Deputetja demokrate e Vlorës Nada Meçorapaj është një nga deputetët e opozitës të proceduar për protestën e së enjtes në të gjithë vendin.
Në një reagim në “Facebook”, deputetja e PD shkruan se procedimi për të dhe kolegët e saj tregon se janë në anën e duhur të historisë. Sipas saj, kryeministri Edi Rama heshti për deputetët me të shkuar kriminale dhe 3 kryebashkiakët e akuzuar për korrupsion por për deputetët që përkrahin popullin i duhen 3 ditë për t’i proceduar.
STATUSI I DEPUTETES SË PD
Ne jemi lista e De-kriminalizimit, jo e Kriminalizimit
Edi Rama ndenji duarkryq dhe gojëmbyllur për pesë vjet dhe nuk tha as edhe një fjalë për deputetët e tij me të shkuar kriminale. Siç heshti si ‘fija e barit’ për të paktën 3 kryebashkiakë të përgjuar, të dyshuar dhe të akuzuar publikisht për përfshirje në afera korruptive dhe kriminale. Fatmir Xhafaj dhe Arta Marku i kanë dosjet, por edhe ata heshtin si shefi i tyre.
Kur vjen puna te përfaqësuesit e opozitës, që dolën në manifestime në përkrahje të popullit dhe taksimit të padrejtë të tij, Ramës, Xhafës dhe Markut iu deshën 3 ditë për të proceduar 4 kryebashkiakë dhe 20 deputetë.
Në atë listë jam edhe unë si deputete e opozitës në Vlorë. Kjo tregon se unë dhe kolegët e mi jemi në anën e duhur të historisë. Do të parapëlqeja gjithmonë të isha në listat që harton Rama për të dënuar, dhe jo në ato që bën për të promovuar.