Një grup të rinjsh nga i gjithë vendi, gazetarë, studentë e gjimnazistë, janë bërë bashkë, si rrallë herë, duke iniciuar një fushatë bamirësie mbarëkombëtare që synon mbledhjen vullnetare të fondeve, për t’i mundësuar kurimin jashtë vendit katër fëmijëve të sëmurë me kancer.
Nismës humanitare i janë bashkuar personalitete të njohura, intelektualë, qytetarë të thjeshtë, e së fundi edhe emrat më të mëdhenj të skenës së muzikës dhe teatrit, që kanë ndezur koncertin e bamirësisë të organizuar në sheshin “Skënderbej”.
Në koncertin e madh të bamirësisë “NJË KËNGË PËR JETËN”, të mbështetur dhe nga Bashkia Tiranë nuk kishte si të mungonte zëri i mjeshtrit të madh të fjalës Mirush Kabashi, që përmes fjalëve të shenjtores shqiptare Nënë Tereza ngriti në këmbë të gjithë të pranishmit.
Prezantimi i koncertit është bërë nga vajza e vogël e Presidentit, Era Meta, e cila në krah ka patur moderatorin Florian Agalliu.
Për më shumë se dy orë sheshi “Skënderbej” është pushtuar nga atmosfera e festës, ndërsa në skenë janë ngjitur emra të mëdhenj si Sidrit Bejleri, Aurela Gace, Motrat Libohova, Bujar Asqeriu,Valbona Mema, Ylli Baka, Eli Fara, si dhe çifti simpatik Bes Kallaku e Xhensila Myrtezaj.
Për të mundësuar kurimin e katër vogëlushëve kanë kontribuar financiarisht një numër i madh biznesesh, një prej tyre edhe “Hotel Prestige”. /BW