Rekomandimi i pakushtëzuar i KE për çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE, është bërë objekt diskutimi sot në emisionin ‘Studio e Hapur’. Që në nisje të emisionit deputetja socialiste Elisa Spiropali u pyet nga moderatorja Eni Vasili nëse do i ndanin meritat për këtë arritje mes opozitës dhe maxhoranës, ndërsa socialistja tha se kjo ishte meritë e qeverisë.
Sipas saj opozita nuk kishte bërë asgjë dhe se strategjia e saj ka qenë destruktive. Kaq mjaftoi që të ndërhynte deputeti i PD-së Enkelejd Alibeja. Ai tha se çelja e negociatave sot nuk është meritë, por mëshirë.
“Jemi të gatshëm të ndajmë arritjet, sfidat dhe përgjegjësitë për këtë arritje. Ne e kemi patur një marrëdhënie jo të lehtë me Europën. Besojmë që kjo thyerje e këtij ngërçi psikologjik është një arritje reale, konkrete e reformave të ndërmarra nga kjo qeveri.
A ka bërë opozita detyrën dhe është munduar që përmes të gjitha mjeteve ta shtyjë këtë datë, kjo nuk është dita për tu diskutuar. Në gjithë strategjinë opozitare, nga çadra te çizmet, nga pengimi i Vettingut, të gjitha këto kanë qenë destruktive që nuk i kanë shërbyer procesit. Llogarit i kanë bërë gabim”
Ndërkohë Alibeaj vijoi me linjën e tij se vendimi u dha për mëshirë. “Këta janë ata që kanë bërë gjithçka për të arritur në këtë ditë të lumtur, por kjo pala tjetër çfarë ka bërë?
Po jap konkluzionin që në fillim. A është ky një moment i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët? A është një gjë e mirë?
Sigurisht që është një gjë e mirë, pasi kjo pjesë e europës jo ballkanike ka dëshirën që të përfshijë këtë pjesë ballkanike. Por pse? A është meritë apo mëshirë? A mos po e bëjnë këtë për shkak të frikës nga lufta?
Juncer e tha sot që po i çelim negociatat se nuk duam të rrezikojmë një luftë në Ballkan. Edhe Rama e tha me batutë që po nuk na e çeli rrugën Europa, rrugën e kemi të hapur me Rusinë dhe Kinën. Sot kemi një Republikë pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, me një kryeprokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm të zgjedhur vetëm nga një anë, kemi një republikë ku Saimir Tahiri mbështetet nga qeveria. Kemi një republikë ku vëllai i kryeministrit është koka e trafikut të kokainës, ku vëllai i ministrit të Brendshëm është i dënuar në Itali”, tha ai.