Miklovan Parubi rrezikon burgim të përjetshëm pasi këtë gjë ka kërkuar Prokuroria e Shkodrës. 33-vjeçari është autor i vrasjes së dyfishtë të ndodhur në Shkodër në tetor 2016, ku u vranë Arjet Saiti dhe Gacalin Kopshti, ndërsa u plagosën katër persona të tjerë.
Gjithashtu, organi i Akuzës ka kërkuar dënimin me 20 vite burg për bashkëpunëtorin e Parubit, Marçel Shpijatin, i cili akuzohet se ka ndihmuar 33-vjeçarin në sigurimin e armës së zjarrit dhe të largimit nga vendi i ngjarjes.
Në paraqitjen e provave, Prokuroria tregoi se përveç pamjeve filmike ka marrë dëshmitë e 7 personave të tjerë të pranishëm në vendngjarje, mes të cilëve edhe 4 të plagosur. Ngjarja e rëndë kriminale ndodhi në fshatin Dajç të Shkodrës, ku u ekzekutuan me automatik shtetasit Arjet Saiti, 42 vjeç, dhe Gacalin Kopshti, 30 vjeç.