
Trajneri, Pep Guardiola nuk kishte si të mos bënte një koment për këtë ngjarje aspak të këndshme për ekipin e tij. 47-vjeçari, dukshëm i acaruar, në fund iu drejtua policisë me këto fjalë: “Faleminderit që na mbrojtët, faleminderit shumë. E vlerësoj vërtetë shumë atë që keni bërë. T’iu vijë turp!” për të vijuar më tej: “Nuk i prisnim të tilla skena, sidomos pas asaj që ndodhi vitin e kaluar me Borusia Dortmund. Ky nuk është Liverpul”.
Guardiola iu referua ngjarjes që i ndodhi ekipi verdhezi në përballjen me Monako, më 11 Prill 2017, ku u sulmua autobusi i gjermanëve dhe për pasojë mbeti i dëmtuar Mark Bartra.