Loading...

Qeveria nis punën për KLGJ, KLP dhe SPAK, gati 178 ekspertë për të hetuar politikanët e veshur me pushtet

Qeveria ka nisur përgatitjet për të ngritur organet e reja të drejtësisë. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj zhvilloi dy ditë më parë një takim konsultativ me përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile si dhe anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Qëllimi i këtij takimi ishte përcaktimi i nevojave në buxhet dhe infrastrukturë për secilin prej organeve.

Ndërkohë, gazeta ka arritur të sigurojë strategjinë e plotë të Ministrisë së Drejtësisë për zbatimin e reformës në drejtësi dhe ngritjen e organeve të reja. Plani i veprimit të qeverisë shtrihet në periudhën kohore 2017-2021 dhe kostoja e përgjithshme për zbatimin e tij, ku përfshihen trajnime dhe blerje pajisjeje, do të jetë rreth 98 milionë euro.

Strategjia ka tetë objektiva strategjike të nivelit të lartë, të cilat janë:

Forcimi i pavarësisë, efikasitetit, efektivitetit dhe llogaridhënies së institucioneve të sistemit të drejtësisë;

Konsolidimi i arsimit ligjor dhe trajnimit, si dhe specializimi i magjistratëve dhe personelit të gjykatave;

Përmirësimi i operimit të sistemit gjyqësor; Rritja e efikasitetit të sistemit gjyqësor penal dhe masave antikorrupsion;

Përmirësimi i funksionimit të sistemit të drejtësisë duke siguruar sisteme moderne elektronike dhe lehtësira për zhvillimin e bashkëpunimit të fuqishëm ndërkombëtar;

Shtimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në sistemin ndëshkimor;

Përmirësimi i funksionimit të Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të saj vartëse;

Përmirësimi i cilësisë së shërbimit të profesioneve ligjore dhe vendosja e një kuadri ligjor për arbitrazhin.

178 ekspertë për të hetuar pushtetarët

Duke bërë një përshkrim të ecurisë së zbatimit të reformës në drejtësi deri më tani dhe krijimit të organeve të reja, tek strategjia ndalet kryesisht theksi tek trajnimi i anëtarëve të SPAK dhe stafit administrativ. Aty thuhet se nga Shkolla e Magjistraturës janë zhvilluar 4 aktivitete trajnuese gjatë vitit 2017. Ajo që bie në sy është se gjatë këtyre aktiviteteve janë certifikuar 178 ekspertë, të cilët janë trajnuar për të hetuar pushtetarët sa i takon korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Më konkretisht, në dy trajnimet e para, të cilat janë zhvilluar në 29-30 qershor dhe 13-14 nëntor, janë certifikuar 77 pjesëmarrës. Temë diskutimi gjatë këtyre aktiviteteve trajnuese kanë qenë “Krimi ekonomik. Hetimi dhe nxjerrja e pasurisë kriminale” si edhe “Korrupsioni i funksionarëve të lartë të drejtësisë dhe të zyrtarëve shtetërore”. Ndërsa gjatë dy aktiviteteve të tjera trajnuese, janë certifikuar 101 persona.

Ata u zhvilluan në 20 nëntor dhe 11-12 dhjetor dhe në fokus të tyre ka qenë tema “Parandalimi dhe goditja e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe veprave të tjera penale” dhe “Veprat penale në fushën e krimit ekonomik dhe korrupsionit”. Këta 178 ekspertë të trajnuar gjatë këtyre 4 aktiviteteve pritet që të jenë personat e parë që do të punësohen kur të ngrihet struktura e SPAK.

Në strategji ceket edhe rritja e pavarësisë së brendshme dhe të jashtme të prokurorëve dhe prokurorisë, ku theksohet se Prokuroria e Përgjithshme ka marrë masa për garantimin e pavarësisë së prokurorëve dhe të mirëfunksionimit të organit të prokurorisë. Është kryer dhe analiza e nevojave për trajnim. Sakaq Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Kuvendin dhe ndërkombëtarët, ka bërë edhe një vlerësim sesa mund të shkaktojë ngritja e organeve të reja të drejtësisë./SOT

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com