Loading...

Rama ‘ua mbledh’ kryebashkiakëve, masat që do të ndërrmerren për sezonin turistik

Qeveria ka nisur përgatitjet për sezonin e ri turistik. Dje kryeministri Edi Rama ka mbledhur në një takim krerët e bashkive dhe prefektët ku i ka porositur që të marrin masat e duhura. Nga ana tjetër shefi i qeverisë tha se nuk do ketë tolerim ndaj asnjë biznesi.

“Hedhja e mbeturinave vend e pa vend, nga njëra anë, ndotja përmes derdhjes së ujërave të zeza nga hotelet apo nga lokalet, nga ana tjetër, si dhe zhurmat duhen sanksionuar në mënyrën më ekstreme dhe nuk ka ekstrem që të jetë i mjaftueshëm karshi këtyre karshillëqeve ekstreme, të zhvilluara e të kthyera në traditë për kaq shumë vite. Këshillat bashkiakë mund dhe duhet ta marrin një masë të tillë, në mënyrë që të gjitha forcat tona, të gjitha agjencitë ligjzbatuese të ushtrojnë të gjithë kontrollin e nevojshëm dhe të gjitha të ardhurat nga gjobat për këto dëme t’i kalojnë çdo bashkie, sikundër është e merituar. U kemi dhënë prej muajsh, hoteleve dhe lokaleve që derdhin ujëra të zeza në det, mesazhin e qartë që pas 1 qershorit nuk do tolerohen”, tha ai.

Rama tha se do të shmanget çdo lloj forme inspektimi apo kontrolli që krijon pakënaqësi tek pushuesit, por sanksionet për këto struktura do të jenë shumë të rënda.

“Gjëja që duhet të bëjnë është të futen në kornizën e kontratës që kanë me shtetin, kur kanë marrë lejen për të ndërtuar në këto territore dhe ku kanë kusht të shkruar në lejen mjedisore, depurimin e ujërave të zeza me instalime të brendshme të tyre, siç e bën e gjithë bota, aty ku nuk ka një infrastrukturë të lidhur të sistemit të ujërave të zeza me infrastrukturën e përgjithshme. E njëjta gjë vlen për sa i përket respektimit të ligjit për interesin e çdo konsumatori, kur vjen puna tek kontributet e hotelerisë. E kemi ulur 6% TVSH-në për hotelet në rang republike. Nuk mundet më të tolerohet asnjë mashtrim me numrin e pushuese, aq më tepër që të dhënat i kemi shumë të qarta, janë të gjitha plot e përplot përgjatë gjithë sezonit turistik”,  citon “Sot”.

Kryeministri problem cilësoi dhe zhurmën e lokaleve. Ai u shpreh se dhe për të do të merren masa.

“Nëse një problem i madh, i përvitshëm, një sëmundje kronike e sezonit tonë turistik janë zhurmat vend e pavend, që krijojnë shpesh herë tension, stres dhe në vazhdimësi pakënaqësi për pushuesit, ky problem nuk mund të zgjidhet në mënyrë të njëanshme. Ai zgjidhet duke përcaktuar qartësisht në secilën bashki, zonat dhe oraret mbi të cilat duhet të vigjilojnë forcat që kanë përgjegjësinë shtetërore për ta bërë këtë punë dhe për të garantuar qoftë që jashtë këtyre zonave dhe jashtë këtyre orareve të mos shqetësohet askush, qoftë ata që duan të bëjnë zhurmë e të kënaqen me zhurmën gjithë natën, ta kenë këtë mundësi në pika të specifikuara dhe larg atyre që me të drejtë nuk duan të shqetësohen”, tha ai.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com