Shitet Top Channel? Një Fake News i shëmtuar shqiptar
Fake News dhe përdorimi malinj i informacionit janë kthyer në një modë të keqe kohët e fundit në Shqipëri, sa pa frikë mund të thuash se janë po aq të ngjashme dhe të rrezikshme sa edhe armët që shkuan në duart e njerëzve në vitin e mbrapshtë ’97.
Fjala po përdoret keq dhe e shitur nën maskën e medias po prodhojnë një llum informativ të pistë zi, duke kërkuar të dëmtojnë emitentët apo bizneset më të rëndësishme në Shqipëri.
Prej orësh në portalet anonime, e më pas amplifikuar zhurmshëm dhe pa as më të voglin kontroll etik dhe profesional dhe nga media që kanë një emër dhe reputacion në këtë treg informativ, qarkullon një lajm për shitjen e Top Channel. Askush nuk ka pyetur në Top Channel, askush nuk ka kontaktuar në Top Channel për të konfirmuar një informacion të tillë, që po aq sa Top Channel, dëmton edhe një partner të vjetër të Top Channel në biznes.
Asgjë e vërtetë nuk qëndron mes këtyre rreshtave që një portal ka hedhur në eter dhe të tjerët e kanë amplifikuar zhurmshëm, duke krijuar shumë zhurmë e thashetheme.
Top Channel është themeluar nga Dritan Hoxha dhe kjo është padyshim pasuria dhe kujtimi më i rëndësishëm dhe më i bukur që ai i ka lënë familjes së tij dhe të gjithë shqiptarëve. Familja, por edhe stafi i Top Channel janë të përkushtuar maksimalisht që Top Channel të mbetet lider në tregun mediatik shqiptar, në të gjitha vendet ku flitet shqip.
Top Channel vazhdon të mbetet lideri mediatik në Shqipëri në të gjithë dimensionet e tij, e ndoshta kjo po shqetëson disa koka të nxehta, e të mbrapshta.
Ndodhi sërish sot në Shqipëri që një Fake News kërkon të përbaltë ‘Gjigantin’, ka ndodhur edhe sërish dje, do ndodhë patjetër edhe nesër prapë. Por siç thotë edhe gazetari i njohur Enriko Mentana; “Fake News është si një komik që të bën të qeshësh me batutën e parë, por më pas ndërron kanalin dhe nuk kujtohesh më për të”. Kështu do të harrohen dhe këto Fake News, që rëndomë rreken të marrin ca klikime të pista.
Top Channel vazhdon të mbetet i njëjti, i pari për Shqiptarët!