Ishin rrebelë, të pabindur, ëndërrimtarë. Ishin po aq të vrullshëm sa janë të gjithë gjimnazistët. Guximtarë deri në atë pikë sa të përballeshin me çdo sistem që kufizon lirinë. Ishin gjimnazistët dhe adoleshentët shqiptarë, të cilët nuk e pranuan që në orët e para të keqen e madhe që po zaptonte vendin, fill pas çlirimit në vitin 1944.
Shumë prej tyre vinin prej familjeve me përkatësi të ndryshme politike, por që të gjithë shpresonin për të ndërtuar një të ardhme ndryshe nga propoganda e regjimit të sapovendosur. Edhe pse vetëm 15 apo 16 vjeç, shumë gjimnazistë shqiptarë gjetën mënyrën të kontribuonin individualisht ose të organizoheshin në grupe të vogla, për të kundërshtuar izolimin e Shqipërisë nga pjesa tjetër e botës.
Janë të njohur grupet e të rinjve gjimnazistë që u formuan në Vlorë, Shkodër, Tiranë e qytete të tjera për kundërshtimin e hapur ndaj regjimit dhe përhapjen e informacioneve ndërgjegjësuese në qytetet e tyre rreth pasojave që do të sillte regjimi i egër, për qëndresën e tyre guximtare në hetuesi e në sallën e gjyqit.
Nga viti 1946 deri në vitin 1950, në qytetin e Vlorës u krijuan dhjetra grupe gjimnazistësh: fillimisht u krijua grupi i Engjëll Kokoshit, ku bënte pjesë Burim Kokoshi, Klito Lamaj e të tjerë, më pas grupi që drejtohej nga Zija Hoxha, ku bënin pjesë edhe Agim Bino, Veli Premti, Myrteza Baboçi. Ky i fundit ishte pjesëtar edhe në grupin që u krijua më vonë nga Reshat Kripa, e Jorgo Besho. Po ashtu tre 17 vjeçarët Lavdosh Beqo, Aladin Alemi dhe Besnik Kripa kishin krijuar një grup tjetër.
“Gjatë kohës që na arrestuan dhe dënuan na quajtën Grupi i gjimazit Ali Demi. Grupin e krijuam një vit përpara se të arrestoheshim, aty nga viti 1949, në rrjedhën e atyre ngjarjeve që ndodhën në Shqipëri atë vit, siç ishin provokacionet greke, apo hedhjet e bandave të diversantëve. Kështu ne krijuam një aktivitet tonin, duke shpërndarë trakte. Dhe nga data 4 ose 5 Maj, u zbuluam, u arrestuam, e më pas u dënuam“, tregon Lavdosh Beqo.
Në vitin 1957, në Liceun e Shkodrës tre të rinjtë Ndrek Bazhdari, Nikolin Pavaci dhe Karlo Çefa krijuan gjithashtu një grup antikomunist. “Ne krijuam një grup me qëllimi propogandimin e ideve të Revolucionit Hungarez dhe përhapjen e tyre sa më gjërë. Baza e aktivitetit tonë, ishin traktet; ne arritëm të përpilonim vetë trakte”, tregon Bdrek Bazhdari.
Ndërsa një vit më vonë 17 vjeçarët shkodranë Mark Alija, Javer Hoti, Rustem Berisha etj u kapën në tentativë për t’u arratisur. “Ishim 17 vjeç. U nisëm. Na kapën në Koplik të Shkodrës. Na arrestuan. Ishim të denoncuar që para se të niseshim, kuptohet. Na çuan në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës”, tregon Mark Alija.
Të gjitha këto grupe, u krijuan në bankat e shkollave vetëm nga dëshira për të qenë të lirë, vetëm nga kundërshtia që kishin për sistemin.
“Traktet e përpiluara prej nesh, i hodhëm në Tiranë dhe në Shkodër. Mesazhi i trakteve ishte pak a shumë i tillë: rinia dhe klasa punëtore shqiptare, duhej të solidarizoheshin me idetë e Revolucionit Hungarez dhe se ka ardhur koha që Stalinizmit t’i japim grushtin e fundit. Ata u befasuan: “Si ka mundësi, që këta të rinj, të na dalin me këtë frymë?” Por, pjekuria jonë nuk ishte një produkt i rastësishëm, por i një lloj formimi të vazhdueshëm që e kishim marrë që herët; nuk duhet harruar se në Shkodër, persekutimi komunist ka qenë shumë i ashpër, me arrestime e pushkatime të përditshme e shpeshherë në prezencën e publikut”, tregon Ndrek Bazhdari.
Disa prej tyre i përndiqte edhe urrejtja që regjimi kishte për prindërit apo të afërmit dhe u shpallën armiq vetëm nga prejardhja.
“Isha shumë i dhënë për letërsi; çfarë ishte e botuar në shqip, e kisha të lexuar. Libra, revista, fletore zyrtare, githçka që gjeje në Shqipëri. Kishim rreth 5 kuintalë libra; këtë na la babai; asgjë tjetër. Edhe si përfundim, më pranuan në Teknikumin Financiar. Isha 15 vjeç, nuk e llogarita se çfarë pasoje mund të kishte! Më panë konviktorët, militantët që vinin me revole dhe u shtrua çështja: “Nuk e paska lënë shkollën ky?!” i propozuan shkollës përjashtimin tim. Kur të përjashtonin nga shkolla, të gjithë nxënësit viheshin në rresht nga të dyja anët, e të pështynin. Kjo ishte Organizata e Rinisë”, tregon Musa Maçi.
Pavarësisht ndonjë fjale të hedhur pa kujdes, apo ndonjë teke djaloshare, anëtarët e grupeve dhe adoleshentët “ndryshe” u bënë shënjestrat e organizatave të rinisë dhe hetuesve të sigurimit.
“Disa shokë të mitë, i patën rrahur dhe i përjshtuan nga shkollat. Rrahjet ishin të organizuara nga organizatat e rinisë: militantët viheshin në rresht në dy anët, dhe i detyronin këta të kalonin në mes dhe më pas i rrihnin. Liceu ishte me konkurs. U paraqita herën e parë dhe ishte një drejtor atje që më tha: “Ku shkon ti?! Si guxon me ardh këtu?“ dhe më përjashtoi me dy këmbët e para. Kjo ndodhi në vitin 1947”, tregon Lekë Pervizi.
Mjaftonte një vizatim ndryshe, një hartim i shkruar me frymëzim, një këngë e kënduar në rrugicat e errëta, një libër që regjimi e kishte futur në listën e përmbajtjeve të rrezikshme, një shenjë që nuk i ngjante nderimit me grusht, një mendim që ishte ndryshe nga dogmat komuniste… dhe gjimnazistët bëheshin pre e spiunëve që kërkonin të realizonin normën e zbulimit të “armiqve të popullit”.
Shpesh ata u bënë viktima të mirëbesimit pikërisht tek shokët apo shoqet e klasës, që ndonjëherë me devotshmëri e ndonjëherë me presionin e hetuesve dëshmuan për ta edhe gënjeshtra e histori të pandodhura kurrë.
“Brenda në gjimnaz, ata të Sigurimit, organizuan një rrjet personash që kishin një lloj “ceni“ le të themi, si psh. një të kaluar kulake, ose të burgosur në farefis. Pra, e bënë nëpërmjet nxënësve kryesisht, që duhej të vëzhgonin, qoftë edhe me pasqyra, se kush mbetej i fundit në shkollë. Dhe, për fat të keq, siç e mora vesh prej një shoku më vonë, njëri prej informatorëve kishte qenë një nga shoqet tona, e cila më vonë, edhe pa e mbaruar shkollën, u bë sekretare në komitetin e partisë. Me sa kuptohet ajo survejoi dhe zbuloi shokun që i shpërndante traktet, i cili ishte njëkohësisht edhe drejtues i grupit. E arrestuan natën; kishin hapur një gropë, u vunë përpara gropës dhe e kërcënonin se do ta vrisnin” tregon Lavdosh Beqo.
Regjimi i egër që po instalohej me shpejtësi nëpërmjet skenarëve kriminalë të persekutimit barbar të kundërshtarëve të politikë, nuk i kurseu gjimnazistët antikomunistë. Ata nuk do të uleshin më kurrë në bankat e shkollës, nuk do të recitonin më kurrë poezitë e tyre kushtuar lirisë e dashurisë, nuk do të ktheheshin më kurrë në shtëpitë e tyre. Ende pa e filluar mirë jetën, pa provuar çastet e ëmbla të moshës, pa u ndarë nga prindërit e tyre, gjimnazistët antikomunistë u detyruan të shkëmbjenë klasat e shkollës me qelitë e burgut, mësuesit e dashur me hetuesit e pashpirt, familjen me xhelatët e torturave.
Burgu i Spaçit
“Aty (në burgun e Spaçit) pamë një djalë nga Mirdita, që nuk ishte më shumë se 17 vjeç, i cili po dridhej se ishte sëmurë. Pal quhej. Erdhi toger Ademi dhe iu drejtua me barbarizëm: “Pse nuk e realizove normën?” “Isha sëmurë, zoti toger!” iu përgjigj Pali. Ai e kapi zvarrë, e hoqi që aty, e futi në një vend izolimi, e urdhëroi që mos t’i çohej fare as ushqim. Një shoku i tij, mori atë racionin e ushqimit, gjeti një rast dhe vajti e ia çoi Palit në birucë. Kur po hante, erdhi toger Ademi dhe e zuri me bukë në dorë. E pyeti se kush ia kishte dhënë, dhe Pali nuk tregoi. Atëherë ai urdhëroi që ta lidhnin në një shtyllë telefoni. Që nga ai çast, e deri natën vonë, nuk pushuan rënkimet e tij. Ne e dëgjonim mirë se ishte afër kapanonit tonë. Më në fund, nuk u dëgjua më. Kur u ngritëm në mëngjes, e gjetëm të vdekur në shtyllë. Kishte ngrirë i gjithi nga të ftohtit, me urdhër të toger Ademit. Vonë, në vitin 1998 e takova rastësisht toger Ademin në Tiranë. Filloi të justifikohej se gjoja ashtu ishte sistemi, ashtu ishte koha, dhe nuk ishte faji i tij. Mua m’u ngritën nervat, sepse më dilnin parasysh pikërisht këto skena. Kur erdha në vete nga tronditja, toger Ademi ishte zhdukur, kishte ikur. Dhe në kohën kur unë e takova, ky njeri, për çudi, punonte akoma në Ministri të Brendshme, si drejtor Drejtorie”, tregon Reshat Kripa.
Në foto: Reshat Kripa
Pa asnjë arsyetim të mbështetur në ligj apo moral, edhe pse ishin nën 18 vjeç, qindra gjimnazistë dhe adoleshentë u dënuan me dënime të ashpra me dhjetëra vjet burg pas proceseve të turpshme gjyqësore.
“Akuza kundër nesh ishte shumë e rëndë, që gjoja ne si grup, kishim pasur ndërmend të vazhdonim aktivitetin armiqësor, do të dilnim jashtë shtetit dhe do të shkonim të specializoheshim në shkollat imperialiste, për t’u përgatitur për të hyrë sërish në Shqipëri për të vrarë udhëheqësin. Më kujtohet, kur po përgatiteshim të dilnim në gjyq, avokati më thotë: “Shiko, ti je më i vogli. Merri përsipër ti dhe bindi që je kryesori në këtë grup. Nëse e bën këtë, ti mund të shpëtosh jetën e shokëve, për arsye se ti je nën moshë.” Përndryshe ata do të pushkatoheshin se ishte viti 1957, dhe nuk e kishin problem të të zhduknin. Kështu që, në mënyrën time i mora unë përsipër, siç më këshilloi avokati. Dhe si përfundim, na dhanë dënimet maksimale për moshën që kishim, “gjysëm-dënimet”. Mua më dënuan me 14 vjet burg. Po të ishte i plotë, mua më pushkatonin, se 25 vjet ishte maksimumi në atë kohë; mbi 25 vjet, ishte pushkatim. Nikos i dhanë dënimin 16 vjet burg, e Karlos 12 vjet burg”, tregon Ndrek Bazhdari.
“Na dënuan në Gjykatën Ushtarake. Motivimi: arratisje jashtë shtetit, agjitacion e propagandë kundër pushtetit, fajtorë për krijimin e një organizate për të rrëzuar pushtetin popullor. Gjyqi u bë me dyer të mbyllura. Dhe argumenti i avokatit ishte: “Shokë gjyqtarë! A e shihni që në bankën e të akuzuarve keni tre fëmijë. Unë ju kërkoj që të mos aplikohet neni 64 i Kodit Penal për arratisje, por për shkelje të kufirit pa pasaportë, pasi këta janë fëmijë e nuk e dinë se ç’është arratisja.” U ngrit Faik Minarolli dhe tha: “Shokë gjyqtarë! Duhen hedhur kategorisht poshtë pretendimet e avokatit, sepse ky nuk ka qenë një grup i parrezikshëm siç pretendon avokati, por është një grup që në hetuesi ka deponuar se do të arratisej në Jugosllavi dhe prej andej, kuptohet, në Amerikë, ku do të lidheshin me CIA-n amerikane dhe në bashkëpunim me të do të vinin të përmbysnin pushtetin popullor”, tregon Mark Alija.
Por, edhe kur e kuptuan se për ta nuk do të vinte kurrë mosha e rinisë, dashuria, profesioni dhe familja që kishin ëndërruar, nuk ndryshuan mendim dhe i qëndruan betimit deri në fund, pavarësisht kostos që paguan.
“Në hetuesi, na merrnin nga ora 1 apo 2 të natës, atëherë kur ishim të rraskapitur. Aty, në atë birucë, në atë varr, më kanë mbajtur tre muaj e gjysëm. Bile, shpeshherë kur ishte koha që na sillnin një lugë supë apo një lugë çaj (që ndodhte dy herë në ditë), kur hapej dera e hynte një fije drite aty brënda, kur drita levizte, në muret e qelisë dalloje të shkruara me gjak: “Amanet familjen”, “Amanet fëmijët”, “Nesër pushkatohem”. Pas nja tre muajsh e gjysëm, afërsisht katër, na nxjorrën nga biruca. Kishte ardhur një nga ato makinat e zakonshme të Degës e po priste. Më nxorrën mua të lidhur, e më hipën. Nxjerrin dhe një tjetër dhe e lidhin aty. Tani po prisnim se ku po na çonin. Unë përfitova prej rastit kur dy oficerët që na shoqëroni po bënim muhabet dhe e pyeta të burgosurin tjetër: “Prej nga je ti?” Më thotë: “Jam prej Shkodre. Po ti?” “Edhe unë prej Shkodre jam”- i them. Kur e pyeta për emrin, ai më tha: “Karlo Çefa, po ti?” Unë i thashë se jam Ndrek Bazhdari. Përfytyroje: nuk njohëm dot njëri- tjetrin! Sepse ishim zbardhur komplet dhe sytë nuk punonin pas katër muajsh në errësirë të plotë”, tregon Ndrek Bazhdari.
Shumë prejt tyre u gjymtuan përjetë prej torturave, humbën jetën në kushte mizore në punë të rënda, u ndanë përgjithmonë nga të afërmit e dashur, u përbuzën e u turpëruan mes turmave të ushqyera me urrejtje, ose edhe kur ia dolën të kalonin kalvarin e gjatë të persekutimeve nuk arritën kurrë të krijojnë familjen e tyre.
“Oficeri, menjëherë hapi derën, hyri brenda dhe u afrua për të më zgjidhur telin, por, jo për të më hequr hekurat. Mirëpo, nuk mund ta kuptoni, asnjë njeri nuk mund ta kuptojë, se ç’do të thotë të heqësh telin, nga duart e fryra. Është njëlloj si të të shpojnë beben e syrit. Pastaj ai vajti të merrte kandilin e vajit, kandilin që përdorej gjatë natës kur fikeshin dritat, dhe duke i hedhur nga pak vaj prej kandilit mbi vendin e enjtur, e duke lëvizur me kujdes telin, më në fund, arriti ta hiqte. Fati im, që kur shkuli telin, plasi gjaku. Dhe fati im që qëlloi ai tjetri në birucë që thirri rojen, sepse përndryshe, do të kisha vdekur”, tregon Lavdosh Beqo.
Por nënat e tyre nuk u dorëzuan kurrë. Në kushte të vështira dhe nën persekutim të vazhdueshëm ato i ndoqën rrugë e pa rrugë, ju dhanë bukë e kurajë, i mbajtën gjallë me dashuri e përkujdesje aq sa mundeshin, përmes hekurave. Nuk ishte e lehtë të ishe nëna e një 15 vjeçari të dënuar përjetësisht. Nuk ishte e lehtë të kishe të gjithë djemtë dhe bashkëshortin nëpër burgje e kampe pune.
“Tamam në këtë periudhë, më erdhi nëna se ajo nuk e dinte si ishte puna, dhe po priste për takim. Doli oficeri i rojes e i tha që isha i dënuar, dhe nuk mund të më takonte. Nëna i tha: “Merrni ushqimet të paktën!” Dhe ai nuk pranoi as ushqimet. Në atë kohë, të vije deri në Bulqizë, donte dy ditë. Plus që ajo kishte shkuar edhe në Tiranë se në kohën që unë isha në Bulqizë, Besniku ishte në kampin e Rinasit. Nga ana tjetër vajtja te Besniku kishte qenë një tjetër aventurë për të: kur po kthehej nga Besniku, në Tiranë e zuri nata rrugës. Ajo do të shkonte te motra, Drita. Në atë orë makina nuk kishte në lëvizje, dhe kish mbet në mes të rrugës. Pati parë një grua që po kalonte bashkë me të birin dhe me një lopë. Kur e pa ashtu vetëm, ajo i qè drejtuar nënës: “Nga të kemi?” i tregoi nëna e gjorë se kishte qenë të vizitonte të birin në burg dhe nuk po gjente një mënyrë të kthehej. Gruaja atëherë i kish thënë: “Hajde nga ne sonte!” Atë natë, nëna pat fjetur atje, pastaj të nesërmen qe nisur për në Bulqizë. Kur i thanë që nuk mund të më takonte iku. Rrugës kishte pas takuar një nënë tjetër me një djalë të vogël për dore. Nëna e kishte pas pyetur: “Ku po shkon?” “Në kamp. Jam me djalin e djalit, se babai i tij është brenda.” i qe përgjigjur gruaja. Nëna, kur kishte parë që gruaja nuk kishte patur asgjë në dorë, i pat dhënë ushqimet që kishte sjellë me vete për mua: “Merri këto e jepja djalit tënd!”, tregon Reshat Kripa.