Loading...

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit: Rezultatet e Vettingut do të jenë befasuese, nga 4 gjyqtarë dhe prokurorë vetëm 1 i shpëtoi procesit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë dje sinjale se rezultatet e vetingut do të jenë befasuese. Kur nisi procesi i vetingut të gjithë ishin skeptikë, por çdo ditë që kalon po konfirmohet se të korruptuarit nuk do të kenë më vend në sistemin e drejtësisë. Pas seancës së datës 17 prillit, ditën e djeshme u mblodh Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nën drejtimin e kryetares së trupës gjykuese, Suela Zhegu, ku shpalli vendimin në lidhje prokuroren e Apelit Shkodër, Besa Nikëhasani. KPK shkarkoi nga detyra prokuroren Nikëhasani.

Vendimi është marrë pasi ajo nuk ka justifikuar pasurinë. Besa Nikëhasani sipas KPK, nuk justifikon dy apartamente, dy garazhe dhe një makinë fuoristradë Toyota Landcrusie me vlerë rreth 20 mijë euro. Një nga apartamentet e prokurores që nuk justifikohet ndodhet në Tiranë, tjetri në Lezhë. “Trupa gjykuese shqyrtoi të gjithë dokumentacionin e dërguar nga institucionet e vlerësimit dhe zhvilloi një procedurë të thellë hetimi administrativ bazuar vetëm në kriterin e pasurisë. Në përfundim të këtij procesi të rivlerësimit trupa gjykuese vendosi shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Besa Nikëhasani, prokurore në Prokurorinë e Apelit Shkodër.

Vendimi i arsyetuar njoftohet brenda 30 ditëve pas përfundimit të kësaj seance dëgjimore”, deklaroi kryesuesja e trupës gjykuese, Suela Zhegu. Prokurorja e Apelit ishte e pranishme në sallë në momentin që u dha vendimi, ku përplasja e duarve me ironi ishte reagimi i Besa Nikëhasani sapo mësoi se nuk e kaloi vetingun. E më pas, duke dalë ka filluar të kundërshtojë vendimin, duke e cilësuar të padrejtë. “Kjo është drejtësia!”, ironizoi ajo. Në seancën e kaluar prokuroja e Apelit Shkodër, Besa Nikëhasani deklaroi se familja kishte borxhe dhe se pasurinë e kishte vendosur në mënyrë të ligjshme, ashtu sikur pretendonte edhe ILDKP, por KPK e rrëzoi duke e përjashtuar.

Mirëpo, procesi i rivlerësimit për 4 gjyqtarë dhe prokurorë, ku vetëm anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, është e vetmja që i mbijetoi rrjetës së vetingut, tregon qartë se nëse ecet me këtë trend, pjesa dërrmuese e njerëzve të drejtësisë do t’u duhet të largohen nga sistemi. Megjithatë, kjo është vetëm një ane e asaj që duket deri me tani, pasi nuk ka nisur ende procesi i vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët e Gjykatave të Shkallëve të Parë, të cilat duke iu referuar raporteve konfidenciale por edhe institucionale dhe mediatike, rezultojnë si më të korruptuarit. Sidoqoftë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë dhe prodhojë procesi i Vettingut.

Ja pse u shkarkua Nikëhasani

Prokurorja e Apelit Shkodër, Besa Nikëhasani ishte personi i katërt nga njerëzit e drejtësisë, e cili doli para komisionit të vetingut dhe pas një hetimi gati 5-mujor u shkarkua nga detyra. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, vendimi i shkarkimit të Nikëhasanit u bazua në hetimet e thella dhe të pavarura të bëra nga vetë KPK. Sipas KPK, Besa Nikëhasani nuk justifikonte burimin e ligjshëm të dy apartamenteve, dy garazheve dhe një makinë fuoristradë me vlerë rreth 20 mijë euro. Një nga apartamentet e prokurores që nuk justifikohet ndodhet në Tiranë, tjetri në Lezhë. Pra pas gjithë këtyre gjetjeve, sidomos sa i takon mos justifikimit të dy apartamenteve dhe makinës, Komisionit i Pavarur i Kualifikimit vendosi dje që të shkarkonte nga detyra prokuroja e Apelit Shkodër, Besa Nikëhasani./SOT

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com