Loading...

Shkarkon e konfirmon gjyqtarë dhe prokurorë – Vettingu i plotëfuqishëm

Prej më shumë se dy javësh, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka nisur procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në kuadër të Reformës në Drejtësi.

Procesi ka nisur fillimisht me Gjykatën Kushtetuese, ku po rivlerësohen anëtarët e saj. Pasi të përfundojë rivlerësimi i gjyqtarëve të Kushtetueses, KPK-ja do të nisë rivlerësimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe kështu me radhë. Deri më tani, KPK-ja ka shkarkuar një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa është ndërprerë procesi i rivlerësimit për 10 ish-zyrtarë të tjerë të Drejtësisë, të cilët kanë dhënë dorëheqjen përpara nisjes së Vettingut.

Por ndërkohë që procesi i rivlerësimit po shihet vetëm si procedurë shkarkimesh gjyqtarësh dhe prokurorësh, ligji parashikon edhe ndryshe. Kështu, sipas ligjit në fuqi, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mund të shkarkojë, pezullojë me afat apo konfirmojë në detyrë gjyqtarë dhe prokurorë bazuar në rivlerësim. Sipas ligjit, rivlerësimi përfshin kontrollin e pasurisë së subjektit që i nënshtrohet atij, kontrollin e pastërtisë së figurës dhe të aftësive profesionale. Mbi këto tri shtylla bazohet edhe vendimi i KPK-së për ta shkarkuar, pezulluar me afat 1- vjeçar ose konfirmuar në detyrë një gjyqtar apo prokuror.

PASURIA

Çdo subjekt i rivlerësimit duhet të ketë një pasuri jo më të madhe se dyfishi i pasurisë së ligjshme. Në rast të kundërt, atëherë ai prezumohet fajtor për shkeljen disiplinore, përveçse kur paraqet prova që vërtetojnë të kundërtën. Gjithashtu, aspekte të tjera që mund ta penalizojnë një zyrtar të drejtësisë për pasurinë, është fshehja e saj, ose mosjustifikimi apo edhe shmangia e taksave. Në këto raste KPK-ja vendos shkarkimin e tij dhe mund ta dërgojë edhe për ndjekje penale nëse konstaton shkelje të ligjit. Vendimi merr formë të prerë në rast se vendos njësoj edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

FIGURA

Kontrolli i figurës përfshin të shkuarën dhe të tashmen e subjektit që i nënshtrohet rivlerësimit. Në rast se konstatohet se subjekti ka qenë funksionar i Sigurimit të Shtetit, ka precedentë penalë të më- parshëm, apo lidhje me persona të inkriminuar, atëherë vendoset shkarkimi i tij.

AFTËSIA PROFESIONALE

Një aspekt tjetër është edhe aftësia profesionale, ku KPK-ja shqyrton formimin e subjektit të rivlerësimit. Në rastet kur konstatohen probleme me aftësitë profesionale që lidhen me shkollimin e subjektit, atëherë KPK-ja mund të vendosë pezullimin 1-vjeçar nga detyra të subjektit dhe i jep mundësi atij që gjatë këtij viti të plotësojë boshllëqet për të kaluar edhe këtë prag profesional. Pasi ndodh kjo, subjekti emërohet sërish gjyqtar ose prokuror.

SHKARKIMI PAS KONFIRMIMIT

Konfirmimi në detyrë, i jepet subjektit të rivlerësimit në rast se ai: arrin nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë, të kontrollit të figurës dhe nivel minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale. Por pavarësisht se subjektit mund t’i jepet vendim për konfirmim në detyrë, Komisioni ka të drejtë që ta transferojë çështjen e tij në një organ tjetër kompetent, nëse evidenton shkaqe që përbëjnë shkelje disiplinore. Këto shkaqe parashikohen në legjislacionin që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në to mund të përmendim shkelje disiplinore në detyrë, aktivitete partiake, konflikte interesi etj.

PEZULLIMI

Pezullimi nga detyra dhe detyrimi për të ndjekur një program trajnimi për një periudhë 1-vjeçare i jepet subjektit të rivlerësimit në rast se janë kaluar dy kushtet e pastërtisë së figurës dhe pasurisë, por që evidentohen mangësi në aftësinë profesionale. Në rast se subjekti përfundon programin e trajnimit, Shkolla e Magjistraturës i paraqet Sekretarit të Përgjithshëm të KPK-së dhe ONM-së, rezultatet e provimit përfundimtar, duke shprehur nëse mangësitë janë mbushur ose jo.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com