Gjatë dy muajve në vijim priten goditje në nivele të larta. Dje Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë, ndërkohë që sfida më e madhe do të jetë fundi i muajit qershor, pasi duhet të binden vende skeptike si Gjermani, Franca dhe Hollanda.
Por kjo do të thotë se gjatë majit dhe qershorit pritet që të ketë reprezalje në drejtësi dhe politikë. Bashkimi Europian ka kërkuar gjithmonë arrestime në nivel të lartë zyrtarësh, ndërsa maji dhe qershori shihen si dy muaj vendimtarë, kohë në të cilën do të ndryshojë fati i Shqipërisë. Sinjalet janë dhënë ditën e djeshme edhe nga qeveria, e cila i ka dorëzuar kryeprokurores Arta Marku rekomandimet për vitin 2018.
Ekzekutivi ka kërkuar nga prokuroria që fokus i punës së këtij institucioni gjatë vitit 2018 të jetë lufta ndaj korrupsionit në nivele të larta. Sipas ligjit çdo vit qeveria i dorëzon Prokurorisë së Përgjithshme një paketë me rekomandime, ku e udhëzon mbi fushat që duhet të jenë prioritare. Në rekomandimet e saj, ekzekutivi kërkon nga institucioni i akuzës që të rrisë luftën kundër korrupsionit në nivele të larta. Madje, qeveria i rekomandon prokurorisë që të ketë si prioritet hetimin e zyrtarëve dhe politikanëve që fshehin pasurinë.
“Lufta me tolerancë zero ndaj korrupsionit, sidomos korrupsionit në nivelet e larta dhe sekuestrimi e konfiskimi i të ardhurave me origjinë kriminale, aseteve kriminale apo pasurisë së pajustifikuar të vënë nga korrupsioni zyrtar, është një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare, njëkohësisht edhe një nga kriteret që kushtëzon integrimin evropian të vendit”, thuhet në dokument.
Gjithashtu, qeveria i rekomandon prokurorisë që në kuadër të luftës ndaj korrupsionit të rrisë hetimin me metoda speciale, me qëllim zbulimin e kësaj vepre penale në një kohë të shkurtër. Sipas qeverisë, hetimi pasuror dhe sekuestrimi i pasurisë duhet të shihet me prioritet nga prokuroria. “Rritje të hetimeve proaktive dhe teknikave speciale të hetimit; Kryerja e hetimeve sistematike pasurore dhe rritje e numrit të aseteve të sekuestruara që prej fazës fillestare të hetimit dhe konfiskimin e tyre në përfundim; Hetime të shpejta dhe bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese; Bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare sidomos për kryerjen e hetimeve pasurore financiare që lidhen me veprat penale të korrupsionit”, thuhet në dokumentin e cituar nga “Sot”
Hetimi i pasurisë
Por përveç kërkesës për arrestimin e zyrtarëve të lartë me akuzën e korrupsionit, qeveria ka kërkuar nga prokuroria që të rrisë hetimin pasuror për politikanët. Dhe për këtë qeveria ka ngritur si shqetësim raportin e ILDKPI, ku shumë zyrtarë të lartë kanë fshehur pasurinë, dhe sipas saj, nuk janë referuar në prokurori. Qeveria kërkon nga prokuroria që të rritet numri i të dënuarve për pastrim parash.
“Relatohet se për veprën penale të “refuzimit për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe i nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, e cila është vepër penale që referohet nga ILDKPI, numri i kallëzimeve penale të regjistruara për vitin 2017 është 20, po aq edhe numri i procedimeve penale të regjistruara.
Ndërsa numri i procedimeve të dërguara për gjykim është 13. Pra rezulton se jo të gjitha materialet referuese të dërguara nga ILDKPKI-ja dërgohen për gjykim, nuk relatohet numri i të pandehurve dërguar për gjykim dhe i atyre të organi i prokurorisë ka kërkuar dënimin, ndërkohë që për vitin 2017 është rekomanduar rritje e numrit të çështjeve të dërguara për gjykim dhe rritje e numrit të të pandehurve të dënuar me vendim të formës së prerë”, thuhet në dokument. Më tej është deklaruar se gjatë vitit 2018 pritet të ketë më shumë hetime për politikanët që fshehin pasuritë.