Loading...

Orikumi nxit interesin e të huajve !Turistët e huaj dhe ekspeditat që vizitojnë Orikumin shprehin gjithnjë e më shumë interes

Gërmimet arkeologjike vazhdojnë të kenë një impakt dhe interes të madh për vizitorët vendas e sidomos për ata të huaj. Këto gërmime tregojnë histori dhe vlera, ndoshta disa dhe të panjohura për historinë e vendit tonë.

Turistët e huaj dhe ekspeditat që vizitojnë këto site arkeologjike shprehin gjithnjë e më shumë interes për to e së shpejti, do të përgatitet një film dokumentar, nga radiotelevizioni zviceran RTS, mbi gërmimet arkeologjike në Parkun Arkeologjik të Orikumit dhe punën tashmë disavjeçare të projektit arkeologjik shqiptaro-zviceran në këtë sit të jashtëzakonshëm.

Ky film dokumentar do të ketë një impakt të rëndësishëm për promovimin e Parkut Arkeologjik të Orikumit dhe pasurive kulturore të zonës, në botën frankofone.

Qyteti antik i Orikumit shtrihet në bregun jugperëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në këmbët e gadishullit të Karaburunit. Qendra arkeologjike ndodhet në një kodër të ulët shkëmbore në fundin e një skele druri që ndan një lagunë të vogël nga gjiri (Pasha-Limani).

Në qytetin e Orikumit, vizitori mund të shohë edhe shumë objekte kulti apo vepra të tjera me vlerë historike e kulturore. Një monument kulture i veçantë është dhe kisha e Marmiroit.

Ajo gjendet në fund të gadishullit të Karaburunit, aty ku ai bashkohet me luginën e Dukatit, është një objekt kulti i vetmuar, i ndërtuar mbi një kodër fare pranë bregut të detit.

Është një kishë bizantine me kupolë, ndërtimi i së cilës datohet diku në shek. XII. Kisha e Marmiroit, siç e quajnë banorët e zonës, ka narteksin si dhe tri hyrje, nga veriu, perëndimi dhe jugu.

Në pjesën lindore të saj gjendet absida e cila merr dritë nga një dritare e vogël. Kishat me kupolë në formë kryqi janë tipike për komplekset manastirore. Dhe në fakt, rrënojat e një oxhaku, një dritareje dhe disa kamare lënë të kuptohet se aty dikur mund të ketë qenë një manastir.

Teatri i gurtë i ndërtuar në shek. I p.e.s me kapacitet 600 spektatorë, mendohet se në kohën e lulëzimit të qytetit përdorej për shfaqje teatrale e ndeshje gladiatorësh. Ekzistenca e këtij teatri mbart jo vetëm vlera historike dhe arkeologjike, por edhe kulturore.

Teatri i Orikumit është monumenti kryesor i zbuluar në kodrën e Paleokastrës. Aty bien në sy shkallët antike të gdhendura në shkëmb që të çojnë në Akropol. Nën ujë gjendet një strukturë guri 1,80 m e gjerë, çka konsiderohet si bankina për ankorimin e anijeve antike. Për të shkuar në parkun arkeologjik të Orikumit ndiqet rruga që të çon për në bazën ushtarake detare të Pashalimanit.

Në qoftë se do të vizitojmë Orikumin e sotëm që në antikitet njihej si Oriku, jo vetëm do të gjejmë një natyrë të bukur dhe shlodhëse, por mund të njihemi edhe me historinë e këtij vendi dhe veprat monumentale të tij. Këtu mund të zhvillojmë jo vetëm një turizëm natyror me det e me plazhe të bukura, por edhe një turizëm kulturor të pasur./Atsh

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/1275610719239897/?t=0

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com