Loading...

Letra e Ornela Vorpsit: Më urrejnë se doja një burrë

“Dje, më erdhi një email nga Ornela Vorpsi”, kështu e nis monologun e kësaj puntate të emisionit të tij “Provokacja”, Mustafa Nano.

Kësaj here ai kishte zgjedhur të fliste për një personazh që këto ditë është përfolur shumë në media.

Në këtë letër, të shkruar prej tij, ai kishte renditur disa arsye se përse deklarata e Vorpsit, ku shprehet se ishte dashuruar me Edi Ramën por ai nuk e donte, tërhoqi kaq shumë vëmendje.

E plotë:

Dje, më erdhi një email nga Ornela Vorpsi. Dhe ajo më shkruante:

“I dashur Much, në këtë vendin tënd dhe timin, që ti mund të mendosh se është më shumë i yti sesa i imi, por që në fakt nuk është hiç e thënë të jetë kështu, mund fare mirë që të jetë më shumë i imi sesa i yti, në këtë vendin tonë sidoqoftë, shenja më e parë dalluese është prapambetja. Është një prapambetje që gati-gati të merr frymën. Dhe është e gjithëgjendshme. Kjo do të thotë se ti nuk i ikën dot asaj. Prindërit e mij, por edhe unë në një farë mase, jemi persekutuar nga diktatura komuniste, por këtu persekutorja më e madhe ka qenë, është e do të jetë prapambetja. Një regjim politik vjen dita që vdes, por prapambetja mbetet. Okupatore. Sundimtare. E pamëshirshme.

Pse t’i them këto? Sepse këto ditë kam parë reagime të çuditshme ndaj ca qëndrimeve të mija. Tani, jam dakord, edhe unë e kuptoj se e teprova kur thashë se Edi Rama ka qenë gjeni, se ai magjepsi gjithë Parisin në vitet ’90, se ai po e ngre lart këtë komb, se ai po bën mrekullira si kryeministër. Këto ishin fraza që më dolën në një bisedë të shpenguar me ca gazetarë, nuk është se i besoj vërtet këto gjëra. Ok, ndonjë gjë e besoj, por që Edi Rama magjepsi Parisin jo, sepse rëndom është Parisi ai që magjeps njerëzit dhe jo njerëzit që magjepsin Parisin. Ajo ishte një frazë që unë e lëshova ashtu, siç më erdhi, ndoshta ka qenë thjesht një wishful thinking. Ishte një padjallëzi e imja. Dhe mua nuk më vjen aspak keq. Nuk mund t’i vijë keq askujt për padjallëzitë e veta.

Mirëpo, po vë re se këto fjalë kanë trazuar dynjanë. Dhe unë kam zbuluar një gjë. Nuk janë këto konsiderata të shpenguara të mijat që kanë shkaktuar mërzí te disa njerëz. Jo, nuk ka gjasa të jetë kështu. Është gjëja tjetër që u ka prishur kararin. Është pohimi im se “unë kam dashur një burrë që nuk më ka dashur”. Është pikërisht kjo frazë, që ata i nxjerr nga binarët, që u trondit gjithë qënien. Sepse unë jam gruaja e parë e njohur, e bukur që pata guximin të them në publik që “unë e doja filan fistekun, e ai nuk më donte”. Dhe ata e urrejnë këtë model gruaje. Ky është një model gruaje që “çorodit” shoqërinë, i bën gratë të jenë më të lira, ose absolutisht të lira, dhe kur them “gratë” kam parasysh të gjitha gratë, edhe gratë e tyre, motrat e tyre, ndoshta edhe nënat e tyre, dhe ruajna Zot, vetëm kjo nuk u duhet, nuk është ky rendi i gjërave në kokën e tyre; rendi i gjërave është një tjetër, është ai në të cilin gratë duhet të kenë turp të flasin për përvojat e tyre intime, për sentimentet, të dashurit apo dashnorët, për dobësitë e zemrës së tyre, për trillet e tyre, dhe uf, sikur ta dinit sa trille kemi ne gratë.

Ja, kjo është arsyeja që ua kam heq petllën ca e cave në Tiranë me atë që thashë. Dhe s’e ke idenë sa mirë më vjen që e thashë.”

Si thashë unë? Ky ishte emaili që më erdhi nga Ornela Vorpsi? Bëra shaka. Në fakt, ky ishte emaili që nuk më erdhi nga Ornela Vorpsi. E që unë nuk do çuditesha po të më vinte. S’ka gjë se nuk njihemi.

Ky ishte monologu im për sonte. Dhe tani le të fillojmë./mapo/

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com