Prokuroria e Durrësit, në muajin shkurt, ka nisur hetimet për mënyrën se si u ekstradua në Itali, shtetasi Nazer Seitaj.
Rasti është cilësuar si i paprecedentë në drejtësinë shqiptare, pasi një dyshuar për trafik ndërkombëtar droge në rrethin e një grupi të strukturuar kriminal, ekstradohet drejt një shteti tjetër pa u hetuar më parë nga organi i akuzës në Shqipëri.
Në një njoftim për media Prokuroria e Përgjithshme deklaroi, se Prokuroria e Krimeve të Rënda që hetonte çështjen nuk kishte asnjë komunikim me Prokurorinë e Tiranës dhe as me Prokurorinë e Përgjithshme.
“Ndaj, kërkesa për ekstradim ka shkuar në Gjykatën e Tiranës.
Kjo prokurori i ka dërguar informacion vetëm Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Vetëm ky institucion ishte ligjërisht i informuar se mbi Seitajn kishte një masë sigurie arrest me burg për llogari të drejtësisë shqiptare”, thuhet në deklaratën për media të Prokurorisë së Përgjithshme,
Pas këtij kaosi institucional, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për prokurorët të cilët kanë përfaqësuar akuzën në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër të arrestuarit Nezar Seitaj.
Bëhet fjalë për dy prokurorët e Krimeve të Rënda Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, të cilët sipas verifikimeve që kreu Drejtoria e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka rezultuar, se nuk kanë njoftuar Prokurorinë e Përgjithshme, por edhe nuk kanë pasur një komunikim me prokurorinë e Tiranës, e cila kishte në shqyrtim çështjen për ekstradimin në Itali të Nezar Seitit.
Ndërkohë, veç dy prokurorëve të tjerë Kryeprekurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku, ka urdhëruar ndjekje disiplinore edhe për prokuroren Armida Hamiti (Moçka), e cila ka përfaqësuar akuzën në gjykatë, në dosjen e ekstradimit të Nezar Seitit, i njohur ndryshe si financieri i grupit “Habilaj” për trafikun e drogës Shqipëri-Itali.
Po kështu është kërkuar ndjekje disiplinore edhe për prokurorin e Tiranës, Shahin Pasha.
CNA.al u interesua pranë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Durrës për të mësuar se çfarë ka ndodhur me hetimet për këtë çështje.
Por referuar përgjigjeve, fillimisht pritet të mbarojë hetimi disiplinor nga Prokuroria e Përgjithshme për të parë më tej se cili do të jetë fati i dy prokurorëve të Krimeve të Rënda Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, për të cilët njohësit e çështjeve të drejtësisë, thonë se mund të rrezikojnë prangat.
Gjithsesi duhen pritur hetimet për të arritur në një konkluzion të tillë.
“Prokuroria e Përgjithshme ka filluar hetimin disiplinor për prokurorët që kanë pasur të bëjnë me këtë material. Çështja është në hetim disiplinor dhe nuk ka ende përfundime”, thuhet në përgjigjen e organit të akuzës.