Lëvizja Socialiste për Integrim nuk po gjen qetësi, ndonëse po përpiqet të luajë një rol në opozitë.
Strategjia e ndjekur nga Monika Kryemadhi, kryetare e LSI, sidomos thirrja e fundit për mosbindje civile me sa duket ka trazuar fort grupin parlamentar të kësaj partie. Pasi nuk mund të pajtohet një pjesë e grupit të LSI me përpjekjet anti-shtet të Monikës dhe deputetëve-adoleshente që e ndjekin pas, si dhe sulmin ndaj institucioneve prej tyre. Çka ka sjellë një përplasje të fortë brenda grupit parlamentar, sidomos pas mbledhjeve të përbashkëta mes grupeve parlamentare të PD e LSI, për të vepruar kundër ligjeve të shtetit deri në mosbindje civile.
Thirrjet për mosbindje civile nga ish-kryeministri Berisha, të përforcuara nga kryedemokrati Basha dhe kryetarja e LSI Kryemadhi kanë sjellë në fakt një refuzim të gjysmës së deputetëve të LSI që t’i bashkohen kësaj iniciative.
Janë dy deputetë të cilët nuk e honepsin lëvizjen radikale të Berishës, Bashës por dhe Monikës.
I pari nga deputetët e LSI që ka dalë hapur ka qenë Robert Bitri, që përfaqëson qarkun e Fierit për këtë parti.
Përpos faktit që ka marrë pjesë në komisione, Bitri është shprehur kundër vendimit të përbashkët PD dhe LSI për mosbindje civile.
“Lulzim Basha nuk është kryetar i partisë sime dhe nuk jam dakord për mosbindje civile”, ka deklaruar ai.
Por vendimi i PD-LSI duket se është kundërshtuar edhe nga Edmond Haxhinasto, ish ministër i Transporteve në qeverinë e Ramës, si përfaqësues i LSI.
Deputeti i LSI, ndryshe nga deputetët e PD e kolegu i tij i LSI-së, Përparim Spahiu, ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë. Dhe me sa duket ky është vendimi i gjysmës së grupit të LSI, i cili pritet të shkëputet nga Monika dhe të udhëtojnë ose në drejtim të PS ose të qëndrojnë si grup deputetësh të pavarur. Duke e zhytur më tej në krizë LSI-në, mjaft e tgronditur nga largimi masiv i këshilltarëve bashkiakë në të gjithë vendin në drejtim të PS.
Por nuk është vetëm kjo përplasja dhe kundërshtia për një aleancë mes PD dhe LSI.
Edhe në bazën e PD, ka pakënaqësi për koalicionin me LSI, pasi sipas tyre vjedhjet më të mëdha janë shënuar pikërisht nga përfaqësuesit e LSI, dhe nuk mund të bëjnë sot sikur janë abuzime vetëm të PS. Çka nënkupton se ‘aliazhi’ politik mes PD dhe LSI është i papërshtatshëm por dhe i papërtypshëm nga baza e të dy partive respektive.
Duke shkaktuar “erozion” politik si brenda koalicionit ashtu dhe brenda partive politike. Pikërisht një vit para zgjedhjeve vendore.