Zbatimi i reformës në drejtësi është një nga sfidat më të mëdha të vitit 2018.
Por zbatimi i kësaj reforme, një sfidë tashmë për organet ligjzbatuese shqiptare dhe partneret tanë ndërkombëtarë, është kthyer dhe në një makth për zyrtarët dhe politikanët e korruptuar.
Dhe pavarësisht se është zgjedhur një kryeprokurore e Përkohshme si Arta Marku, “fjalën” e fundit për luftën pa kompromis ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe abuzimeve të politikës dhe zyrtarëve të lartë, e ka ngritja e Prokurorisë Speciale (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Prandaj themi që zbatimi i reformës duhet të kalojë përmes disa pikave kulmore, siç është ngritja e SPAK-ut, rezultatet e para të Vetingut, konstituimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i Këshillit të Lartë Gjyqësor si dhe zgjedhja e kryeprokurorit me mandat 7-vjeçar nga KLP dhe Parlamenti.
SPAK-u është një strukturë e veçantë e parashikuar në Kushtetutën e ndryshuar dhe në një ligj të veçantë.
Kjo strukturë ka si objekt gjurmimin, hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit në nivele të larta.
Njëherësh SPAK përbëhet nga Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykatat Speciale.
Për miratimin e kësaj strukture të frikshme që ka tmerruar politikanët, të cilët janë “sfilitur” duke luftuar për tre vite me radhë amerikanët dhe vendet e BE, duhet me patjetër mbështetja totale e politikës.
Kur ndërkombëtarët thonë se politika dhe gjyqësori kanë frikë nga reforma, i referohen pikërisht SPAK-ut dhe vonesave në ngritjen e kësaj strukture.
Fillimisht, ngritja e SPAK u tentua të sabotohej, duke mos votuar ndryshimet Kushtetuese, por deputetët që bënë rezistencë u kërcënuan se do të futeshin në listën e zezë të SHBA. Madje iu dërguan dhe mesazhe nominale që ta merrnin personalisht “mandatën” nëse nuk votonin reformën në drejtësi. Duke shënuar dhe votimin më të paprecedent në Parlamentin shqiptar, 100 përqind votat pro ndryshimeve Kushtetuese.
Më pas, SPAK u bllokua përmes zvarritjes së Vetingut nga armata e gjyqtarëve dhe një pjesë e politikës, përfshi PD dhe me mbështetjen e LSI, duke ankimuar ligjin në Kushtetuese.
Zbatimi i ligjit të SPAK-ut është bllokuar dhe për shkak të zvarritjes së ngritjes së KLP e KLGJ, po nga politika dhe gjyqësori.
Gjithsesi, procesi ka hyrë në një rrugë pa kthim. Duke iu referuar procedurave dhe afateve, lëvizjet e para për ngritjen e SPAK-ut duhej të nisnin në muajin mars të këtij viti.
Por deri më tani, ka hyrë prilli dhe gjithçka është lënë në heshtje. Por është lënë dhe në dorë të kauzave spontane si të opozitës ashtu dhe të qeverisë. Të cilat interferojnë ndonëse nga kahje të kundërta, vetëm në të njejtën pikë: Bllokimin e SPAK-ut.
Është e bllokuar dhe u shkon për shtat shumë krerëve të politikës shqiptare, asnjëherë të interesuar për ngritjen e kësaj strukture. Jo vetëm Berisha, Meta, Basha dhe Monika janë kundër, por me mosveprim është dhe Edi Rama, kryeministër i vendit. Ku me sa duket ka një pakt mes tyre për ta bllokuar ngritjen e SPAK dhe për pasojë bllokimin e dosjeve të rënda të krimit.
Për të shpëtuar secili prej liderëve politikë të vetes dhe të bashkëpunëtorëve të tyre. Por fati është me shqiptarët, pasi për ngritjen e strukturave të SPAK do asistojnë përfaqësues të SHBA e BE të cilët këmbëngulin fort në këtë proces.
Njerëzit që do të bëhen pjesë e këtyre strukturave do kalojnë Vetingun, duhet të plotësojnë kushte e kritere të forta si dhe do të jenë nën monitorim të rreptë nga struktura të tjera të posaçme.
Në kompetencë të Byrosë së Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme do të jenë 40 vepra të ndryshme penale dhe të gjitha dosjet e funksionarëve dhe ish-funksionarëve shtetërorë që nuk janë hetuar apo gjykuar deri më sot.
Disa nga veprat penale që do hetohen nga Byroja dhe do gjykohen nga Gjykatat e Speciale janë korrupsioni pasiv dhe aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë si dhe korrupsioni aktiv dhe pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë.
Gjithashtu, në kompetencë të organeve të SPAK-ut do të jenë çdo vepër penale që dyshohet se është kryer apo që është kryer nga funksionarë apo ish-funksionarë shtetërorë që nga 1991 deri në ditët sotme.
Pra, çdo aktivitet i paligjshëm i zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve që pas rënies së regjimit komunist, mund të hetohet dhe gjykohet. Duke përfshirë dhe krimet e Sali Berishës dhe qeveritarëve të tij, të ish kryeministrit Fatos Nano dhe qeveritarëve të tij, të ish kryeministrit Ilir Meta dhe ministrave të tij e me rradhë.
Jashtë ‘radarit” të SPAK natyrisht që nuk mbetet kryeministri Edi Rama dhe ministrat e ish ministrat e tij. Pasi objekt i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale do të jenë veprat penale të presidentit dhe ish-presidentëve, kreut të kuvendit dhe ish-kryetarëve të Kuvendit, kryeministrit dhe ish-kryeministrave, ministrave dhe ish-ministrave. Por dhe të të gjithë deputetëve dhe ish-deputetëve, të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, të kryeprokurorit dhe ish-kryeprokurorit, të krerëve të organeve të reja të drejtësisë dhe të drejtuesve të institucioneve qendrore apo të pavarura që nga viti 1991.
Dhe në këtë kontekst, pritet që të rihapen dhe njëherë dosjet e thyerjes nga Shqipëria të embargos së vënë nga OKB për ish Jugosllavinë, dosja e zhdukjes së Remzi Hoxhës nga SHIK i Gazidedes. Por dhe ngritja e skemave piramidale nga Berisha, shkatërrimi i shtetit nga themelet më 1997, grushti i dështuar i shtetit dhe vrasja e Azem Hajdarit më 1998.
Dosje të tjera pritet të startojnë për drogën, për Gërdecin, vrasjen e deputetëve Xhindi e Olldashi, vrasjen e bankierit Santo, vrasjet më 21 janar 2011, vjedhja e rrugës së kombit dhe një sërë çështjesh të tjera. Pa përjashtuar këtu dhe aferën e CEZ e DIA si dhe trafikun e drogës së lëvizur nga politikanët e lartë në Shqipëri.
Gjithë procesi do të ketë një monitorim të rreptë nga SHBA dhe BE. Ku SHBA, me anë të ekspertëve të FBI dhe të drejtësisë penale, do të mundësojnë mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimtarisë së Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke marrë pjesë edhe në hetime të caktuara.
Në ligjin për SPAK, janë parashikuar edhe ekipe të përbashkëta hetimore mes Shqipërisë-SHBA-BE, për të gjitha veprat penale në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës Speciale.
Ekipet e përbashkëta hetimore do të bazohen në konventat ndërkombëtare, konkretisht, në nenin 13 të Konventës së BE për Ndihmën e Ndërsjelltë Ligjore.Pamfleti.com