Loading...

“Një plakë qyqe nuk i prish punë partisë”/ Letra e Liri Belishovës për Enver Hoxhen

Gruaja që hyri në historinë shqiptare si protagoniste e një ideologjie idealiste siç ishte në thelb komunizmi, por që udhëheqësit e kthyen në një nga diktaturat më çnjerëzore, do të luftonte për të drejtat e saj. Ajo s’do e humbte kurrë kurajon civile dhe mendimet e saj do t’i shprehte në një letër që do i shkruante Enver Hoxhës në vitin 1983. Ja ç’thotë letra e saj…

LETRA E BELISHOVES

Sh. Enver Hoxha,

Sekretar i KQ të PPSH

Tiranë

Ju drejtohem juve si udhëheqësit të Partisë e të popullit dhe si njeriut që e njeh mirë jetën time. Më 30 dhjetor dhe 12 janar, më ka thirrur zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe më ka akuzuar si pjesëmarrëse e komploteve armiqësore për përmbysjen tuaj, të partisë, të pushtetit.

Më ka thënë se i ka të gjitha provat e dokumentet dhe se tani varet nga unë që të reflektoj dhe të tregoj këtë veprimtari armiqësore e të më lënë në shtëpi, apo ndryshe të më fusin në burg e dënojnë e të marr në qafë edhe djalin e gjithë të afërmit. Më kanë bërë dhe shumë pyetje që shihen në këtë prizëm. Kjo akuzë është e padrejtë dhe fakte që ta provojnë s’ka, gjersa unë s’kam bërë asgjë të tillë.

Ju e dini mirë çështjen time, megjithatë ju them me përgjegjësi të plotë se kurrë nuk kam bërë asnjë veprim, bisedim etj. kundër jush, partisë, pushtetit. Njeriu nuk mund të mos e dijë ç’është dhe ç’ka bërë. Me jugosllavët, me Koçi Xoxen etj., kurrë nuk kam bërë asnjë bisedë kundër jush e partisë. Përkundrazi, me sa kam pasur mundësi, i kam luftuar duke u përpjekur me jugosllavët që në pranverën e 1945-s, duke luftuar kundër sabotimeve në hekurudhë etj.

Ju e dini ç’fatkeqësi e vuajtje ka pësuar familja ime dhe unë nga jugosllavët dhe Koçi Xoxe. Nuk i kam fshehur partisë asgjë dhe për Nakon. Nuk di gjë për bisedat e Nakos me jugosllavët kundër partisë dhe jush, as për dhënie dokumentesh nga Nako. Në Berat unë kam qenë pak ditë, në plenum nuk mora pjesë dhe për konkluzionet e këtij dhe kritikat e Nakos nuk kam qenë në gjendje të thellohem, për shkak të moshës etj.

Por, me përgjegjësi të plotë ju them se Nako, i cili bënte shumë kritika për Koçin, Sejfullanë, Liri Gegën etj., nuk më ka thënë gjë të keqe për ju dhe unë nuk kam kuptuar gjë që ai t’ju ketë urryer dhe të ketë dashur t’ju përmbysë. Me M. Shehun, Fiqretin, Kadrinë etj. nuk kam bërë ndonjë bisedë armiqësore kundër jush apo partisë.

Ju e dini si më ka luftuar mua Mehmeti. Nuk kam qenë agjente e sovjetikëve, as para, as pas vdekjes së Stalinit dhe s’kam bërë asnjë bisedë me ta që t’ua kem raportuar juve. Të gjitha ato që ngjanë në verën e vitit 1960 janë vetëm ashtu siç jua kam raportuar juve, Byrosë, plenumit, s’kam fshehur asgjë. Atëherë çështja ime u shqyrtua nga partia, gabimet e gjynahet m’u vunë në kurriz, u dënova nga partia me përjashtim dhe nga shteti me internim.

Pas dënimit, kam qëndruar ashtu si thashë atëherë, edhe sikur mishin të ma qethin me gërshërë, unë s’e ngre dorën kundër partisë. Që kur u dënova, unë i vura pikë jetës sime politike dhe kam jetuar e internuar dhe e izoluar, me hallet e mia. Vargu i pambarimtë i fatkeqësive, puna për mbajtjen e familjes, s’më linte kohë as të ngopesha me gjumë dhe sidomos fatkeqësia e fundit e tmerrshme, vdekja e vajzës, më kanë plakur dhe më kanë shkatërruar fizikisht dhe shpirtërisht.

Pse s’më lënë në hallet e mia si nënëzezë që jam? Mos jam unë ndonjë rrezik për partinë, mos po bëj ndonjë gjë kundër partisë, mos po i vjen ndonjë dëm partisë nga unë? Ju e dini sa ju kam dashur, jo vetëm unë, por gjithë familja ime. Kur i tha Maqo nënës sime për dënimin tim, ajo u rrëzua duke i thënë:

“Po Enveri, si është?”, pastaj pyeti për mua. Ju e dini se unë që fëmijë u lidha me komunizmin dhe partinë dhe luftova e punova pa u kursyer. Nëse nuk kam bërë më shumë, kjo ka ardhur jo se jam shmangur, por se aq kanë qenë forcat e mia fizike e mendore.

S’ka njeri që ta njohë jetën time sa ju, që ta dijë sa ju kam dashur juve dhe partinë. Prandaj, ju lutem sh. Enver, të ndërhyni të mos më bëjnë akuza të tilla të padrejta. Ju vetë keni thënë se duhen ndarë çështjet që kanë të bëjnë me partinë nga ato që duhen proceduar penalisht, se çdo gjë ka një masë. Këto 22 vjet qëkurse jam dënuar, përse duhet të dënohem përsëri.

Mos i vjen ndonjë e keqe shtetit nga një nënë plakë fatzezë, mbetur si qyqe në shtëpi?! Dënimi im pa të drejtë do të kishte konsekuenca të rënda edhe për djalin, nënën dhe gjithë të afërmit e tyre.

Me respekt Liri Belishova 5-1-1983

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com