Mëngjesesh, poeti
për zakon të vjetër
dilte poshtë qytetit
përshëndeste jetën.
Karrigen në klub
askush nuk e zinte
e dinte ustai
që ai do vinte.
Dhe hynte ngadalë
ashtu pa dëgjuar
me gjirin të valë
me fjalën të shtruar.
Dhe merrte poeti
një gotë rakie
herë me para
herë veresie.
Një politikan
qeshte ndënë mustaqe
si putanë rrugësh
i kuqonin faqet.
Dhe bënte gallatë
pinte pa para
lëre-thoshë poetin
se aq mëndje ka.
2.
Kot nuk tha i pari
që një burrë vlen
aq sa i ka xhepi
okë e derhem.
Pa më shihni mua
për një fjalë që them
i këput milionat
dhe pse jam legen.
Shih si rri poeti
i vetëm kërcu
shih sa kamë unë rrotull
dhe sa s’janë ketu.
Lëre, mor i shkretë
lëre poezinë
shtirje atë dorë
dhe kërko mëshirë.
Poeti shtërngonte
pallton rrakëzirë
nga inati gishti
hapi dhe një birrë.
Përtypte cigarin
e brente me dhëmbë
brenda gjirit tij
dallga vjen e rëndë.
3.
Brenda gjirit tij
gatuhej epoka
nuk gjykonte xhepi
po gjykonte koka.
Dhe qeshi njëherë
siç qeshin poetët
Sill – i tha ustait
dhe një gotë tjetër.
Pije – tha ustai
një gotë nga unë
pa politikanët
një qumësht, dy ujë.
Se politikani
vetë të mos vijë
kurse bima jote
rrënjoset të mbijë.
Rrënjoset të mbijë
dhe ngulet te rrapi
dimrit-suferinë
verës-mjaltë, mjalti.
Poeti nuk foli
s’kish gjë për të thënë
kaptoi një gotë
dhe gdhendi një këngë.
Teksti. Zaho Balili
Libri. Lot kurbeti