Një 23-vjeçar është plagosur me armë zjarri në oborin e shtëpisë së tij, teksa autori është vënë në pranga menjëherë. Sipas policisë së Dibrës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20.00 në fshatin Nezhaj, ku i plagosur rëndë ka mbetur E.Ç, 23-vjeç, i cili është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë. Policia e Dibrës me të marrë njoftimin, ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ku ka vënë menjëherë në pranga si autor të dyshuar të ngjarjes, Rr. K., 25-vjeç.
“Në këtë ngjarje dyshohet se janë përfshirë dhe vëllezërit e shtetasit Rr.K, shtetasit K.K. 35 vjeç, A.K, 27 vjeç, ku po krihet zona për kapjen e tyre. Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti ka ndodhur për motive të dobëta”, thuhet në njoftimin e policisë së Dibrës.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur për motive banale, pasi delet e 23-vjeçarit kanë hyrë në tokën e vëllezërve dhe debati ka degjenuar në konflikt me armë. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 gëzhoja dhe 1 plumb i pa plasur.
Disa metra larg vendit të ngjarjes është gjetur arma e zjarrit tip automatik, që dyshohet se është përdorur nga autorët. Vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.