Kryeministri Edi Rama mori pjesë ditën e sotme në një interpelancë online me ish-minatorët. Të pranishëm ishin dhe ministrat Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj. Ish-minatorët shtruan kërkesat e tyre për rritjen e pensionit minimal, rritjen e pagës minimale dhe përshkallëzimin e moshës së pensionit.
Kërkesat e ish-minatorëve në interpelancë
•Pagat minimale jo më pak se 200% e pagës minimale zyrtare. Për këto kërkesa për referim kemi kohën e diktaturës. Edhe pse nuk mund të flasim për standartin e jetesës, por në raportin mes profesioneve dhe elementëve të tjera si pagat e pensionet, ne ishim njëlloj si gjithë bota e qytetëruar.
I referohemi vetëm raporteve. Në kërkesat tona ne kemi kërkuar dukshëm më pak se në raportet e asaj kohe. Kemi kërkuar që pensioni minimal të jetë 131% e pagës minimale.
•Element tjetër që duam të diskutojmë është përshkallëzimi i moshës së pensionit, është reale që nëse një minator me 12 vjet nën tokë, dhe 30 vite punë gjithsej, del me 55 vjeç në pension. Ndërsa dikush që ka më pak muaj punë të dalë me 65 vjeç në pension.
•Ne kërkojmë për ata që humbin jetën në minierë, kërkojmë përkujdesje maksimale për familjet e minatorëve që humbin jetën.
Njëri prej ish-minatorëve i ka kërkuar me humor kryeministrit: “Prije pak timonin majtas se po ecën shumë djathtas, ne e dimë që shteti me taksa mbahet por jemi njerëz të sëmurë, me ilaçe”.
Përgjigja e Ramës
“Unë po e nis me kërkesën për taksat se besoj se ka një keqkuptim të madh për taksat, dhe po prek çështjen e ilaçeve. Sot në Shqipëri ka një dallim të madh mes aksesit të medikamenteve të popullatës me çka ishte më parë. Kemi hequr taksën mbi ilaçet, që ishte 10% për çdo ilaç që merrnin njerëzit në nevojë. Kemi përfshirë në listën e ilaçeve që merren falas 600 mijë njerëz që nuk janë pjesë e sistemit të sigurimeve, kemi rritur listën e ilaçeve të rimbursueshme.
Dhe taksën e karburantit që ne e kemi vlerësuar se do ishte më e udhës që të rrisnim aty një taksë që nuk do rëndonte xhepat e shqiptarëve, më mirë se një taksë që do ju bëhej barrë. Ju sfidoj të më tregoni një taksë të vetme që ka rritur qeveria. Nëse njerëzit ishin mësuar mos paguanin drita, ujë, kostot e shërbimeve dhe sot i paguajnë këto nuk janë taksa, këto janë pagesa për shërbime që kanë brenda një mall që paguhet”
Përgjigja e Gjiknurit
“U ra dakord që të përpunohet një draft i përbashkët ku adresohen e dalin në pah elementë kryesorë të kërkesave tuaja. Ne arritëm të ulim moshën e pensionit, ishte gjë e mirë se gjeti mbështetjen e të gjithë grupimeve. Nga ana tjetër ne kemi pritur që të vijë ky draft, jemi akoma në komunikim. Realizimi i pagës minimale të minatorëve besoj se mund të bëhet, nuk është ndonjë problem. Sepse edhe jashtë vendit minatorët kanë filluar të paguhen më mirë. Çdo kryeministër dëshiron të zgjidhë problemet e popullit të tij, sidomos ato në profesione të vështira, por mungon buxheti. Do ngremë grupin e punës të diskutojmë për realizimin e draftit”.