Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PD, Lulzim Basha deklaroi se në maj priten shpërthime skandalesh të mëdha.
Lideri i demokratëve u shpreh se gjëma e katër viteve të qeverisjes Rama nuk mund të shkojë më tej pa shpërthyer dhe të gjitha të dhënat janë se kjo do të ndodhë brenda pak javëve.
Çështja “Tahiri” ndërkohë do të vazhdojë të jetë një çështje kryesore në artikulimin politik të opozitës. Sipas demokratëve me ish-ministrin e Brendshëm në Parlament dhe katër kuksianët në burg nuk do të ketë seancë plenare normale të enjten. Grupi i PD do të vazhdojë bojkotin e komisioneve parlamentare, me përjashtim të komisioneve të posaçme si hetimori i drogës dhe ai për reformën zgjedhore.
Ndërkohë punët e partisë nuk do pezullohen. Pas miratimit nga Kuvendi Kombëtar i ndryshimeve statutore Partia Demokratike nis procesin e zgjedhjeve në bazë. Krerët e Seksioneve dhe Grupseksioneve zgjidhen me parimin një anëtar-një vote, ndërsa kryetarët e degëve nga Kuvendet. Udhëzimi për nisjen e procesit del këtë javë.