Loading...

Nis vettingu në polici, 11 mijë punonjës në sitë. Julian Hoda: Ja kush do të largohet

Vetting-u në polici ka nisur zyrtarisht. 11 mijë efektivët duhet të dorëzojnë formularët e vetëdeklarimit brenda afatit 30-ditor, teksa pritet të ngrihet dhe Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit.

Zv/Ministri i Punëve të Brendshme, Julian Hodaj gjatë një interviste për ATSH u shpreh se, “më datë 5 prill ka hyrë në fuqi zyrtarisht Ligji “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, apo siç njihet gjerësisht Vetting-u në Polici, ku do marrin pjesë 11 000 punonjësit e Policisë së Shtetit… etj.

“Ky ligj parashikon që tashmë të ngrihet dhe Komisioni i Vlerësimit, ndërsa për t’i ardhur në ndihmë punonjësve të policisë për të plotësuar dhe të jenë sa më të qartë për plotësimin e formularit të vetëdeklarimit janë ngritur grupe pune në të gjitha drejtoritë e policisë në vend, pasi formulari do të plotësohet nga të gjithë punonjësit e policisë pa përjashtim dhe të gjithë duhet të jenë të qartë mbi atë që duhet të deklarojnë. Fillimisht do të bëjnë vetëdeklarimin 300 punonjësit e policisë të gradës së lartë, për të vijuar më pas me nivelet më të ulëta sipas formulës së parashikuar. Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit pritet që nga fillimi i majit, kur të mbyllet procesi i vetëdeklarimit për të vlerësuar figurën e punonjësve të policisë, duke larguar nga radhët e policisë ata që do të rezultojnë me problematika”, tha Hodaj.

“Procesi i vlerësimit në Policinë e Shtetit, SHÇBA dhe Gardën e Republikës, synon të mbështesë pjesën e shëndetshme në radhët e këtyre institucioneve duke larguar pjesën e infektuar dhe që ka probleme me ligjin, duke synuar hedhjen e bazave për të ndërtuar policinë e së ardhmes”, tha Hodaj.

“Procesi mbështet në tre kritere, tek pastërtia e figurës, tek pasuria dhe tek aftësitë profesionale. Ideja është që në vlerësim do të kalojnë të gjithë punonjësit duke nisur nga titullari, deri tek punonjësi më i thjeshtë”, tha Hodaj.

“Sistemi i gradave i ndan këta punonjës në tre kategori, grada e lartë ku bëhet fjalë për 300 punonjës, e mesme që e kanë 3 mijë punonjës dhe e ulët ku futen rreth 9 mijë punonjës. Do vlerësohen fillimisht gradat e larta, pra drejtuesit e lartë. Për vlerësimin e gradave të larta, do përdoret një komision që në ligj quhet Komisioni i Jashtëm, që janë anëtarë nga jashtë sistemit të Policisë së Shtetit. Konkretisht 5 anëtarë vijnë nga ILDKPI, 5 anëtarë nga radhët e pedagogëve, dhe 5 anëtarë përzgjidhen me konkurrim anëtarësh. Në fazë të dytë është Komisioni Qendror i Vlerësimit që do të ketë 45 anëtarë, 30 nga të cilët do të shtohen nga radhët e policisë që e kanë kaluar Vetting-un në fazën e parë. Në fazën e fundit komisioni i vlerësimit do të ketë 135 anëtarë, që do të shtohen nga radhët e Policisë që kaluan me sukses fazën e dytë”, deklaroi Hodaj.

“Dhe më pas këto komisione pushojnë së funksionuari dhe SHÇBA vijon kontrollet periodike çdo tre vite”, theksoi Hodaj.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com