Përgatitja e bashkive në rrugën e pranimit të Shqipërisë në BE, ka qenë fokusi i konferencën për rolin e bashkive në integrimin e Shqipërisë në BE-së.
Në fjalën e saj, Ambasadorja e BE, Romana Vlahutin tha se “me projektet e sporteleve të BE-së donim që t’u ndihmojmë ju kryetarëve të bashkive dhe qytetarët e bashkive tuaja, që të ishit më të mirë informuar për të gjitha mundësitë që ofron BE në nivelin e pushtetin vendor për të zhvilluar kapacitete përthithëse të cilat do t’ju duhen vërtetë shumë në momentin që Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Europian”, – tha Vlahutin.
Sipas saj, projektet e financuara nga BE, synojnë që të bëjnë një hartëzim të parë në Shqipëri të performancës së bashkive që ka të bëjë me çështjet e BE. “Ju jeni më pranë qytetarëve dhe bashkitë japin kontribute mjaft të rëndësishme në fusha si e shtetit të së drejtës, të drejtat e pronësisë, të drejtat e njeriut, politikat sociale, politikat rurale dhe të zhvillimit, arsimimit”, – tha Vlahutin.
Më tej ajo shtoi se “përmirësimi i performancës vendore do të kërkojë një përpjekje një kombinim përpjekjesh nga ju, qeveria qendrore dhe nga donatorët”.
“Fusha si decentralizimit fiskal, shërbimet publike dhe sociale dhe dhënia e tyre, qeverisja dhe shteti i së drejtës janë thelbësore dhe jam besimplotë që ju do të përfitoni nga panelet e sotme për të diskutuar shqetësimet tuaj por dhe për të hedhur ide për të përmirësuar situatën tuaj”, – tha Vlahutin.
“Bashkitë duhet të përfitojnë nga bizneset që punojnë në territorin e tyre. Unë kam qenë në Mirditë, ku i gjithë rajoni mund të përjetojë një rilindje të biznesit me një shumë prej 25 mln eurosh që mund të investohet në prodhimin e verës. Bashkitë duhet të jenë në gjendje që të mbledhin të ardhurat e tyre dhe t’i investojnë në shërbime të qytetarëve”, – deklaroi diplomatja e BE.
Ndërsa zv/ministrja e Brendshme, Romina Kuko tha në në konferencën për rolin e bashkive në integrimin e Shqipërisë se “Ministria e Brendshme riafirmon rolin e saj kyç përsa i përket mbështetjes dhe monitorimit të procesit të decentralizimit, duke përfituar ndër të tjera edhe nga mbështetja e shumë aktorëve”.
Kuko shtoi se fuqizimi i bashkive nuk është vetëm një sfidë specifike për vendin, siç është rasti i Shqipërisë, por gjithashtu lidhet edhe me rrugën e përbashkët për integrimin europian të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Marrëdhënia midis qeverive vendore dhe BE-së, ndonëse në pamje të parë duket e largët institucionalisht, është një marrëdhënie e afërt dhe e fortë, në sfidat e natyrës juridike dhe ekonomike të rrugës drejt BE-së ndihen në nivel local. Përgatitja e bashkive në rrugën e pranimit të Shqipërisë në BE mbështetet nga vendosmëria dhe vullneti i mirë i qeverisë qendrore dhe aktorëve të tjerë”, – theksoi Kuko.
Ministria e Brendshme është e angazhuar maksimalisht në procesin e decentralizimit dhe në qasjen që duhet të kenë bashkitë drejt rrugës për në anëtarësimin në Bashkimin Europian. /ATSH