Loading...

Prezantohet autori shqiptar i tetë romaneve në gjuhën suedeze

Në kuadër të shënimit të ditës ndërkombëtare të librit, dje në Pallatin e Literaturës në Gothenburg të Suedisë u mbajt një tubim kulturor, në të cilin u përuruan tetë romane në gjuhën suedeze të krijuesit shqiptar tashmë të afirmuar, Hamit Gurgurit. Këtë event të rëndësishëm për kulturën dhe krijimtarinë shqiptare e organizuan QKSH “ Migjeni” nga Borosi, QKSH“ Mbretëresha Teuta” nga Gothenburgu dhe Shoqata e Shkrimtarëve të Suedisë, dega për rajonin e Lindjes. Këtë manifestim letrar e hapi kryetarja e Shoqatës Rajonale të shkrimtarëve FCV Kristin Bjornadotter, e cila përgëzoj punën e madhe që po bëjnë poet e shkrimtarë shqiptarë në Suedi. Me pas duke folur për krijimtarinë letrare të Hamit Gurgurit, ndër të tjera tha, se falë këtij njeriu në shoqatën e shkrimtarëve suedezë janë anëtarësuar edhe disa krijues shqiptarë.

Shkrimtar me dhunti e me plot përshkrime kënaqësie

Recenzente për librin “ Prins och Sultan” ( Princi e Sulltani) ishte shkrimtarja Ana Matson, e cila veç tjerash tha: “Ngjarja zhvillohet gjatë Betejës në Fushën e Mëllenjave, gjatë fundit të shekullit XIV. Aty u zhvilluan luftime të cilat e ndërruan gjendjen për Kosovë e banorët e saj. Ishte një disfatë që pati pasoja për ardhmëri të Ballkanit, diç që ne shofim gjurmë edhe sot, në këtë kohë.Hamit Gurguri është një shkrimtar me dhunti plot me përshkrime kënaqësie e pasuri për njohuri detalesh. Është lehtë t’i shohësh njerëzit në qendër të romanit para vedit. Përshkrimi i ambientit të kaplon me mbresa dhe duket aq e vërtetë dhe prezente. Para se gjithash unë jam e fascinuar nga aftësia e tij të përshkruaj motin, puhinë dhe natyrën. Një aftësi e tij që, sikur i jep historisë një afërsi të prekshme fizike.Në qendër të historisë janë princat e basti i tyre jetësor. Princ Miroshi I, Miroshi II dhe në fund Miroshi III. Portretet e personalitetet e tyre janë të theksuara në fondin e ambientit dhe të historisë. Megjithatë është fati i Zojës ai që më preku më së shumti, që ishte e fejuara e Princ Miroshit III, e cila u bë murgeshë në manastir. Ajo u turpërua, gjë që përshkruhet me përjetim dhe ndjenjë përjetimi me viktimën.Në tërësi rrjedha për histori të Ballkanit për mua është diç e plasaritur. Duket se autori do të thotë si shumë, po që nuk arrin në tërësi e në qartësi. Ndoshta (sipas meje), do të ishte më efektive për bazën e tregimit nëse shkrimtari do ta zgjidhte një karakter si tregimtar, por në pikëpamje që lexuesi mund ta përcillte. Si për shembull Zojen; ta shifte natyrën, tëra detalet si mjetet e punes, ndërtesat dhe llojet e ushqimeve, p. sh. përmes syrit të saj, duke dhënë reagimet dhe mendimet e saj. Të përcillte ndërrime sundimesh në vend me syrin e saj. Më duket se do të ishte me efektive e me fokus më të fortë për histori.Atë epokë që e përshkruan autori në shumë forma e paralele është edhe në kohën tonë, që e pasqyron historinë bashkëkohore të Kosovës, por nga shumë këndveshtrime, që do të mund ta lente anësh. Pse jo dy tregime paralele, një bashkëkohëse e një të moçme?H. Gurguri ka pushtet mbi gjuhën e metaforat, përpos njohurive të tij të detajuara të historisë dhe përvojës personale. Vetëm na mbetet të presim çka do të na sjellë së shpejti”.

Ndërkaq recenzent i librit ” Bortom frenser” ( Përtej kufijve) ishte Ana Degermani, ” Mormor fron Oslo” ( Gjyshja nga Oslo” Lenart Shëgreni, ” Frihets Vingar” ( Flatrat e lirisë) Tomas Nydahl dhe Gunnar Fyr, ” Kvevd och Tystnad” (Ngulfatje në heshtje) Jan Erik, ” I Sepos Klor” ( Në kthetra të sigurimit) Henrik Mimerson, ” Vex upp prinsessa” ( Rritu princezë) Saranda Iseni dhe për romanin ”Froken i krig” ( Mësuesja në luftë) recenzente ishte Britta Stenberg.

Gurguri ka botuar gjithsej 49 libra të zhanreve të ndryshme në tri gjuhë

Për krijimtarinë e pasur letrare të Hamit Gurgurit folën disa shkrimtarë, poetë e krijues tjerë të pranishëm, mirëpo në mënyrë të veçantë e të detajuar u angazhua Ana Matson. Ajo u shpreh me fjalë miradije për shkrimtarin shqiptar, i cili para lexueve dhe opinionit suedez doli me një vëllim të madh të punës krijuese, përkatësisht me këto tetë romane me tema shumë interesante të shtjelluara.

Ana Matson me tej tha se Hamit Gurguri është edhe një përkthyes i shkëlqyer nga gjuha shqipe në atë suedeze dhe anasjelltas. Deri me tash, tha ajo, Gurguri ka arritur që të përkthejë librat e shkrimtarëve suedez: J. Vasenius, A. Strindberg dhe të V. Muberg. Ajo shprehu me këtë rast edhe një falënderim për të për shkak të përkrahjes dhe përkthimit gjatë vizitës së një grupi të shkrimtarëve suedezë në Shqipëri dhe Maqedoni dhe takimet e tyre letrare që i mbajtën me kolegët shqiptarë.

Nga oratorë të tjerë të këtij manifestimi kulturor u tha se nuk mund të gjendet edhe një shembull tjetër në letrat shqipe që për një periudhë aq të shkurtër të shkruhen aq shumë libra të zhanreve të ndryshme ashtu siç ka vepruar me aq sukses ky krijues shqiptar. Kjo dëshmohet me faktin se Hamit Gurguri deri me tash ka botuar 35 libra në gjuhën shqipe, 11 në atë suedeze dhe tre të tjerë në gjuhët sllave. Ndërkaq, këta tetë romane stolisin raftet e bibliotekave universitare të Stokholmit, Gothenburgut, Uppsales, Lundit, Linshopingut, Umeos, si dhe bibliotekat e shumë qyteteve të këtij shteti skandinav. Shërbimi bibliotekar pritet që këto ditë t’i shpërndaj librat e këtij krijuesi shqiptar edhe në shumë biblioteka tjera anëkënd suedisë.

Falënderim nga Mbrëtëria Norvegjeze

Vëmendje të veçantë gjatë këtij tubimi letrar zgjoi djaloshi nëntë vjeçar nga Oslo, i cili solli falenderimin me shkrim, të vënë në kornizë, të dërguar nga Mbrëtëria Norvegjeze për romanin ” ”Gjyshi nga Oslo”, të shkruar nga Gurguri. Ky gjest simpatik i këtij djaloshi u përcjell me duartrokitje frentike. Po ashtu Hamit Gurgurit iu dha ftesa për ta vizituar kryeqytetin norvegjez Oslon.

Gjatë bisedës që patëm me autorin e këtij vëëlimi kaq të madhe librash mësuam se ai në të vërtetë kishte tre festa: biri i tij Betimi fitoi licencën për pilot, , mbesa e tij kishte ditëlindjen ( 14 vjeçare), ndërsa djali i tij i madh pas tre javësh diplomon në shkollën e lartë në programin ” Organizimi i punës”. Në pyetjen tonë se çfarë planesh ka në të ardhmen në fushën e krijimtarisë, ai duke buzëqeshur na u përgjigjë : kjo varet nga shëndeti, por me duhet të them se ca libra i kam të përfunduar, disa të tjerë të gatshëm e disa në duar të redaktorëve.

Në fund i uruam shëndet të mirë dhe punë të mbarë në pasurimin e sfondit të librave në mërgatën shqiptare./albinfo

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com